Gjon Gazulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV

Gjon Gazulli, astronomi dhe diplomati shqiptar i shekullit XV

Gjon Gazulli (foto me ilustrim)

Informacioni i mbledhur nga Daniel Gazulli

Gjon Gàzulli ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës evropiane të shekullit XV. Veprimtaria e tij shtrihet në atë hark kohor që lidh dy prej epokave më në shenja të kohës: humanizmit dhe Rilindjes Evropiane. Duke marrë parasysh shtrirjen e veprimtarisë së tij: astronomì, matematikë, fizikë, filozofi, diplomacì, arte, ai ka qenë një enciklopedi e kohës së vet.

Pa dyshim, dy lëmet ku ai shkëlqeu më shumë janë astronomia dhe diplomacia. Që të mund të hidhet dritë mbi jetën dhe veprën e tij, është e domosdoshme të gjurmohen arkivat e kohës: të Padovës, të Budapestit, të Venecias e sidomos të Raguzës (Dubrovniku i sotëm – ku ai jetoi e punoi më gjatë). Janë veçanërisht me vlerë seritë e mëposhtme arkivore: Diversa Notare; Acta Consilii Rogatorum; Acta Consilii Minoris; Lettere et commissione Levantis; Testamenta Notarile etj. Por edhe arkivat private (nëse ruhen ende, e nuk i kanë rrënuar dallgët e mbrapshta të kohëve). Ndër to do të kujtoja: Arkivin e Fondeve Private Bassegli-Gozze.

Duke qenë se Gàzulli ushtroi veprimtarinë e tij si në Itali, në Raguzë, ashtu edhe në shumë vende të tjera evropiane, ku e çoi detyra e tij diplomatike e shkencore, të dhëna të vlefshme jep edhe literatura e kohës, mbi këtë enciklopedì shqiptare.

Rreth veprimtarisë së tij shkencore gjendemi në një vështirësi tash për tash të pakapërcyeshme: duhet të kënaqemi me sa na japin autorë të tjerë për të, veçanërisht Grmek, Boshkoviç, Juriç, Musantius, Appendini (sidomos ky), Johannsis de Monte Regio, Brotto – Zonta, etj., pse libri i tij, për të cilin Jan Pannoni, oborrtar i mbretit të Hungarisë,. Matia Korvini, i shkruan: “……ai libri i Juaj ku do mendime të kapërthyeshme të astrologëve të vjetër… i gjetëm të shtjelluara në dritë të diellit”, fatkeqësisht, nuk është gjetur ende e duhen kërkime të posaçme, ndoshta në Budapest.

ASTRONOMI

Gàzulli, sipas autorëve të ndryshëm, gjuhësh e kombësish të ndryshme, na sillet herë me emrin Gjon e herë Gjin (natyrisht edhe Joanis, Giovanni etj., por që është e njëjta gjë), ashtu edhe me mbiemër të pakristalizuar, si Gàzulli, Gazulis, Gaxuli, Gazzolo etj., por që është fjala gjithmonë për të njëjtën figurë historike e shkencore. Që të mos e endim tepër lexuesin në këto hulumtime, format Gjon e Gjin janë një ngatërrim i thjeshtë, pse Gjin quhej i ati.

Nëse Gjoni lindi në tokën amë, apo në Raguzë, ku ishin strehuar shumë familje shqiptare mbas trazirave tronditëse të pushtimeve turke, sidomos aty nga fundi i shekullit XIV e fillimi i shekullit XV, autorë të ndryshëm e ngatërrojnë keqas këtë temë, por një gjë është e sigurt: familja e tij i përkiste atij trungu fatlum të Gazullorëve që i lanë emër të pashlyeshëm vetes në historinë kombëtare, përgjatë gjashtë shekujsh.

