Drejtoria e Policisë Rrugore, nga kontrollet e ushtruara me dronë përgjatë javës që lamë pas, ka ndëshkuar 589 drejtues automjetesh, në të gjithë vendin me gjoba që variojnë nga 3 000 deri në 10 000 lekë të rinj.
Sipas njoftimit të policisë, janë ndëshkuar për shpejtësi tej normave të lejuara me masë plotësuese pezullim të lejes së drejtimit 274 drejtues automjetesh, me shpejtësi deri në 120 km/h.
'Si rezultat i monitorimit me dronë edukues, janë evidentuar, 589 drejtues automjetesh, të cilët janë ndëshkuar me masa administrative që variojnë nga 3 000 deri në 10 000 lekë të rinj. Janë evidentuar dhe ndëshkuar për shpejtësi tej normave të lejuara me masë plotësuese pezullim të lejes së drejtimit 274 drejtues automjetesh, shpejtësi që varionin 40 deri në 120 km/h në orë mbi normën e lejuar', thuhet në njoftim.
Sipas policisë, 356 drejtues automjetesh që përdorin aparatin celular në akset rrugore nacionale dhe 371 drejtues mjetesh që nuk kishin vendosur rripin e sigurimit.
Janë vendosur 122 masa administrative për mosvendosje të kaskës mbrojtëse gjatë drejtimit të motomjeteve, 89 masa për xhama të errësuar dhe 145 masa për mosdhënie përparësi këmbësorëve.
Janë evidentuar 78 drejtues mjetesh me disa shkelje, shpejtësi mbi normën e lejuar, pa vendosur rripin e sigurimit dhe duke përdorur celularin gjatë drejtimit të automjetit.