I vetmi kanal i ujërave të larta në Bashkinë e Gjirokastrës ka pësuar dëmtime në strukturë, duke rrezikuar sërish përmbytje në zonë. Prej 55 vitesh aty nuk është kryer asnjë ndërhyrje e plotë, por vetëm riparime. Kanali është në pronësi të Bashkisë, e cila konfirmon se ka hartuar një raport të detajuar për gjendjen teknike dhe një projekt rehabilitimi.

***

I vetmi kanal i ujërave të larta në territorin e Bashkisë së Gjirokastrës, me gjatësi 2.6 km, ndodhet në Njësinë Administrative Antigone, fshati “Asim Zeneli”.

Reshjet e dendura të dimrit kanë dëmtuar strukturën, duke gërryer betonet anësore si pasojë e prurjeve të shumta.

Po kështu, në dimër, shkaktoi përmbytje në zonat përreth, duke dëmtuar banesa, dhjetëra hektarë tokë bujqësore.

Banorët e kësaj zone kërkojnë të riparohet kanali në verë në mënyrë t’i shpëtojnë përmbytjeve dimrin e ardhshëm.

“Sa herë ka reshje të mëdha, kanali del nga shtrati dhe na përmbyt tokat e shtëpitë”.

“Kërkojmë ndërhyrje urgjente, sepse nëse përsëritet kjo situatë, dëmet do të jenë edhe më të mëdha.”

Prej afro 55 vitesh, nuk është kryer asnjë ndërhyrje e plotë, por vetëm riparime të pjesshme. Kanali është në pronësi të Bashkisë së Gjirokastrës, e cila konfirmon se ka hartuar një raport të detajuar për gjendjen teknike dhe një projekt rehabilitimi.

Për shkak të mungesës së fondeve, bashkia i është drejtuar Ministrisë së Bujqësisë për financim, pasi kostoja e investimit tejkalon mundësinë e saj financiare.