GJIROKASTËR - Pesë forume patriotike nga e gjithë Shqipëria dhe trojet jashtë kufirit shtetëror, janë mbledhur mesditën e së shtunës në Gjirokastër, për të protestuar ndaj qëndrimeve fashiste dhe naziskine që vijnë prej qarqeve të caktuara nacionaliste greke.

Me pankarta në duar “Epiri është Shqipëri” dhe me vargje këngësh patriotike, të rinjtë e shoqatës “Reago”, të mbështetur edhe nga aktivistë të lëvizjeve të tjera patriotike në vend, kanë, nisur manifestimin e tyre të protestës, në pjesën e poshtme të Gjirokastrës, duke kulmuar në zonën historike ku qëndron monumenti i heroit kombëtar Çerciz Topulli.

Një flamur gjigand prej 400 metër katrorë, ka ndezur thirrjet patriotike dhe situatën në sheshin para monumentit të Cercizit ku vëzhgohej nga policia që ishte në gatishmëri të cfarëdolloj episodi të mundshëm që mund të përbënte shkelje të rendit publik. Deklaratat e "Agimit të Artë" për çeljen e përfaqësive të tyre në jug të vendit, kanë nxitur tubimin e sotëm ku i është bashkuar edhe këngëtari shkodran Frederik Ndoci.

Ndërkaq në fund të tubimit, kreu i shoqatës patriotike “REAGO”, ka dhënë një deklaratë ku dënon veprimet sipas tij, të elementëve të caktuar të shtetit grek, për diskriminimin e shqiptarëve dhe vlerave të identitetit shqiptar dhe për këtë, shoqatat që përfaqësoheshin në këtë tubim, kanë reaguar duke i thënë NDAL veprimeve të tyre. Më pas tubuesit, janë shpërndarë qetësisht dhe pa incidente, ndërkohë që policia kishte marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)