Pas vendimit të GJKKO ndaj Belinda Ballukut për pezullim nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe ndalim daljeje jashtë vendit, kanë ardhur reagime nga politika. Deputeti i partisë Mundësia, Agron Shehaj, me të cilin Balluku u përplas dje në Kuvend, thekson se atë që nuk e bëri dot vetë zv.kryeministrja që të largohej nga detyra, e bëri gjykata.
“Më vjen keq ta them por e vërteta është që këta nëse nuk i tërheq zvarrë nga karrigia, nga pushteti, nuk ikin. Fatkeqësisht duhet vendimi i gjykatës për t'i larguar. Ky është një moment historik për Shqipërinë.”, tha ai.
Në një deklaratë për mediat, pasuar më pas, Shehaj e cilësoi këtë ditë si historike për vendin, teksa tha se "të korruptuarit që kanë marrë peng këtë vend për 35 vjet po dalin para drejtësisë". Ndërsa, Balluku po zhvillonte një takim në zyrën e Ramës, Partia Mundësia me Agron Shehajn zhvilluan një protestë simbolike para Kryeministrisë.
Nga radhët e PD, i pari që reagoi ishte ish-deputeti Ervin Salianji, i cili tha se goditja e drejtësisë ndaj zyrtarëve nuk është një surprizë për askënd. Salianji thotë se edhe kryeministri duhet të largohet, duke theksuar nevojën e një qeverie tranzitore që të garantojë brenda pak kohësh zgjedhje të lira e të ndershme.
“Korrupsioni galopant, abuzimet e përditshme dhe kapja e institucioneve kanë çuar në rrënimin e shtetit. Goditjet e fundit nga drejtësia ndaj njerëzve më të fuqishëm të pushtetit nuk janë surprizë për askënd, janë provë e qartë e asaj që kemi thënë prej vitesh, qeveria është kalbëzuar në çdo qelizë.”, shkruan Salianji.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi thotë se goditja e drejtësisë ndaj Ballukut është në të vërtetë një "çelje kapitulli" me BE.
"Ky i sotmi është një hap i mirë. Por drejtësia për abuzimet qindra milioneshe në vendin më të varfër të Europës, për krimet elektorale, për mbajtjen e pushtetit me dhunë, për lidhjet me krimin, ka ende rrugë përpara për të bërë. ", shtoi Bardhi.
Deputetja e PD, Jorida Tabaku thotë se është rast unikal në botë që gjykata pezullon nga detyra një zëvendës kryeministre dhe ministre, ndërsa shton se përgjegjësia nuk është personale, por politike.
“Kur një ministre e linjës më të rëndësishme të qeverisë dhe një zëvendëskryeministre merret e pandehur dhe pezullohet nga detyra, përgjegjësia nuk është personale: përgjegjësia është politike. Dhe kjo përgjegjësi fillon në zyrën e Kryeministrit.”, thotë ajo.
Për masat ndaj Ballukut edhe në selinë rozë, jo të gjithë heshtën. Ish deputeti Petro Koçi e quajti tradhtare të socialistëve dhe vendit duke shkruar se “çdo i korruptuar ne qeverisje apo ne administratën e sotme qe përfaqëson PS ne fakt eshte tradhetar ndaj socialisteve dhe vete vendit tone duke i shërbyer drejtpërdrejte interesave te opozitës.”
GJKKO vendosi pezullim nga detyra për Ballukun si zëvendës kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe gjithashtu e ndalon të dalë jashtë vendit. Masat janë dhënë jo vetëm në kuadër të marrjes si e pandehur për shkelje të barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë por edhe për tenderin me fond limit 20 mln euro për lotin 4 të Unazës së Madhe.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se “po përgatit grusht shteti”. Në një deklaratë publike, Bardhi u shpreh se Rama ka minuar prej kohësh standardet demokratike dhe themelet kushtetuese të Republikës.