Atë kohe, në Raguzë u ngulën shumë familje shqiptare, që lanë emër, si Gjon Durrsaku (Johannes de Durachio), i biri Domenik Durrsaku, piktor i përmendur, Marin Beçikemi, e sa të tjerë, ndër ta arkitektë të famshëm, që lanë vepra monumentale e, simbas Giuseppe Gelcich, “janë vepra të gjenisë e mjeshtërisë shqiptare”.

Po nga kishte ardhur familja Gàzulli në Raguzë?

Për këtë na ndihmojnë vepra autentike arkivore: Regjistri i Kadastrës dhe i shitblerjeve për krahinën e Shkodres i viteve 1416-1417, që ruhet në Arkivin e Shtetit në Venedik (Archivio di Stato di Venezia) (Shih edhe: Giuseppe Valentini “Acta Albaniae Veneta”, pjesa II, vëllimi VIII, ku zihen në gojë, si pronarë në Zadrimë, veç të tjerësh, edhe Bardh Gàzulli, Dedë Gàzulli, Klamada Gàzulli e Mankez Gàzulli).

Gjyshi i Gjonit quhej Pal, një emër që sot e kësaj dite, bashkë me atë Gjon, përsëriten prej brezi në brez në këtë familje, siç është zakon në Veri të Shqipërisë. Ndërkohë, axha i tij, Matia, që cilësohet shumë i pasur, ndeshet qoftë në Raguzë, ashtu edhe si prift në Barbullush.

Pra, edhe nëse familja Gàzulli, ose një pjesë e saj, lëvizi, apo jetoi edhe në Raguzë, për shkaqe historike që i përmendem, ajo rrënjët i ka pasur përherë në trojet tona Veriore.

Mbiemri Gazulli, apo Gazullorë, që gjendet në Veri qysh në krye të kohës (si në Sapë – pra Zadrimë - Kashnjet, por edhe në Fan e Kabash), duhet të ketë edhe një shpjegim të thjeshtë etimologjik: gazullor në atë kohë e më herët do të thonte gazmor i të sotmes. Bie fjala, te Zef Serembe ndeshim: Kangjelë gazullore, që në shqipen e sotme do të ishte “Këngë gazmore”. Është gjasa, pra, të mendohet se ndonjë i parë i fisit të ketë qenë njeri i gëzueshëm, i hareshëm, hokatar – si i thonë popullorçe - e të jetë thirrë pikërisht për këtë, bie fjala, Pal Gazullori, që sot do të ishte sot Pal Gazmori. Por ndërsa mbiemri cilësor “gazullor” ndër shekuj është shndërruar në “gazmor”, mbiemri i familjes, siç është e natyrshme, ka mbetur i ngurtësuar, Gàzulli.

Kaq sa për të thënë se toponamistika nuk mund të na ndihmojë shumë për prejardhjen e kësaj familje, për shkak të dyndjeve të shpeshta, si rrjedhojë e mizorive të kohës. Gjithsesi, si Gjoni, ashtu edhe Gazullorë të tjerë në shekuj, mbesin pinjoj të shquar të një trungu të padyshimtë shqiptar e më ngushtë të Shqipërisë Veriperëndimore.

Duhet shënuar se dokumentet më të besueshëm mbi prejardhjen e Gàzullit duhet të mbahen një Testament Noterial i Mati Gàzullit (Arkivi Historik i Dubrovnikut) i datës 24 shtator 1426, ku caktohet si trashëgimtar (pse vetë Matia ishte prift) nipi i tij Gjoni, i biri i Gjinit, nipi i Palit. Po ashtu, nga një prokurë noteriale e datës 02.06.1428 Gjon Gàzulli, “figlio di Gini” (i biri i Gjinit) deklaron se gjatë studimeve në Padova ka lënë një arkë me libra dhe sende të veta, e se cakton si të plotfuqishëm të tij Anton Vuçetën nga Raguza për tërheqjen e arkës.

