GJIROKASTER- Ndërkohë që operacioni antikanabis i policisë vijon në Lazarat, uniformat blu kanë zhvilluar kontrolle edhe në zonat e tjera në qarkun e Gjirokastrës, ku janë gjetur dhe asgjësuar 447 bimë kanabis. Gjatë kontrolleve të zhvilluara ditën e sotme, forcat e policisë kanë evidentuar dy parcela të kultivuara me bimë narkotike, në vendin e quajtur “Gryka e Piksit”, në afërsi të fshatit Taroninë të komunes Cepo, në Gjirokastër.
 
Parcelat ishin hapur rishtas për kultivim të bimëve narkotike në Gryken e lumit Piks.
 
Grupi hetimor ka konstatuar se në dy parcelat ishin kultivuar 447 bimë të dyshuara narkotike që varionin nga 50 deri në 60 centimetra të larta.
 
Bimët narkotike u asgjësuan në vend me anë të djegies ku një numër i caktuar u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
 
Po vijon puna për evidentimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)