TIRANË - Teksa është në burg me akuzën e gjobvënies dhe pengmarrjes ndaj biznesmenit Ramazan Hima, ish-truproja i Sali Berishës, Fatos Skeja dhe bashkëpunëtori i tij Gojart Loci, kërkojnë lirinë në Gjykatën e Lartë. Skeja dhe Loci u arrestuan vitin e kaluar, ndërsa për ta Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg.
 
Ish-truproja i Berishës, Fatos Skeja bashkë me Gojart Locin, janë të arrestuar për gjobëvënien dhe pengmarrjen e biznesmenit shqiptaro-amerikan Ramazan Hima, të cilit i kërkonin shumën prej 100 mijë dollarësh.
 
Skeja dhe Loci i janë drejtuar gjykatës së lartë për rekurs dhe kërkesën për vlerësimin e masës së sigurisë të arrestit me burg, masë kjo e dhënë nga gjykata e krimeve të rënda dhe lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit pranë Krimeve të Rënda.

fatos skeja gjykata e larte
 
(Në foto: Kërkesa e Fatos Skejas në Gjykatën e Lartë)

E ndërsa vetë Skeja e ka mohuar gjithmonë akuzën e ngritur ndaj tij, prokuroria e krimeve ka kërkuar “arrest me burg” pasi nga hetimet ka rezultuar se një fije floku dhe disa gjurmë të gjetura në automjetin e përdorur në pengmarrje i përkasin Skejës dhe Locit.
 
Gjykata e Lartë ende nuk ka vendosur një datë për shqyrtimin e kërkesës, ndërsa burime për "A1 Report" bënë me dije se relator ccështjes do të jetë gjykatës Mond Islamaj.
 

gojart loci gjykata e larte
(Në foto: Kërkesa e Gojart Locit në Gjykatën e Lartë)

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)