TIRANE- Një sasi eksplozivi është vendosur në një lokal në zonën muzeale të qytetit të Gjirokastrës, 10 metra larg Qafës së Pazarit, qendrës së rëndësishme muzeale të qytetit të gurtë.

Ngjarja është shënuar rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm. Korrespondenti i Tv A1 REPORT! dhe Shqiptarja.com Piro Nase informoi sot në mëngjes se sipas policisë së këtij qarku eksplozivi, dyshohet, rreth 300 gram, është vendosur në derën e lokalit në pronësi të Shefki Karagjozit.

Nga shpërthimi, janë shkatërruar orenditë e brendshme të lokalit duke i nxjerrë ato të gjitha jashtë përdorimit, si dhe vetratat e gjashtë njësive të tjera të shërbimit që ndodheshin në krahë dhe përballë objektit që ishte qendër e shpërthimi.

EKSPLOZIVI I QELLIMSHEM

Sipas ekspertëve të policisë, tritoli ka qenë në një peshë gati 300 gram dhe ishte i vendosur qëllimisht në pjesën e përparme të lokalit, me qëllim edhe prekjen nga vala shpërthyese e njësive të tjera të shërbimit. Për Policinë e Gjirokastrës, ngjarja në fjalë, është produkt i një konflikti personal mes të zotit të lokalit Shefki Karagjozi dhe dy personave të tjerë të cilët mendohet se janë edhe vendosësit e lëndës shpërthyese të cilët janë identifikuar nga ana e policisë dhe po punohet për kapjen e tyre.

Në polici janë shoqëruar katër persona të cilët po i nënshtrohen pyetjeve për të identifikuar shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit të ndodhur. Pronari i ndërtesës ku gjendet lokali për këtë ngjarje, akuzon policinë e cila sipas tij, është treguar indiferente karshi një tentative para një muaji, për vendosjen e zjarrit në të njëjtin objekt.

Ndërkaq sipas zëdhënësit të Policisë Gentijan Mullai, policia ishte ajo që shmangu zjarrvënien e para një muaji në këtë objekt, ndërkohë që cështja është marrë me seriozitet të plotë nga ana e organeve të prokurorisë dhe policisë. Një pronare e dyqanit aty pranë e prekur nga shpërthimi i tritolit, e ka vlerësuar si akt të rëndë ngjarjen e mëngjesit të sotëm.  Autorët dyshohet se janë dy persona të identifikuar dhe të shpallur në kërkim nga policia.

(sg/shqiptarja.com)