Në mbledhjen e Këshillit të Mandatit po vijon shqyrtimi i kërkesës për arrestimin e Belinda Ballukut. Gjatë përgjigjeve që prokurorët e SPAK kanë dhënë për deputetin e PD, Gazment Bardhi, mësohet të kenë deklaruar se janë konstatuar fakte të tjera penale për Ballukun. “Gjendja e saj procedurale është rënduar, ka rrezik të prish prova dhe të kryejë krime të tjera”, mësohet të ketë deklaruar SPAK.
SPAK ka konfirmuar në mbledhje, se më datë 20 Nëntor 2025, Balluku ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë. Burime për gazetaren e Report Tv, Esiona Konomi bëjnë me dije se SPAK ka deklaruar në mbledhje se 'disa të fortë', kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të Ballukut. Sipas SPAK, kjo është e vërtetuar me transkripte të bisedave, të cilat ndodhen në 16 mijë faqet që prokuroria ka dorëzuar në Kuvend.
Sipas prokurorisë, Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik/përndjekje politike nga prokuroria.
“Hetimi nuk ka sfond politik. Ky fakt u konfirmua edhe nga avokatët e Ballukut, të cilët u shprehen se nuk kanë ndonjë pretendim të këtij lloji”, mësohet të kenë deklaruar prokurorët e SPAK.
Lajmi kryesor:
Këshilli i Imunitetit/ SPAK do arrestimin e Ballukut: Të ‘fortët’ kërcënuan dëshmitarët, rrezikon deri në 35 vite burg! PS kundër: Masat në fuqi, të mjaftueshme












