Katër persona janë arrestuar nga Policia e Gjirokastrës pas një hetimi të nisur ndaj tyre për dhunim dhe heqje të lirisë së një 30-vjeçarje, e cila është gjithashtu familjare e tyre.
Në pranga kanë rënë A. A., 34 vjeç (vëllai i 30-vjeçares) dhe S. A., 54 vjeç (xhaxhai i 30-vjeçares), L. L., 43 vjeç, (bashkëshorti i 30-vjeçares), ndërsa është lënë në ‘arrest shtëpie’ E. M., 51 vjeç. Sipas hetimeve, këta persona për shkak të një konflikti familjar, kanë marrë peng në automjet 30-vjeçaren dhe më pas e kanë dhunuar.
Dyshohet se shkak për nisjen e konfliktit të jetë bërë kërkesa e 30-vjeçares për t’i dhënë fund martesës, gjë që nuk është pranuar nga familjarët. Mësohet se 30-vjeçarja ka vendosur të largohet nga bashkëshorti, duke marrë vajzën dhe duke lënë djalin me të. Arsye e largimit është lidhja e saj me një burrë tjetër por që ka hasur jo vetëm në kundërshtinë e të shoqit por dhe të familjes së saj prindërore.
30-vjeçarja kishte paralajmëruar më parë familjarët dhe bashkëshortin se bashkëjetesa nuk kishte më kuptim dhe do të largohej, por përpjekjet e familjarëve për të penguar largimin e saj kanë çuar në dhunë fizike. Sipas informacioneve, kjo nuk është hera e parë që gruaja përballet me këtë skemë dhune; disa muaj më parë familjarët e saj e kishin marrë me forcë por atëherë nuk e kishte denoncuar.
“DVP Gjirokastër
Ekzekutohen masat e sigurisë për 4 shtetas që ishin në hetim pasi dyshohet se i hoqën lirinë një 30-vjeçareje (familjare e tyre) dhe e dhunuan atë, për shkak të një konflikti në familje.
Seksioni për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme "Shqiponja", të DVP Gjirokastër, Stacionin e Policisë Këlcyrë dhe Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, ekzekutoi masat e sigurisë të caktuara nga Gjykata e Gjirokastrës, për 4 shtetas që ishin në hetim.
U ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata, për veprat penale "Dhuna në familje” dhe "Heqja e paligjshme e lirisë", kryer në bashkëpunim, për shtetasit:
- A. A., 34 vjeç (vëllai i 30-vjeçares) dhe S. A., 54 vjeç (xhaxhai i 30-vjeçares), të dy banues në Tiranë. Këta shtetas u lokalizuan dhe u kapën në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë;
-L. L., 43 vjeç, banues në Këlcyrë (bashkëshorti i 30-vjeçares).
Gjithashtu, u ekzekutua masat e sigurisë "Arrest në shtëpi", për shtetasin E. M., 51 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Heqja e paligjshme e lirisë", kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 10.01.2026, për shkak të një konflikti në familje, i kanë hequr lirinë 30-vjeçares, duke e mbajtur me forcë, në automjet, dhe më pas e kanë dhunuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.
Komente