Nga këto dy akte gjejmë të dhëna që dëshmojnë se Pali (gjyshi i Gjonit) ishte nga Zadrima (de Sapa), ashtu si ishin prej asaj ane edhe shumë të tjerë që përmenden në këto dokumente të ardhur prej Deje (Vau i Dejes), Pultit, Ulqinit e Tivarit, të gjitha treva shqiptare.

Këto dokumente kaq të vlefshëm kanë një mangësi keqardhëse: asnjëri nuk bën fjalë për datëlindjen e Gjonit apo për kohën kur filloi shkollimin.

Pse kjo mangësi, kur dihet sa e zhvilluar ishte Raguza aso kohe e se ruhen sot e kësaj dite të gjithë regjistrat i lindjeve?

Përgjigjen mund ta gjejmë te një dokument tjetër, protokollin e dhënies së gradës doktor shkence në Universitetin e Padovës, 31 janar 1430 (shih Brotto-Zonta, Acta graduum Academicorum Gymnasii Patavini”, ai quhet: “Ioannis q. Gini Gaxuli de Albania” (Gjoni, i të ndjerit Gjin, nga Shqipëria), çka dëshmon jo vetëm përkatësinë e tij etnike, por edhe faktin që (bashkë me mungesën në regjistrat e lindjeve në Raguzë) Gàzulli kishte lindë në Shqipëri e në Raguzë ishte i ardhur, ndoshta te axha i tij, prift e i pasur, Mati Gàzulli.

Pra, mungesa e regjistrimit të lindjes së tij në regjistrat e lindjeve në Raguzë dhe cilësimi “DE ALBANIA” e bëjnë të padyshimtë vendlindjen e tij në tokën amë. (Kujtojmë edhe se qytetarët e Raguzës në dokumente të viseve të tjera cilësoheshin “DE RAGUSA” duke qenë kjo, ashtu si Venediku, Republikë më vete).

Atëherë, ku duhet ta vendosim datëlindjen e Gàzullit? Sigurisht aty nga fillimi i shekullit XV, derisa më 1428 ai kishte kryer studimet në Universitetin e Padovës.

Ndriçimi i veprimtarisë së Gàzullit si shkencëtar, fatkeqësisht, mund të bëhet vetëm nëpërmjet referimeve të tërthorta, pse nuk kemi arrijtë me gjetë asnjë vepër të tij.

Atëherë le t’u referohemi atyre.

Historiani i madh Francesco Maria Appendini, në veprën e tij “Notizie istorico-critiche sulla antichità, storia e letteratura de Ragusa”, II, Raguzë 1803, shkruan për një letër të J. Çesmiçkit, ku thuhet: “Libri, për të cilin flitet në këtë letër, duket të ketë qenë botuar dhe ndoshta nuk është vepra e vetme e shkruar nga Gjon Gàzulli. Ky hamendësim fiton një gjasë më të madhe pse në tabelën kronologjike të Musantio-s, Gàzullin e ndeshim ndër matematikanët më të mëdhenj të shekullit XV”. (Shih edhe: Giovanni Domenico Musantio, “Tabulae chronologichae”, 1740).

Atë e përmendë edhe një bashkëkohës i tij i shekullit XV, astronomi Johan Myler nga Kënigsbergu. Po ashtu, astronomi Georg Peurbach në veprën e tij «Theoricae novae planetarum» sjell edhe një vizatim të Gàzullit. Ndërkaq, historiani rus i shkencave ekzakte, V. Zubob  thotë se veprën e tij të madhe mbi astronominë Gàzulli e botoi më 1438.

Pra, gjithsesi, këto janë një pjesë e vogël e dëshmive të tërthorta që flasin për Gàzullin astronom me famë evropiane.

Si arriti ai deri këtu?

