Gjirokastra, e njohur si qyteti i gurit, është një nga destinacionet historike më të veçanta në Shqipëri, sidomos në pranverë kur qyteti merr një tjetër atmosferë mes gjelbërimit dhe rrugicave me kalldrëm.

E ndërtuar në shpatet e luginës së Drinos dhe e rrethuar nga malet, Gjirokastra është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe njihet për shtëpitë karakteristike me çati guri, rrugët e ngushta dhe historinë që shtrihet prej shekujsh.

Një nga pikat kryesore për turistët është Kalaja e Gjirokastrës, një fortesë e madhe që dominon mbi qytetin dhe ofron pamje të gjera mbi shtëpitë tradicionale dhe luginën e Drinos.
Në zemër të qytetit ndodhet Pazari i Vjetër, ku rrugicat me kalldrëm janë të mbushura me dyqane artizanale, kafene dhe restorante tradicionale që mbajnë gjallë atmosferën e vjetër të qytetit.
Vizitorët mund të ndalen edhe te disa nga shtëpitë muze, si ajo e familjes Skënduli apo shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare, që tregojnë jetën dhe arkitekturën karakteristike të Gjirokastrës në shekujt e kaluar.

Pamje nga qyteti historik janë ndarë të dielën edhe nga kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ku shfaqet Gjirokastra mes gjelbërimit të pranverës dhe arkitekturës karakteristike që e ka bërë një nga qytetet më të vizituara në vend.
Komente







