GJIROKASTER - Në qytetin e Gjirokastrës prej dy vitesh qëndron i bllokuar fondi për 500 të porsalindur. Sipas informacioneve të marra në Bashkinë e Gjirokastrës ky fond duhet të vijë në fund të çdo 6 mujori gjë e cila prej dy vitesh nuk ndodh më.

Vetë nënat e fëmijëve shprehen se deri më tani, nuk kanë marrë asnjë shpërblim për lindjen e fëmijëve dhe çuditen pse 5000 lekëshi që u takon me të drejtë, nuk u është dhënë.

Nënkryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Vito Muco, shpreh shqetësimin për këtë situatë pasi mjaft nëna dhe familjarë të tjerë me të drejtën e tyre, kërkojnë përditë në dyert e kësaj njësie vendore, shpërblimin prej 5 mijë lekësh që u takon me ligj.

Vetëm për këtë vit, 136 fëmijë të lindur në qytetin e Gjirokastrës, nuk kanë marrë shpërblimin ndërsa shumica e të lindurve, i përkasin shtresave me të ardhura të pakta.

(Gre.M/Shqiptarja.com)