Sipas të gjithë gjasave, Gàzulli studioi në Raguzë, e mandej, në vitin 1422, shkon në Padova, ku kryen studimet universitare më 1428, kurse më 31 janar 1430 mbron doktoratën në një atmosferë me ngjyra të theksuara atdhetare, pse aty morën pjesë shumë abreshë të Italisë, ashtu edhe shqiptarë të tjerë të ardhur kryesisht nga Raguza (përmendin pjesëmarrjen e tyre në këtë datë të shënuar Gjergj Gaspri, Andrea Durrsaku etj.).

Mbas doktoratës Gàzulli niset «me mision» në Itali e Francë (do të ishin misione të natyrës diplomatike, pse mbi Ballkan po bënte gj ë mën gjysmëhëna) e mandej kalon disa vite në Raguzë, deri më 1439, kur mori Katedrën e Matematikës po në Padova.

Në Raguzë ai thellon kërkimet e tij në lamë të astronomisë. Sot e kësaj dite në Bibliotekën e Raguzës (Dubrovnikut) ruhen disa shënime kritike mbi veprën më të shquar të asaj kohe Theorica novae planetaruum të astronomit vjenez G. Purbah. Pa dyshim që përmasat e Gàzullit astronom, sadoqë përsëri tërthoras, dalin në lidhjet e vlerësimin e tij në oborrin e mbretit hungarez Matia Korvini.

Shumë studiues, sidomos kroatë, marrëdhëniet aq të mira në mes Raguzës dhe mbretërisë më të fuqishme e më të lulëzuar të kohës, Hungarisë, i shohin të kushtëzuara edhe nga personaliteti i Gàzullit e te fama e tij në atë kohë.

Siç thamë, një pjesë të mirë të jetës ai e kaloi në Raguzë, qoftë në mes viteve 1433-1439 (para se të shkonte rishtas në Padova), ashtu edhe në vitet e moshës së shtyer. Këtu ai u emërua nga Këshilli i të Urtëve (kujtojmë se Raguza ishte Republikë e pavarur) Rektor i Shkollave të Raguzës. Këtu edhe u bë astronom në zë në mbarë Evropën, sa mbreti i Hungarisë, nëpërmjet një letre dërguar Këshillit të të Urtëve të Republikës, i lutet atij Këshilli që Gàzulli të shkonte në oborrin e tij e të udhëhiqte studimet astronomike.

Në një letër të dytë datë 26.06.1459 Këshilli i Republikës njoftonte rishtas lartmadhërinë e tij Korvini se po përpiqeshin me i mbushë mendjen Gàzullit të shkonte atje, po ky gjente si shkak kundërshtimi moshën e tij. Teoria e tij e “yjësive qiellore” tashmë ishte bërë mbizotëruese në botën shkencore që do të printe Kopernikun.

Ja një fragment nga letra e Çesmiçkit, edhe ky shkencëtar i shquar kroat e ishnxënës i Gazullit, tashti në oborrin e Matia Korvinit, drejtuar pikërisht Gjonit tonë:

“Ju jo vetëm keni plotësuar shpresën tonë, por keni bërë edhe më shumë. Libri, të cilin na keni dhuruar, na pëlqen pa masë. Ai është aq i mbushur me dijeni e risi, sa që leximi i tij na ka sjellë kënaqësi sikur edhe studimi me interes të jashtëzakonshëm. Pranojmë se aty kemi gjetë sqarime për disa thënie të ngatërruara të astronomëve të lashtë, që prej moti kemi arrijtë t’i kuptonim. Për këtë arsye Ju porosisim me gjithë shpirt që të mos përtoni të vazhdoni me shkrue e t’i jepni fund veprës së filluar, e cila do të ketë rëndësi të madhe për shkencëtarët dhe për famën Tuaj ………….. Angazhohuni të punoni për llogari tonë e me shpenzimet tona sferat armilare të Ptolomeut, për arsye se këtu, në Mbretnin e Hungarisë, nuk kemi një mjeshtër, i cili të dijë t’i punojë ato … “