Ai kritikoi argumentet se Gjykata dhe SPAK po ndikojnë qeverisjen, duke deklaruar se këto institucione thjesht po ushtrojnë autoritetin që u njeh Kushtetuta, ndërsa “qeverisjen e vërtetë e ka diktuar krimi i organizuar”.Bardhi theksoi se Balluku “nuk është pezulluar si deputete, pasi kjo është e ndaluar me ligj”, ndërsa masa e pezullimit lidhet vetëm me ushtrimin e funksioneve ekzekutive. Sipas tij, kjo dispozitë ligjore ekziston pikërisht për situata kur vendimmarrja për shkarkimin i takon “një personi të papërgjegjshëm apo një bashkëfajtori në korrupsion”, duke përmendur Ramën.
Bardhi deklaroi gjithashtu se “as Balluku dhe as Rama nuk mund të shpëtohen nga mjerimi në logjikë”, duke shtuar se fundi i tyre politik është i pashmangshëm për shkak të “sistemit korruptiv të qeverisjes që kanë ndërtuar vetë”.
Postimi i plotë i Gazment Bardhit:
Edi Rama është duke përgatitur grusht shteti!
Për pushtetin e tij, ka kohë që ka shkallmuar çdo rregull dhe standard të funksionimit demokratik të shtetit, duke nisur nga themeli kushtetues i Republikës “qeverisja bazohet në zgjedhje të lira dhe të ndershme”!
Teoria se Gjykata dhe SPAK po përcaktojnë qeverisjen, bëhet ekzaktësisht nga ata që nuk janë shqetësuar asnjë ditë për faktin që qeverisjen e përcakton krimi i organizuar! Pra, Kushtetuta dhe ligji që i njeh këtë autoritet Gjykatës dhe SPAK, janë gabim, ndërsa sistemi i Edi Ramës që qeverisjen e dikton krimi i organizuar dhe korrupsioni, është i drejtë. Çfarë turpi dhe mjerimi!
Belinda Balluku nuk është pezulluar nga funksioni si deputete. Këtë e ndalon ligji! Gjykata dhe SPAK e kanë respektuar këtë ndalim. Ndërkohë “pezullimi për të ushtruar funksionet publike” në pushtetin ekzekutiv është qëllimi për të cilën ekziston kjo masë ndaluese në ligj, në kushtet kur vendimmarrja për shkarkim i është besuar një njeriu të papërgjegjshëm (siç është Edi Rama) apo një bashkëfajtori në korrupsion me të pandehurin (siç është po Edi Rama)!
Mjerimi në logjikë nuk e shpëton dot as të pandehurën e sotme Belinda Balluku dhe as të pandehurin e afërt në kohë Edi Rama! Fundi i tyre i shpejtë është shkruar nga sistemi korruptiv i qeverisjes që kanë ndërtuar vetë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për pezullimin nga detyrat publike të Belinda Ballukut me urdhër të GJKKO-së. Sipas Berishës, është Rama ai i cili dërgoi Belindën në përballje me drejtësinë.
“Lubia iku siç ishte!
Kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar!
Miq, disa ditë më parë dëgjova se nga prokuroria do kërkohej dhe do vendosej pezullimi nga detyra i Lubi Ballukut. Ky lajm më duk thashethem dhe nuk e besova. Madje nuk e besova edhe pasi Rama në fjalën e tij i thoshte Belindës “duaje fatin tënd”, mbasi territorët e drejtësisë janë të ndara me territorët e PS. Pas kësaj deklarate që Rama e bëri vetëm për Lubinë, nuk kisha më asnjë dyshim se ai tashmë donte të shpëtonte sa më shpejt prej saj, mbasi ai dhe Lubia ngjisnin si: “keni parë s’keni parë, shkon një i vdekur me të gjallë.”
