Gjonaj: Lufta kundër korrupsionit, ndër përparësitë kryesore të qeverisë së Shqipërisë! Po punojmë për organizimin e ri të sistemit të drejtësisë

Gjonaj: Lufta kundër korrupsionit, ndër përparësitë kryesore të qeverisë së Shqipërisë! Po punojmë për organizimin e ri të sistemit të drejtësisë

Ministrja Etilda Gjonaj

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara po zhvillon prej tre ditësh një sesion të posaçëm mbi problemin e korrupsionin dhe mënyrat për parndalimin dhe luftimin e tij. Nga Shqipëria në diskutim mori pjesë Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, Gjonaj shprehet se reforma në drejtësi ka dhënë tashmë rezultatet e para. Ajo pohon se procesi i vetingut ka krijuar mungesa në magjistratë, por e cilëson si një kosto të nevojshme për të pastruar sistemin nga gjykatës e prokurorë të korruptuar apo të lidhur me krimin. 

Intervista: 

Zonja Gjonaj, Ju morët pjesë në sesionin e posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për korrupsionin, luftën kundër tij dhe problemet që sjell ky fenomen. Çfarë konkretisht mësuat nga ky sesion dhe çfarë mund të ofrojë Shqipëria në këtë diskutim?

Etilda Gjonaj: Është hera e parë që Asambleja e Përgjithshme organizon një sesion të posaçëm për luftëm kundër korrupsionit, masat që duhet të marrin shtetet për të arritur rezultate të mira në këtë luftë. Pa dyshim që korrupsioni nuk është parë dhe nuk shihet vetëm si brenda kufijve të një vendi por tashmë është një fenomen i cili është përtej kufijve nacionalë dhe kjo është arsyeja përse Kombet e Bashkuara e kanë konsideruar si një aspekt shumë të rëndësishëm, i cili ka qenë pjesë e kësaj axhende duke patur mundësinë jo vetëm që të marrin vullnetin dhe angazhimin e të gjitha shteteve, por nga ana tjetër edhe për të hartuar një dokument të përbashkët politikash se si lufta kundër korrupsionit jo vetëm do të jetë në prioritetet kryesore, por njëkohësisht edhe në masat që do të marrin kryesisht në bashkëpunimin midis shteteve duke përfshirë masat parandaluese për luftën kundër korrupsionit, si edhe rekomandimet që jepen nga organizatat ndërkombëtare dhe zbatimin e tyre nga shtetet anëtare dhe duke e kthyer në axhendë të Kombeve të Bashkuara. Unë në deklaratën time politike shpreha vullnetin e qeverisë shqiptare jo vetëm për faktin që e ka në prioritetet kryesore luftën kundër korrupsionit, por njëkohësisht edhe angazhimin që ne do të ndërmarrim për të krijuar të gjitha mundësitë, jo vetëm për të parandaluar korrupsionin, por edhe për ta luftuar atë sidomos në rastet kur lidhet edhe me parandalimin e pastrimit të parave, dhe njëkohësisht sekuestrimi i parave apo aseteve që vijnë nga veprimtari të paligjshme ka qenë në fokus edhe të kësaj mbledhjeje të posaçme nga Kombet e Bashkuara, duke e parë që korrupsioni është i lidhur shumë ngushtësisht edhe me veprimtarinë e krimit të organizuar.

Zonja Gjonaj, bazuar në fjalën që mbajtët ju në OKB, ju flisni me një lloj optimizmi për masat që ka marrë qeveria shqiptare. Megjithatë, në anketa të njëpasnjëshme me investitorë, sidomos me investitorë të huaj, pengesa kryesore që ata vënë në dukje ndaj futjes së kapitalit është korrupsioni. Si shpjegohet kjo mospërputhje mes këtij optimizmi, masave që ju thoni se ka marrë qeveria dhe mungesës së rezultatit që shohin investitorët?