Mbas vdekjes së Gàzullit, më 1465, këtë vend, pra të astronomit në Oborrin Mbretnor të Hungarisë, e zuri Johan Myler, më i famshmi i astronomëve të kohës, që në veprën e tij më të rëndësishme botuar pikërisht aty (Budapest) përmend shpesh Gàzullin, edhe duke iu kundërvënë atij mbi disa trajtesa mbi yllësit qiellore, çka dëshmon se Myler në Hungari u përball jo vetëm me famën e Gàzullit, por padyshim edhe me librin e tij, që na sot nuk e kemi në dorë. Është pikërisht kjo kundërshti – më një anë fama e tij, më anë tjetër mungesa e librave të tij – që na kthen gjithçka në një enigmë që sot nuk jemi në gjendje ta zgjidhim.

Kjo nuk ulë aspak vlerat e tij mbarë evropiane, siç e dëshmon një bibliografi e pafund që gjendet anë e kënd Evropës: në Krakovë (Poloni), në Karlsrue (Gjermani), në Bibliotekën e Vatikanit ku Johan Fisher na sjell tabelat astronomike të Gàzullit, e referimet e shumë e shumë astronomëve të famshëm edhe në shekujt vijues (Jo që teoria mbizotëruese e ndarjes së yllësve të qiellit për më se një shekull mbas vdekjes së tij mbeti ajo e quajtur e Campanum dhe Gàzulli, kurse emri i tij vazhdoi të përmendet në shumë studime të shekujve XVI-XVII.

Vetëm në shekullin XVII kur astronomia gjet mjete të reja studimi e ishte shtyrë shumë përpara drejt asaj që njohim sot, Gàzulli fillon e përmendet më rrallë, edhe pse autorë të shquar si Musanti ende i referohen atij si fillesë e një këndvështrimi të ri astronomik (dmth shkëputja nga astrologjia e mesjetës së hershme).

Vërtetë Eskilit i humbën tragjeditë, por jo të gjitha (Ka që thonë se më mirë që i humbën, se tragjedi kjo Botë po ka mjaft edhe pa Eskilin). Kurse humbja (shpresojmë mosgjetja deri më sot) e veprës së Gàzullit për historiografinë e shkencave shqiptare është vërtetë një humbje e madhe.

Në Arkivin e Raguzës ruhen 11 faqe dorëshkrim i Gjon Gàzullit, por ato nuk janë një vepër e mirëfilltë, por thjeshtë udhëzues për përdorimin e astrolabit. Edhe pse vetëm një udhëzues, autori shfaq aty një kthjelltësi të tillë, që ka bërë t’u kthehen studimit të atyre faqeve të pakta shumë e shumë studiues të ditëve tona.

Meqë jemi ende tek shkenca, simbas dokumenteve arkivore të kohës, del se Gjon Gàzulli kishte një prej bibliotekave më të pasura për kohën jo vetëm në Raguzë, por edhe më gjerë.

DIPLOMATI

Aftësitë e rralla të Gjon Gàzullit janë shpalosë, jo vetëm në lamë të shkencave të sakta, por edhe si një prej diplomatëve më të shquar të kohës.

Siç dihet, popujt ballkanikë po përpiqeshin t’i bënin ballë pushtimit osman. Ishin kohë të vështira, jo vetëm për Gadishullin, por rrezikoheshin edhe pjesë të tjera të Evropës, e këta, më shumë se me mbështetë luftën e popujve ballkanikë, për interesa të veta, u bënë aktivë në mbështetjen e këtyre përpjekjeve. Qendrat kryesore të një diplomacie aktive ishin aso kohe Roma e Budapesti.

Mision i parë diplomatik i dokumentuar i Gàzullit është udhëtimi i tij për në Romë, që të takonte mbretin e Hungarisë Sigmundin (paraardhësin e Korvinit), me rastin e kurorëzimit të tij mbret prej Papës. Ky mision, simbas vetë dokumenteve raguziane, i ishte besuar më të shquarit të asaj Republike e me autoritet edhe ndër hungarezë.