Por ndonëse e di se Edi Rama në të gjithë qenien e tij çnjerëzore, nuk besoj se do zgjidhte formën më poshtëruese për të larë hesapet me njeriun që prej 25 viteve kishte ndarë çdo gëzim dhe hidhërim dhe që e kishte bashkëpunëtore luajale në çdo vjedhje. E vërteta është se dokumenta të pakundërshtueshme tregojnë se nuk ishte ai që hante fiq dhe kumbulla pas shpinës së Lubisë.
Me të drejtë pyetja: pse Rama nuk i kërkoi Lubisë dorëheqjen, që do t’i jepte edhe ndonjë pikë? Pse ai nuk e shkarkoi siç i takonte, në rast se refuzonte dorëheqjen, por zgjodhi trajtimin e saj sikur të ishte magazinierja e Këshillit të Ministrave?
Përgjigjja është vetëm një: atij nuk ia mbante! Nuk ia mbante sepse në dy aferat e mëdha, tunelin e Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës, iniciator e vendimmarrës i vërtetë është Rama dhe jo Lubia.
Por a shpëtoi Rama me këtë akt makbethian ndaj bashkëpunëtores së tij më të afërt? Jo dhe jo!”, shkruan Berisha.
Partia Mundësia zhvilloi një protestë para Kryeministrisë, aty ku zv.kryeministrja Balluku prej orësh po zhvillon takim me Ramën, ndërsa iu është bashkuar edhe Manja. Në një deklaratë pas protestës simbolike, kreu i Partisë Mundësia tha se Shqipëria ndodhet në një moment historik. Shehaj tha se Balluku e Rama menduan se do t’i shpëtojnë drejtësisë.
“Është e qartë që Shqipëria ndodhet në një moment historik, për herë të parë të korruptuarit janë mbyllur në zyrë në Kryeministri e po bëjnë plane për t'i shpëtuar drejtësisë. Kanë një hall të madh, pasi kapën Veliajn, Ahmetajn, tani kanë kapur Belinda Ballukun dhe me Belinda Ballukun ndryshon gjithçka, sepse Belinda Balluku është zv.kryeministrja në detyrë. Nuk e lëshojnë dot sepse pas Belinda Ballukut sigurisht do shkojnë tek Edi Rama. Tani është e qartë që nuk i shpëtojnë dot drejtësisë.
Ajo që ka ndodhur është e njëjta gjë që ka ndodhur në shumë vende të tjera të Europës së Lindjes. Janë me dhjetëra kryeministra që kanë dalë para drejtësisë janë dënuar dhe shumë shpejt tani po i vjen radha Edi Ramës.
Kjo është arsyeja pse Edi Rama është ngujuar sot në Kryeministri me një të pandehur me një zv. kryeministre e cila ka disa akuza disa dosje e për të cilën SPAK e Prokuroria ka kërkuar dhe bllokimin e pasaportës. Kemi të bëjmë me një rrethim janë të rrethuar nga drejtësia nuk kanë nga t'ia mbajnë. Nuk e prisnin. Mendonin se do e përdornin drejtësinë, mendonin se do i shpëtonin drejtësisë.
Mendonin se do e përdornin drejtësinë për të sulmuar kundërshtarët e tyre por ja që edhe në Shqipërinë e vuajtur, në Shqipërinë e vjedhur erdhi dita e drejtësisë. Ky është një moment jashtëzakonisht shumë i rëndësishëm, ky është një moment shprese për shqiptarët sepse falë drejtësisë këta do shkojnë në burg dhe erdhi momenti që shqiptarët të shikojnë nga e ardhmja.
Kanë mundësinë sot të shikojnë një dritë në fund të tunelit. Ka ardhur dita që të fillojmë të ndërtojmë diçka të re, të ndërtojmë një Shqipëri ku mund të jetojnë të gjithë, në mënyrë të ndershme, një Shqipëri ku qytetarët shqiptarë shtetin e kanë në krah nuk e kanë në kurriz”, tha Shehaj.
