Në Tiranë vazhdojnë të qarkullojnë lirshëm në trotuare, mes makinave dhe shpesh në sens të kundërt. Por në Itali, autoritetet kanë zgjedhur një tjetër rrugë: jo ndalim total, por rregulla të forta, gjoba, kaskë të detyrueshme dhe identifikim për çdo monopatinë elektrike.

Nga 17 maji, kush kapet duke qarkulluar pa “targhino”, një lloj targe identifikuese për monopatinat, rrezikon gjobë deri në 400 euro. Ndërsa nga 16 korriku hyn në fuqi edhe siguracioni i detyrueshëm për këto mjete. Kjo masë është pjesë e reformës së re të Kodit Rrugor italian, që synon të nxjerrë monopatinat nga “zona gri” ligjore dhe t’i trajtojë si mjete të mirëfillta rrugore.

Sipas Corriere della Sera, vetëm në Romë qarkullojnë rreth 115 mijë monopatina private, ndërsa rreth 13 mijë të tjera janë pjesë e shërbimeve sharing. Megjithatë, shumë drejtues ende nuk kanë marrë kodin identifikues për shkak të vonesave nga Motorizzazione italiane përballë fluksit të madh të kërkesave.

Edhe pse rregullat janë ashpërsuar, skenat e kaosit në rrugë vazhdojnë. Media italiane përshkruan raste të përditshme me dy persona në një monopatinë, gjë që ndalohet dhe dënohet me gjobë deri në 250 euro, apo drejtues pa kaskë mbrojtëse, një tjetër shkelje që ndëshkohet po me 250 euro.

Fenomeni shihet sidomos në zonat turistike të Romës, ku shumë turistë marrin monopatina me qira pa pasur me vete kaskë nga hoteli. Pikërisht këtu, sipas autoriteteve italiane, nis problemi i vërtetë: kontrolli.

Deri tani policia duhej ta kapte dhe dokumentonte shkeljen në moment ose në flagrancë. Por me sistemin e ri të identifikimit, drejtuesit e monopatinave mund të gjobiten edhe nga distanca, përmes kamerave të sigurisë apo verifikimeve video. Kodi alfanumerik i vendosur në monopatinë i lejon policisë të identifikojë pronarin ose përdoruesin e mjetit edhe pa ndalim fizik në rrugë.

Në Itali përdorimi i kaskës është bërë i detyrueshëm që prej fundit të vitit 2024, por sipas mediave vendase, zbatimi i rregullave ka mbetur për muaj me radhë në një lloj “limboje” për shkak të vonesave në hyrjen e plotë në fuqi të reformës.

Një tjetër ngërç në Itali mbetet siguracioni i detyrueshëm për monopatinat. Problemi është se shumë qytetarë nuk e kuptojnë se çfarë police sigurimi duhet të blejnë. Sipas mediave italiane, shumë prej tyre po marrin siguracione të zakonshme familjare duke menduar se janë në rregull me ligjin e ri, por këto nuk vlejnë për monopatinat elektrike sipas rregullave të reja.

Pikërisht për këtë arsye, qeveria italiane shtyu me dy muaj hyrjen në fuqi të siguracionit të detyrueshëm, duke e kaluar afatin në 16 korrik. Autoritetet pranuan se sistemi teknik dhe vetë kompanitë e sigurimit nuk ishin ende gati për regjistrimin masiv të monopatinave.

Ndërkohë, Roma po përballet me një debat të fortë për sigurinë rrugore. Pavarësisht zonave me kufizim shpejtësie, kamerave dhe masave të reja, qyteti ka regjistruar dhjetëra viktima nga aksidentet rrugore vetëm këtë vit. Në këtë klimë, monopatinat po konsiderohen gjithnjë e më shumë si pjesë e problemit të trafikut urban dhe jo thjesht si një alternativë “praktike” transporti.

Në Shqipëri situata mbetet krejt tjetër. Në tetor të vitit të kaluar Ministria e Brendshme njoftoi ndalimin e përkohshëm të monopatinave elektrike dhe premtoi një rregullore të posaçme. Por në praktikë, qarkullimi vijon normalisht.

Në vëzhgimin e publikuar nga Report Tv në fillim të majit, ekspertët e sigurisë rrugore kërkonin pikërisht atë që Italia po tenton të bëjë sot: përfshirjen e monopatinave në Kodin Rrugor me rregulla të qarta për moshën, shpejtësinë, kaskën dhe mënyrën e përdorimit.

Eksperti i aksidenteve rrugore, Gëzim Hoxha, paralajmëronte se mungesa e rregullimit ligjor po krijon kaos në rrugë dhe rrezik për këmbësorët.