Notat e muzikës klasike ngjallën emocione në kështjellën e Gjirokastrës. Turistë vendas dhe të huaj patën mundësi gjatë fundjavës të ndjekin koncertin "Gjiro-Classica".
Ky është edicioni i parë i eventit muzikor në kalanë e qytetit te gurte.
Pjesë të njohura nga Bethoven, Schubert, Brahms, Liazzolla u luajtën nga dyshja e pianisteve Kristina Petrollari dhe Mimoza Cabeli.
"Kjo ishte një ide që ka lindur gjatë pandemisë kur dhamë një koncert në shtator 2020. Duke parë mikëpritjen e publikut na ka lindur ideja ta kthejmë në një festival vetëm për qytetin e Gjirokastrës. Kështu do të japim edhe koncerte të tjera gjatë muajve korrik, gusht e shtator, në kohën kur qyteti ka më shumë turistë", tha pianiste Kristina Petrollari.
Ndërsa Bledi Kaçi drejtor i Qendres Kulturore në Bashki shprehet se "ishte atmosferë mbresëlënëse shpresoj ky aktivitet të mos jetë i vetmi".
Evente të tilla synojnë jo vetëm edukimin e publikut me muzikën klasike, por edhe një mundësi për të tërhequr turistë në qytetin e gurtë.
Muzika rikthehet në kala pas një mungese të gjatë për shkak të pandemisë.