FIER- Një ditë pasi Bankers Petrolium njoftoi se puna në puset e naftës në Patos-Marinzë është bllokuar me urdhër të Doganave, rreth 150 punëtorë të kompanisë nënkontraktore “Global Energy” dolën në protestë. Ata thanë se nuk kanë marrë pagat e nëntorit për shkak se "Bankers" nuk ka shlyer detyrimet financiare ndaj kompanisë “Global Energy” me pronarë nga Kazakistani.
“Në puset e naftës prodhimi është ndalur. Nuk ka shitje. Pagat ne nuk i kemi marrë. Në kontratë e kemi që pagat duhet ti marrim më datë 12 të çdo muaji sot është data 16 dhe ne ende nuk i kemi marrë pagat e nëntorit. Kemi pyetur në kompaninë tonë por na thonë se nuk kanë fonde pasi Bankers nuk ka shlyer detyrimet”, thanë punëtorët, duke theksuar se “protestat do të vazhdojnë derisa të marrin pagat dhe të sigurohen se do të vazhdojë puna në fushën naftëmbajtëse”.
Historia e gjobës daton që në vitin 2019, kur Dogana e Fierit konstatoi se kompania kineze Bankers Petrolium nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin e naftës. Inspektorët gjobitën gjigandin e naftës me trefishin e vleres, duke e çuar shumën totale në 120 milionë euro. Gjoba u mbajt e pezulluar prej vitit 2019 me urdhër të ish-ministres së Financave Anila Denaj, që bazohej dhe në një kërkesë të ministres së Energjisë Belinda Balluku.
Tashmë gjoba është aktivizuar nga kreu i Doganave Gent Gazheli, i cili ka bllokuar aktivitetin e "Bankers" në fushën naftënxjerrëse, derisa t'i paguajë shtetit shumën prej 120 milionë eurosh. “Bankers Petroleum” paralajmëron se ky vendimi rrezikon të largojë nga puna 420 punonjës të saj dhe rreth 5.000 punonjës të kompanive nënkontraktore. Po ashtu, mund të dëmtohen 12 km tubacione, depozita naftëmbajtëse dhe mbi 1.000 puse nafte.
Ndërsa Dogana Shqiptare ende nuk ka reaguar zyrtarisht, kompania "Bankers" thekson në njoftim për mediat se ka depozituar kallëzim penal në SPAK kundër zyrtarëve të shtetit.
Po sipas tyre, vendimi për gjobën është tashmë i parashkruar, pasi kanë kaluar mbi 5 vite pa u ekzekutuar nga Doganat.
Komente