Misioni i tij i dytë është ai i vitit 1435 në Italinë e Jugut e, fill mbas pak në Slloveni.

Në ato vite bashkëpunimi në mes princave shqiptarë e Sigmundit të Hungarisë ishin dendësuar shumë. Ka qenë pikërisht Gàzulli ai që lehtësoi rikthimin e shumë shqiptarëve në Atdhe, me qëllim forcimin e rezistencës antiosmane, e kjo veprimtari vazhdoi me udhëtime të shpeshta në Romë, Firence, Sienë, Lubjanë etj.

Duke qenë i përpirë në këto veprimtari të dendura diplomatike, Republika e Raguzës e liron atë nga detyra e Rektorit dhe emëron në vend të tij Pal Gàzullin, të vëllanë, që cilësohet ndër dokumente “magister, prudens et literatus vir”, çka do të thotë se kishte kryer edhe ai studime universitare, si dhe identifikohet si vëlla i “magister Johannis Gaxuli”. (Kujtojmë se, si Pali, ashtu edhe vëlla tjetër Andrea, do të përmenden më vonë si bashkëpunëtorë të afërt të Kastriotit).

Po afrohej “Stina e madhe e Kastriotit” e vëllezërit Gàzulli, Pali, Andrea, Dhimitri, e mbi të gjithë Gjoni, do të kishin një vend të rëndësishëm në atë “stinë”.

Nga viti 1443 Raguza shërbeu si qendër informacioni për Evropën e krishterë, mbi sa po ndodhte në Shqipëri, ku kishin filluar në masë kryengritjet antiosmane, me në krye Gjergj Kastriotin. Gàzulli, si diplomat i sprovuar, u angazhua pothuaj tërësisht në çështjen shqiptare. Në vitet e para ai bëri sa askush tjetër për tërheqjen e vëmendjes për çka po ndodhte në Shqipëri, duke shfrytëzuar udhëtimet e tij të shumta diplomatike për llogari të Raguzës.

I gjendur nën trysninë e rrethimeve të njëpasnjëshme turke, Kastrioti u kërkoi ndihmë si Raguzës, ashtu edhe Venedikut, Romës, Napolit e Hungarisë. Me përjashtim të kësaj të fundit, të parët u mjaftuan me ndihma financiare apo edhe me ndonjë armatim, por jo me një bashkëpunim konkret, pse nuk donin të hynin në luftë të drejtpërdrejtë me Turqinë.

Në gjithë këtë veprimtari diplomatike, dy ishin “ambasadorët” shëtitës më të rëndësishëm të Kastriotit, vëllezërit Gjon e Pal Gàzulli, ky i fundit sidomos me përfaqësimin e Kryezotit të Shqipërisë pranë Papatit, por edhe si “këshilltar” i Gjergjit tonë, aq sa qé quajt “mendja e Kastriotit”.

Por Gjoni, si do ta tregonte fundi jo i largët e jetës së tij, pak e nga pak u tërhoq nga diplomacia për arsye shëndetësore e moshe, por shumë historian janë të mendjes se u tërhoq edhe nga dëshira e zjarrtë t’i çonte deri në fund studimet e tij shkencore. Ishte pikërisht në këtë periudhë kur doli më në dukje roli i Pal Gàzullit si diplomat.

Duhet thënë se aty nga fillimi i viteve 50 e deri sa u shua, Pal Gàzulli ishte ai që mbajti lidhjet e Shqipërisë me Hungarinë, Raguzën e me mbarë Gadishullin Apenin. Për këtë ka dokumente të pafund, por nuk është rasti me i sjellë këtu. Po kujtojmë vetëm një frazë të Barletit “.. e ishte ky Pal Gàzulli mendja e Gjergjit tonë e që ia mbushte zemrën me guxim me vazhdue luftën kundër të pafeve ..”.

Autorja është mbesë e familjes së Gazullorëve

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi