Gjonaj bën për 'ujë të ftohtë' drejtorët e Kukësit: Jeni të ngadaltë! Keni 3 muaj afat ose shkarkoheni!

Gjonaj bën për 'ujë të ftohtë' drejtorët e Kukësit: Jeni të ngadaltë! Keni 3 muaj afat ose shkarkoheni!

Gjatë një takimi në Kukës, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka paralajmëruar furtunë shkarkimesh në administratë. Gjonaj u la afat drejtorëve deri më 30 Tetor për të arritur treguesit për shërbimet ndaj qytetarëve, në të kundërt do të shkarkohen. "Keni 3 muaj kohë të arrini treguesit e shërbimeve për qytetarët, ndryshe do largohet çdo drejtues. S’mund të imagjinohet kjo sjellje e administratës në vitin 2019” tha ministrja Gjonaj.

Me një gjuhë mjaft kritike, ministrja ka treguar disa nga shqetësimet që i vijnë nga banorët e zonës, ku nisur edhe nga to, u shpreh se “brenda datës 30 korrik ju do të keni treguesit e punës për planin që duhet të realizoni për shërbimet ndaj qytetarëve. Nëse deri më 30 tetor kur të bëjmë analizën e radhës, ky plan nuk është përmbushur plotësisht dhe treguesit nuk janë arritur, përgjegjësia bie mbi drejtuesit e të gjitha institucioneve të varësisë, të cilët do të largohen nga detyra”.

Ndër të tjera, Gjonaj theksoi “Shikoj një ngadalësi veprimesh sidomos në shërbimet përmbarimore që duhet të ofrohen nga zyrat e përmbarimit shtetëror. E di që ka edhe arritje pozitive apo përmirësime të ndjeshme, por nëse në sektorë të tjerë po ecim mirë, ne s’mundet kurrsesi që të vazhdojmë të qëndrojë në këtë nivel në shërbimin përmbarimor me impaktin që përcjell te qytetarët. E kuptoj vështirësinë e titujve që vijnë në zyrat e përmbarimit shtetëror të cilat kanë vështirësi në zgjidhje, por suksesi i performancës suaj varet në ekzekutimin e të gjitha rasteve.

Duhet që t’i dalim në ballë të gjithë së bashku  pasi s’mund të imagjinohet më sjellja e një administrate që ka fytyrën e vitit 2019, por në fakt vepron si të jetë e shumë viteve më parë pa u shqetësuar fare ç’ndodh nesër me qytetarët që presin zgjidhjen nga institucionet shtetërore. Problemi i parë i mosfunksionimit të zyrës nis nga ju si drejtues. Merrni masa me urgjencë që e gjithë zyra të jetë në shërbim të qytetarëve duke ndryshuar mentalitetin në cdo zyrë të çdo skaji të Shqipërisë.

Prioriteti i luftës kundër korrupsionit është një prioritet i cili do të intensifikohet në masa parandaluese dhe ndëshkuese. Këtë e deklaroj jo vetëm në cilësinë e Institucionit epror por edhe si koordinatore kombëtare antikorrupsion. Asnjë sjellje e administratës nuk duhet të lërë shteg për perceptimin e qytetarëve që sorrollaten për korrupsion” apeloi Gjonaj.

Takim me drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste
Gjithashtu, ministrja e Drejtësisë ka zgjedhur që të ketë një takim edhe me drejtuesit e lartë të Partisë Socialiste në qark. Gjonaj u ka bërë thirrje drejtuesve socialistë në qark që të tregojnë kujdes ndaj qytetarëve për të mos zhgënjyer besimin e tyre. “Në kuadër të vizitave që ministrat bëjnë në qarqe, më vjen mirë që gjendem sërish në Kukës. Është për t’u lavdëruar fakti që ky qark ka pasur një pjesëmarrje të lartë në zgjedhjet e 30 qershorit. Pavarësisht retorikave politike dhe të shkuarës si një bashki e djathtë, kjo e bën një rezultat akoma edhe më të mirë.

Edhe pse me probleme ekonomike prej dekadash, qytetarët e tre bashkive të qarkut përsëri i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e tyre. Këtë besim me votë, duhet t’ua shpërblejmë duke punuar pa ndasi për të gjithë. Unë besoj se të gjitha çështjet, sidomos ato të karakterit ekonomik ,do të kenë një zgjidhje afatgjatë me politikat që kryetarët e bashkive do të ndërmarrin, duke vendosur theksin te profesionalizmi i shërbimit që do tu ofrohet qytetarëve,  turizmi dhe rritja e vendeve të reja të punës”, nënvizoi ajo.

Përsa i përket zbatimit të reformës në dretësi ajo theksoi se “Si ministre Drejtësie, në fushën e përgjegjësisë që mbuloj, ju tashmë i shihni në nivel kombëtar rezultatet që ne po arrijmë pas çdo dite duke transformuar një sistem të tërë. Gjithçka fillon nga ajo pasi është shtylla kryesore e një demokracie të shëndetshme, ndaj ne jemi të vendosur për t’i dhënë shqiptarëve shtetin e së drejtës që meritojnë”, u shpreh Gjonaj.

Teksa pasqyroi punën e bërë në luftën kundër korrupsionit, në cilësinë e koordinatores kombëtare të këtij aksioni gjithëpërfshirës ajo njoftoi edhe jetëzimin e planit të integritetit për punonjësit e administratës publike. “Çështjet nga të cilat qytetarët preken dhe impaktohen në mënyrë të vazhdueshme, janë ato të korrupsionit. Si koordinatore kombëtare e luftës antikorrupsion, kemi marrë një sërë masash që s’janë aspak të lehta. Ajo është shtrirë në dy plane: Në atë parandalues dhe masave represive-ndëshkuese. Të gjithë treguesit që kemi arritur deri tani dhe të prezantuara dhe për publikun janë reale pasi vijnë nga identifikimi i problematikave për shpërdorime detyre apo çështje korruptive.

 Zyrtarë të lartë, drejtues dhe punonjës të thjeshtë, janë shkarkuar apo janë referuar në Prokurori. Puna e task-forcës vazhdon me profesionalizëm në mënyrë periodike, të rregullt dhe me seriozitet për të arritur qëllimet e vendosura. Besoj se përveç pjesës së pushtetit qendror dhe agjencive të saj, qasja e re do të jetë edhe në kontrollin e shërbimeve që ofrohen nga pushteti vendor. Koordinatori kombëtar për antikorrupsionin mbulon luftën kundër korrupsionit në nivel kombëtar duke përfshirë edhe masat që duhet të marrë pushteti vendor apo institucionet e pavarura. Një projekt në proces është është miratimi i planit të integritetit për punonjësit e administratës publike i cili do të nisë zbatimin nga Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e saj të varësisë
”, përfundon Gjonaj.

Vizitë në burgun e Kukësit
Nga ana tjetër, ministrja Gjonaj bëri një vizitë “blitz” edhe në burgun e Kukësit.  Ajo zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me drejtuesit e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale Kukës-Tropojë dhe drejtuesin e përgjithshëm të burgjeve Agim Ismaili. Teksa bëri një rezyme të punës së tyre, Gjonaj përmendi çështjet e sigurisë, zbatimin e masave për regjimin e posaçëm 41-bis” si dhe luftën kundër korrupsionit në IEVP-të përkatëse. Mësohet se ministrja ka kërkuar një analizë për çdo sektor duke paralajmëruar largime të drejtorëve të burgjeve në rast se nuk janë përmbushur standardet e duhura, njofton ministria e Drejtësisë.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale