GJIROKASTER - Zona Muzeale ndonëse është çertifikuar si më e ngarkuara me ndërtime pa leje, nuk ka gjasa që shumica e tyre të shkatërrohen. INUV premton shkatërrimin e vetëm tre nga 92 ndërhyrjeve ilegale në zonën historike të qytetit të gurtë.

Për kreun e INUV-it të Gjirokastrës Vullnet Tola, pas verifikimeve në terren, pritet që këto ditë të ndërhyhet për të prishur në tre objekte të cilat janë edhe në listën qëndrore të konstatuara nga ALUIZN-i dhe INUK-u qëndror prej kohësh.

Ndërtimet pa leje, janë konstatuar në zëvendësimin e cative me soleta të betonizuara, rrugëve të kalldrëmta me beton, si dhe shkatërrimin e disa gardheve që janë të shumuara sidomos në lagjen Mecite dhe Palorto. 

"Në lagjen 18 janë 12 ndërtime pa leje ndërsa në zonën Muzeale janë 3 që do të prishen. Problematike janë mbulesa e banesave me soletë, janë 8 persona që kemi bërë kallzim penal në Prokurori." shprehet Tola

Gjirokastra është pranuar në UNESCO 10 vjet më parë dhe ky organizëm ka verifikuar në terren, gati 100 ndërhyrje të paligjshme nga shtëpiakët që kanë banesat e tyre në pjesën historike.

Deri më sot, nuk është ndërhyrë për eleminimin e këtyre ndërtimeve, por përfaqësuesit e INUV shpresojnë që ndërhyrja të realizohet me mbështetjen e aksioneve të INUK.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)