Kryetari i partisë Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, në një lidhje direkte në studion e ‘Sot, Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu në Report Tv, ka komentuar lëvizjen e radhës të drejtësisë lidhur me zv.kryeministren Belinda Balluku. GJKKO i ka ndaluar ushtrimin e funksioneve publike dhe daljen jashtë shteti për shkak të hetimeve për tunelin e Llogarasë dhe së fundmi dhe për ndërtimin e Unazës së Madhe, Loti 4.
Arlind Qori thotë se Balluku duhet të japë menjëherë dorëheqjen, ndërsa thotë se vendimi i GJKKO është një hap përpara i drejtësisë pasi kemi të bëjmë një eksponent të lartë të qeverisë.
“Për mendimin tim është masa minimale që mund të merrej dhe pse kemi të bëjmë me një risi se Balluku është zv.kryeministre dhe ministër. Si të tjerët përpara saj, ajo duhej të ndiqej në mungesë lirie. Me një vendim gjykate, Balluku duhet të heqi dorë nga detyrat e saj.
Balluku është një ndër politikanët më të pushtetshme dhe më të korruptuara. E rëndësishme është që Balluku të mos ndikojë në hetim, tek dëshmitarët. Jemi një hap përpara, por ky vendim i GJKKO duhet të ketë pasoja politike. Përgjegjësia nuk mbaron tek Balluku, por përgjegjësia politike shkon deri tek Edi Rama.
Nëse GJKKO të pezullon, ti nuk je më në detyrë. Balluku është kartë e djegur politikisht. Uroj të behet bashkëpunëtore e drejtësisë dhe të tregojë gjithçka. Të tregojë çfarë i lidh këto skandale korruptive me Edi Ramën. Balluku nuk ekziston më politikisht”, tha Qori.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku thotë se masa e GJKKO për pezullim nga detyra të Belinda Ballukut tregon krizën e madhe morale dhe politike që ka prekur qeverisjen prej vitesh. Ajo shkruan se pas marrjes së të pandehur të Ballukut nga SPAK nuk pati asnjë reflektim dhe ndjeshmëri se një nga portofolët më të rëndësishëm të shtetit është nën akuzë, por përkundrazi, u mor në mbrojtje.
Ky është rast unikal në botë që gjykata vendos të pezullojë nga detyra një zëvendëskryeministre dhe ministre, thotë Tabaku, ndërsa shton se ishte një zhvillim i pritshëm. Sipas saj, duke përmendur edhe hetimin e konfirmuar sot ndaj Ballukut ndaj tenderit të lotit 4 të Unazës së Madhe, përveç të atij të tunelit të Llogarasë ku është marrë e pandehur, “dosjet janë kapicë edhe për afera të tjera”.
Tabaku thotë se çështja nuk është vetëm për Ballukun, por ka të bëjë me një model qeverisjejej që ka prodhuar një sëri skandalesh dhe që ka prekur “bashkëpunëtorët më të afërt deri te zyrtarët më të lartë të kabinetit.”
Reagimi i Jorida Tabakut:
Ky është rasti unikal në botë ku gjykata pezullon nga detyra një Zëvendëskryeministre dhe Ministre të Infrastrukturës, dhe ky është një zhvillim i pritshëm duke parë akuzat dhe mbi të gjitha duke parë mënyrën si ka operuar qeveria socialiste në këto 12 vite.
Ky është vendimi i dytë për një zëvendëskryeministër, pasi një tjetër është në kërkim ndërkombëtar prej mbi 2 vitesh, e kryetari i bashkisë në burg. Kjo është një dëshmi e një krize të madhe morale dhe politike që ka prekur qeverisjen prej vitesh, ku qeveria njolloset me skandalet dhe kryeministri shmang përgjegjësinë e tij morale dhe politike.
Për asnjë moment ne nuk kemi parë asnjë reflektim dhe as ndjeshmëri ndaj faktit se një nga portofolët më të rëndësishëm të shtetit është vënë nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera; përkundrazi u mor në mbrojtje — jo për një, por për dy tendera tashmë — ndërkohë që dosjet janë kapicë edhe për afera të tjera, duke nisur me “tigrat” e duke vijuar me rrugën e Ersekës.
