GJIROKASTER - Divorcet e regjistruara në shkallën e parë të gjyqësorit në Gjirokastër janë shtuar me 40% në këtë vit. Kthimi i emigrantëve nga Greqia ka bërë që shifrat të lëvizin ndërsa zyrtarisht motivet që çojnë çiftet drejt ndarjes kanë të bëjnë me papunësinë, gjendjen e vështirë ekonomike, kreditë dhe pamundësia për ti shlyer ato.

Referuar statistikave rezulton se gjatë periudhës janar-shtator vërehet shtim i ndjeshëm i proceseve gjyqësore për zgjidhjen e martesave krahasuar me vitin e kaluar. Kancelarja e Gjykatës së Faktit Elona Çela thotë se gjykimet e kësaj natyre kanë qenë të pranishme çdo muaj të vitit.

Kriza ekonomike që ka mbërthyer Greqinë bën që çiftet shqiptare të kthehen në atdhe dhe të depozitojnë letrat e ndarjes. Procedura e shkurtër që ndiqet për raste të tilla dhe kostoja e ulët e procesit bën që ata t'i drejtohen pikërisht gjykatave shqiptare.

Në shumë raste divorcet janë shoqëruar me probleme ligjore sa i takon statusit të fëmijëve të lindur në Greqi e të paregjistruar sipas ligjit në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri.

(pn/shqiptarja.com)