Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar po shkon drejt përmbylljes së një procesi të gjerë modernizimi, që synon përafrimin e ambienteve të saj ambientet amerikane të drejtësisë. Pas punimeve strukturore të nisura gjatë verës, tashmë fokusi është zhvendosur te mobilimi i sallave të gjyqit.

Agjencia e Prokurimeve ka hapur një tender me fond limit 299,688 euro për mobilimin e katër sallave gjyqi, procedurë që mbyllet më 16 shkurt. Sipas dokumentacionit, kompania fituese do të ketë dy muaj kohë për realizimin e punimeve, duke respektuar specifikime të detajuara teknike dhe estetike.

Projektimi arkitektonik parashikon një ndryshim rrënjësor të ambienteve të brendshme, me përdorimin e drurit të lisit masiv në veshjen e mureve deri në tavan, në vend të suvatimit tradicional. Panelet do të kenë një përfundim me shkëlqim të moderuar, ndërsa montimi kërkon nivel të lartë precizioni në përputhjen e elementeve.

Në sallat e gjyqit do të shtrohet moket mbi parket laminat, me ngjyra neutrale ose të errëta, të menduara për të maskuar njollat dhe për të ruajtur pamjen estetike në kushte përdorimi intensiv. Kërkohet që materiali të jetë i kategorisë më të lartë, i qëndrueshëm ndaj ngarkesave të vazhdueshme dhe i përshtatshëm për ambiente publike me frekuentim të lartë.

Edhe mobilimi funksional do të realizohet me lis natyral europian, duke përfshirë tavolinat e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe administratës, si edhe karriget dhe podiumin e folësve. Punimet do të kryhen me elementë gdhendjeje, sipas modelit të parashikuar në projekt.

Përmirësime janë planifikuar edhe për dhomat e këshillimit, ndërsa kriteret teknike përcaktojnë që materialet drusore të jenë rezistente ndaj lagështirës dhe pa shenja dëmtimi apo biodegradimi, me qëllim garantimin e cilësisë dhe jetëgjatësisë së investimit.