Dy shoqata kulturore nga Selaniku, “Horostasi” dhe “To Serjani”, zhvilluan një aktivitet artistik mbremjen e djeshme në sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër, në bashkëpunim me shoqatën kulturore të Dervicianit.

Gjatë mbrëmjes u interpretuan valle dhe këngë tradicionale greke, të cilat u mirëpritën nga publiku. Organizatorët dhe pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e këtyre aktiviteteve në promovimin e kulturës dhe forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Eventi solli një atmosferë festive dhe kontribuoi në gjallërimin e jetës kulturore dhe turistike të qytetit. Gjatë mbrëmjes artistike, grupet “Horostasi” dhe “To Serjani” interpretuan valle tradicionale nga krahina të ndryshme të Greqisë,  që u pritën me duartrokitje nga publiku. Ritmet folklorike dhe kostumet tradicionale krijuan një atmosferë festive në zemër të qytetit.

Përfaqësuesit e dy shoqatave  u shprehën se janë shumë të impresionuar nga Gjirokastra , duke vlerësuar mikpritjen, kulturën dhe interesin e publikut për traditat popullore.

Ata theksuan se vallet që sjellin janë pjesë e trashëgimisë së tyre kulturore dhe përfaqësojnë krahina të ndryshme të Greqisë, duke synuar të ndajnë me publikun bukurinë dhe energjinë e folklorit. Sipas tyre, aktivitete të tilla ndikojnë pozitivisht në afrimin mes popujve, duke krijuar ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi përmes artit dhe traditës.