Kjo nuk është vetëm një çështje individuale. Është fjala për një model qeverisjeje që ka prodhuar një seri skandalesh, një pas një, për vite me radhë — nga bashkëpunëtorët më të afërt deri te zyrtarët më të lartë të kabinetit.
Kur një ministre e linjës më të rëndësishme të qeverisë dhe një zëvendëskryeministre merret e pandehur dhe pezullohet nga detyra, përgjegjësia nuk është personale: përgjegjësia është politike. Dhe kjo përgjegjësi fillon në zyrën e Kryeministrit.
Tashmë një shtet i kapur është fytyra e një Shqipërie që nuk mund të fshihet pas kapitujve të hapur për të shmangur përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të kryeministrit. Shqiptarët meritojnë një qeverisje që mbron interesin publik, jo tenderat me paracaktim; që jep shembull me integritet, jo me arrogancë politike; që është e përgjegjshme, jo e pashqetësuar.
Këtë model duhet ta rrëzojmë, këtë duhet ta thyejmë!

Ish-deputeti socialist, Petro Koçi ka bërë një reagim në rrjete sociale pasi GJKKO vendosi dy masa ndaj Belinda Ballukut, pezullim nga detyra në dy postet që mban si edhe ndalim daljeje jashtë vendit. Ndonëse nuk e përmend me emër, Koçi shkruan se çdo i korruptuar në qeverisje apo administratën e PS-së, është një tradhtar ndaj socialistëve, vendit, dhe që i shërben interesave të opozitës.
Reagimi i Petro Koçit:
1. Gjithëpushtetshmëria e deleguar, sidomos nga lart, edhe se shijon si magjike, e kthen edhe vetë engjëllin në djall. Imagjino çfarë ndodh kur djalli maskohet si engjëll qysh në krye të herës apo kur shpirti, përtej luksit në dukje, sundohet nga provincializmi. Arrihet deri aty sa pinjollë të familjeve që na kanë dërmuar dhe shqyer votat e PS në vitet fashiste të qeverisjes Berisha të zgjidhen si deputetë socialistë.
2. Dita kur mendon se ligji është pengesë për shpalosjen e suksesshme të personalitetit tënd është dita e verifikimit se korrupsioni të ka mbërthyer dhe të ka tjetërsuar. Nëse nuk ia ke nisur punës me hile qysh në fillim.
3. Çdo i korruptuar në qeverisje apo në administratën e sotme që përfaqëson PS në fakt është tradhtar ndaj socialistëve dhe vetë vendit tonë duke i shërbyer drejtpërdrejt interesave të opozitës.
Postimi i Petro Koçit
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj në një konferencë për shtyp nga Kuvendi i Shqipërisë, e ka cilësuar përballjen e zv.kryeministres Belinda Balluku me SPAK si një moment i rëndësishëm për vendin.
Shehaj thotë se se pas 35 vitesh, të gjithë qeveritarët e korruptuar dhe që i kanë shkaktuar dëme të mëdha shtetit shqiptar nga vjedhja dhe shpërdorimi i fondeve publike, po përballen me drejtësinë. Deputeti thotë se pasi GJKKO i ndaloi ushtrimin e funksioneve publike, Balluku duhet të japë menjëherë dorëheqjen nga postet e saj në qeveri. Të njëjtën gjë, Shehaj e ka kërkuar dhe për kryeministrin Rama duke e cilësuar si bashkëpunëtor të Ballukut.
“Shqipëria po përjeton momentin më të rëndësishëm të historisë së saj, që pas rrëzimit të regjimit komunist. Po shkërmoqet një autokraci e korruptuar që ka sunduar mbi Shqipërinë këto 35 vjet.
Të korruptuarit që kanë marrë peng këtë vend për 35 vjet po dalin para drejtësisë. Po dalin para drejtësisë ata që kanë vjedhur popullin më të varfër në Europë. Po dalin para drejtësisë ata që kanë larguar nga Shqipëria miliona shqiptarë në gjithë botën. Po dalin para drejtësisë ata që u kanë mohuar të drejtën e pronës shqiptarëve.
Tani që po flasim, zv.kryeministrja e pandehur dhe me dy masa sigurie, dhe e pezulluar nga gjykata, është në zyrën e kryeministrit. Po bëjnë plane se si ti shpëtojnë drejtësisë. Por, Nuk kanë nga t’ia mbajnë.
Të dashur qytetarë, ky është një proces i pandalshëm. Më në fund, edhe në Shqipëri, vendi i të korrputuarve është para drejtësisë. Edi Ramës dhe Belinda Ballukut i ka ardhur fundi. Tani ka ardhur momenti që Edi Rama të japë dorëheqjen! Edi Ramën e shpëton vetëm arratisja nga Shqipëria!
Nëse ky është një moment tmerri për pushtetarët e korruptuar, nga ana tjetër ky është një moment shprese për Shqipërinë. Shqiptarët nga sot mund të fillojnë të shikojnë dritën në fund të tunelit. Mund të fillojnë të shikojnë nga e ardhmja. Mund të fillojnë procesin e ndërtimit të një shoqërie perëndimore, demokratike, ku qytetarët kanë të drejta.
Ku pushtetarët varen nga votuesit dhe jo votuesit nga pushtetarët. Këtë duhet të bëjmë të gjithë bashkë. Ky është momenti që të shikojmë nga e ardhmja. Do të duhet kohë, do të duhet punë, do të duhet këmbëngulje dhe mbi të gjitha do të duhet besim.
Të dashur qytetarë, ky është momenti për tu shkëputur përfundimisht nga e kaluara. Për të luftuar së bashku për ti dhënë më në fund Shqipërisë një qeveri të pakorruptuar. Ky është qëllimi i Partisë Mundësia, dhe ftojmë çdo shqiptar që endërron një vend ku mund t’ia dalësh me punë të ndershme, të na bashkoheni”, tha Shehaj.

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së për të pezulluar nga detyra Belinda Ballukun si zëvendës kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai thotë se edhe kryeministri Edi Rama duhet të largohet dhe të ketë një qeveri tranzitore që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.
“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen! Shqipëria ka nevojë urgjente për një qeveri tranzitore që të garantojë brenda pak kohësh zgjedhje të lira , të ndershme dhe me standarde evropiane.Korrupsioni galopant, abuzimet e përditshme dhe kapja e institucioneve kanë çuar në rrënimin e shtetit. Goditjet e fundit nga drejtësia ndaj njerëzve më të fuqishëm të pushtetit nuk janë surprizë për askënd, janë provë e qartë e asaj që kemi thënë prej vitesh, qeveria është kalbëzuar në çdo qelizë.
Edi Rama është shndërruar në pengesën kryesore të Shqipërisë, në simbolin e një sistemi të korruptuar që prodhon padrejtësi, pabarazi dhe varfëri.Ai është sot e keqja e Shqipërisë. Koha për ndryshim ka ardhur dhe hapi i parë është dorëheqja e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore që i kthen vendit besimin dhe demokracinë!”, shkruan ai.
Postimi i Salianjit

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj reagoi ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që e pezulloi nga detyra si zv.kryeministre dhe Ministre e Infrastrukturës Belinda Ballukun, pas marrjes e pandehur për aferën e tunelit të Llogarasë.
Në një video mesazh në rrjetet sociale, Shehaj thekson se atë që nuk e bëri dot vetë Balluku, të largohej nga detyra pas komunikimit të akuzave nga SPAK, nuk e bëri dot as kryeministri Edi Rama për ta shkarkuar zëvëndësen e tij, e bëri Gjykata. Shehaj tha se tani është radha që përpara drejtësisë të dalë kryeministri i vendit Edi Rama.
Kujtojmë që të enjten e 20 nëntorit GJKKO mori vendimin për caktimin e dy masavve të sigurisë ndaj Belinda Ballukut, pezullimin nga detyra dhe funksionet si zv.kryeministre dhe ministre si dhe ndalimin për daljen jashtë Shqipërisë.
REAGIMI I PLOTE
Belinda Balluku sapo është shkarkuar nga detyra me vendim gjykate.
Atë që nuk bëri Belinda Balluku vetë duke dhënë dorëheqjen, atë që nuk bëri Edi Rama duke e shkarkuar, e bëri Gjykata, me një vendim.
Më vjen keq ta them por e vërteta është që këta nëse nuk i tërheq zvarrë nga karrigia, nga pushteti, nuk ikin.
Dhe fatkeqësisht duhet vendimi i gjykatës për t'i larguar.
Ky është një moment historik për Shqipërinë.
Shumë shpejt edhe Edi Rama ka për të dalë para drejtësisë siç kanë dalë të gjithë kryeministrat e korruptuar të rajonit.

Për Gazment Bardhin, vendimi i GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si zëvendës kryeministre dhe ministre si “çelje kapitulli”. Në një reagim në rrjete sociale, pasi Gjykata e Posaçme dha dy masa ndaj Ballukut, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së thotë se sot është një ditë e mirë për luftën ndaj korrupsionit, llogaridhënien dhe transparencën.
“Rënia e Belinda Ballukut është çelje kapitulli, jo përrallat e Ramës! Sot është një ditë e mirë për luftën ndaj korrupsionit, për llogaridhënien dhe transparencën. Të fituar janë qytetarët e dëmtuar në taksat e tyre të vjedhura, të fituar janë ata që luftuan e denoncuan. Tē humburit e medhenj janë Edi Rama e Belinda Balluku, dhe duartrokitësit e tyre në Kuvend, të cilët humbën rastin për të treguar se janë në nivelin e qytetarëve të vendit. Ata në asnjë moment nuk manifestuan përgjegjësi dhe moral. Madje tentuan me forcë të mbrojnë aferat e të mbanin me thonj postin për të penguar drejtësinë. Dhe sot u turpëruan. “, shkruan ai.
Duke e cilësuar si një hap të mirë, Bardhi shton se drejtësia ka ende rrugë për të bërë në luftën kundër abuzimeve qindra milionëshe në vend.
“Ky i sotmi është një hap i mire. Por drejtesia për abuzimet qindra milioneshe në vendin më të varfër të Europës, për krimet elektorale, për mbajtjen e pushtetit me dhunë, për lidhjet me krimin, ka ende rrugë përpara për të bërë. Ne do të qëndrojmë deri në fund, derisa shqiptarët të çlirohen nga këta uzurpatorë të korruptuar. Shkarkimi i menjëhershëm i Belinda Ballukut dhe dorëheqja e Edi Ramës, janë e vetmja rrugë për të çliruar Shqipërinë nga sistemi i korruptuar qeverisës që është ndërtuar në këto 12 vite.”, shton Bardhi.
Postimi i Bardhit
Komente












NGA PD DHE LSI,, VETEM NJE PERSON NE BURG KUR DUHET TE ISHIN 500 VETA NGA PD DHE 500 NGA LSI NE BURG ,,PER KORRUPSION DHE VRASJE,,,,TASHME BASHKE ME SALI DHE ILIR METE.....
PërgjigjuPO SE KUR E KISHTE PD NUK VIDHNIT JUVE...JU ISHIT ME NDYRESURA SE VIDHNIT DHE NUK BENIT ASNJE PUNE..AS SHKOLLA..AS KOPSHTE..AS SPITALE..DHE I MBUSHET QYTETET ME KIOSKA CECENESH....
Përgjigju