Etilda Gjonaj: Ne jemi të vetëdijshëm që korrupsioni vazhdon të jetë një fenomen, jo vetëm në vendin tonë, por një fenomen që ekziston në të gjitha vendet e botës. Dhe kjo u pa edhe nga deklaratat që shtetet anëtare që ishin prezente mbajtën në mbledhjen e posaçme të OKB-së pikërisht për këtë çështje. Dhe nuk është se jemi ne optimistë, apo në deklaratën politike që unë mbajta në këtë mbledhje kishim nota optimizmi, por ne deklaruam atë që Shqipëria ka arritur deri tani, çfarë masash ka marrë. Pa dyshim të gjithë jemi në një mendje, që lufta kundër korrupsionit fillon nga një sistem drejtësie i pavarur, i paanshëm dhe i pakorruptuar. Duke mbajtur në konsideratë që ne kemi ndërmarrë reformën në drejtësi që tashmë ka arritur rezultatet e para, ku patjetër rezultate që lidhen edhe me luftën kundër korrupsionit do të vijojnë, kjo tregohet edhe me mënyrën se si Shqipëria është qasur për të luftuar korrupsionin: e kemi filluar nga reformae drejtësisë për të ngritur institucione, të cilat do të luftojnë korrupsionin edhe në nivele të larta edhe funksionarësh politikë dhe, pa dyshim, duke ofruar të gjitha mundësitë për të ulur korrupsionin e vogël nëpërmjet ofrimit të shërbimeve online, por edhe nëpërmjet një sërë mekanizmash të cilat tashmë janë gjithëpërfshirëse në parandalimin e korrupsionit. Raportet e organizatave ndërkombëtare kanë të gjithë të drejtën për të nxjerrë problematika që lidhen me fenomenin e korrupsionit, por pa dyshim ne kemi të drejtën për të dhënë jo vetëm çfarë kemi arritur si rezultate, por edhe angazhimin tonë për ta vijuar betejën për luftën kundër korrupsionit.

Zonja Ministre, të ndalemi tek procesi i vetingut. Reformat në drejtësi janë parë si të domosdoshme për problemet që shiheshin në sistem. Megjithatë kanë dalë disa probleme. Drejtuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshilltar të Lartë të Prokurorisë kanë dëshmuar se janë krijuar mungesa në Magjistratë dhe kjo po ndikon tek funksionimi i gjykatave dhe prokurorive. Sa e shqetësuar jeni për këtë problem?

Etilda Gjonaj: Ne e kemi ditur dhe vazhdojmë ndërkohë ta trajtojmë me shumë vëmendje mungesën e magjistratëve – gjyqtarë dhe prokurorë – nga sistemi i drejtësisë për shkak të largimeve nga procesi i vetingut. Por, një ndër arsyet pse kjo reformë filloi ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë. Është më mirë të kemi një sistem drejtësie që të ketë vakanca me gjyqtarë dhe prokurorë, se sa të kemi një sistem drejtësie që përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë të padenjë, të korruptuar, të lidhur me krimin apo joprofesionalë. Mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve tashmë në sistem për shkak të procesit të vetingut nuk është një pasojë që ka dalë sot dhe nuk është se jemi vënë në dieni vetëm sot, por kemi filluar të marrim masat që në momentin e parë duke rritur numrin e magjistratëve që hyjnë në shkollën e magjistraturës, por njëkohësisht duke rritur edhe prurjet për sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër, ne po punojmë me Këshillin e Lartë Gjyqësor për një hartë të re gjyqësore që ka të bëjë me organizimin e ri të sistemit të drejtësisë në gjykatat e rretheve gjyqësore, por edhe gjykatat e apelit, të cilat do të mundësojnë uljen e numrit të gjykatave duke rritur profesionalizmin, duke rritur efektshmërinë, por njëkohësisht pa cënuar në asnjë moment aksesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Dhe të dy këto elementë: numri i shtuar në shkollën e magjistraturës dhe organizimi i ri i sistemit të drejtësisë i gjykatave do të sjellin mundësinë që të mos kemi probleme me mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë Gjyqësor po ndjek të gjitha proceset që lidhen me plotësimin e vakancave sidomos në gjykatë apeli, e cila do të sjellë herët, mundësisht shumë shpejt plotësimin e disa vakancave në këto gjykata, të cilat në fakt janë kthyer në problem pasi numri i gjykatësve të larguar nga këto gjykata nga vetingu ka qenë i lartë.

 Zonja Gjonaj, drejtuesja e KLGJ-së ka ngritur shqetësimin se e ka sjellë para jush që në shtator këtë hartë që përmendët ju dhe ka pritur reagim nga ministria juaj. Ajo thotë se ministria ka zvarritur procesin dhe kjo po pengon funksionimin e gjykatave. Përse nuk ka pasur lëvizje më të shpejtë për ta zgjidhur këtë problem?

Etilda Gjonaj: Në fakt nuk kam arritur ta dëgjoj kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, por të dy institucionet kanë qenë në bashkërendim me njeri-tjetrin për këtë proces. Këshilli i Lartë Gjyqësor ka dhënë propozimet e tij pasi kemi kryer një analizë së bashkë me misionet e asistencës dhe të dy institucionet tona, nga ana tjetër, ka dhënë mendimin e saj se si do të duhet të jetë harta e re gjyqësore. Ministria e Drejtësisë ka shprehur pikëpamjet për të mos pasur një kufizim dhe një mbyllje të një numri të lartë të gjykatave dhe kjo është arsyeja e cila na ka mbajtur pa e miratuar si dokument për të gjetur një dakordësi të përbashkët, për sa kohë që ligji përcakton që, vërtetë, Këshilli i Lartë Gjyqësor është ai që propozon hartën gjyqësore, por është ministri i drejtësisë i cili ndërmerr iniciativën legjislative me vendim të Këshillit të Ministrave më pas për t’u miratuar si hartë e re gjyqësore. Nga ana tjetër, shqetësimi i ministrisë së drejtësisë në mënyrë të vazhdueshme lidhet pikërisht me aksesin e qytetarëve në organet e drejtësisë. Por, nuk do të thosha që ka pasur zvarritje, përkundrazi. Ne kemi kryer në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm diskutime, por njëkohësisht edhe takime me kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarë për të parë si ata e mendojnë se si do të duhet të jetë organizimi i ri gjyqësor. Nuk mundet kurrsesi që të bëjmë eksperimente të cilat mund të na sjellin nesër një pasojë të rëndë dhe për këtë arsye unë besoj që ne kemi arritur në një dakordësi midis dy institucioneve për ta miratuar këtë hartë të re gjyqësore. Por në asnjë moment nuk ka pasur zvarritje, përkundrazi kemi qenë shumë diligjentë në të gjithë procesin për këtë hartë, e cila është komplekse dhe ka pasur gjithmonë në grupin e punës edhe anëtarë të misioneve të asistencës në Shqipëri.

Janë ngritur shqetësime se ju keni bërë ndërhyrje në 10 ligje të rëndësishme në një mënyrë shumë të shpejtë. Ka pasur akuza se nuk i keni paraqitur këto ndryshime për konsultim publik. Si ju përgjigjeni këtyre shqetësimeve?

Etilda GjonajKa nisur që në verën e vitit të kaluar, duke filluar me një analizë së bashku me misionet kryesore që ne na mbështesin për zbatimin e reformës në drejtësi. Patjetër që pas kësaj analize se si ka ecur zbatimi i reformës ne kemi arritur në një plan masash të cilat kanë diktuar edhe ndërhyrje legjislative për të rritur efektshmërinë e sistemit të drejtësisë tek qytetarët. Kur flasim për efektshmërinë kemi të bëjmë me një shkurtim të kohës së gjykimit të proceseve gjyqësore, por nga ana tjetër edhe për të patur një drejtësi më efektive. Kjo është arsyeja pse kemi ndërhyrë në 10 ligje të paketës së reformës në drejtësi, duke përfshirë edhe procedurat si civile, edhe penale, me qëllim që të mundësojmë shkurtimin e numrit të gjyqtarëve në trupën gjykuese dhe të rrisim numrin e çështjeve me qëllim të rritjes së efektshmërisë së sistemit të drejtësisë për qytetarët. Nga ana tjetër ky nuk ka qenë një proces thjesht një muaj… pesë ditë. Ka qenë një proces shumë i gjatë. Ne kemi punuar në grupe pune së bashku me institucionet e reja të drejtësisë të cilat kanë qenë drejtpërdrejt të interesuara lidhur me këto ndryshime dhe në çdo moment edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë mbështetësi kryesor që në fillim për reformën në drejtësi. Këto ligje, kjo paketë, e cila është paketa më e rëndësishme pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të 2016-ës, është konsultuar, diskutuar në këto grupe pune në mënyrë të vazhdueshme dhe në mënyrë shteruese. Në asnjë moment nuk janë prekur apo cënuar shtyllat kryesore të asaj që ka sjellë reforma në drejtësi me miratimin e ndryshimeve kushtetuese të 2016. Prandaj besoj që kjo paketë jo vetëm do të sjellë rezulatet që ne po presim që lidhen me pjesën e efektshmërisë, por nga ana tjetër ka qenë paketa e cila ka marrë procesin më të gjatë konsultues, përgatitor dhe deri në miratimin e saj.

Zonja ministre, megjithatë shoqëria civile ka ngritur shqetësimin se nuk ka pasur konsultime publike. Pse u anashkalua ky proces?

Etilda Gjonaj: Për sa kohë që unë në mënyrë të vazhdueshme, edhe në këtë moment artikuloj që ne kemi patur pjesën ndërkombëtare, partnerët ndërkombëtarë, institucionet e drejtësisë, ministria e drejtësisë si interlokutore dhe koordinatore e zbatimit të reformës në drejtësi, ndërkohë kanë qenë gjithashtu pjesë e diskutimit në komision të ligjeve dhe këto projektligje janë hedhur në faqen e parlamentit në kohën e duhur, e gjithë mundësia fizike dhe kohore ka qenë e tillë që kush ka patur komente apo sugjerime të mund t’i sillte. Por të kuptojmë drejt që një pjesë e mirë e masave lidhen me aspekte financiare, ku do të duhet vullneti dhe mbështetja e qeverisë për sa i përket ofrimit të kësaj mbështetjeje financiare, siç ishte për Prokurorinë e Posaçme apo edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe e njëjta situatë edhe për ato që kemi ndryshuar për të emëruar sa më shpejt, për të shkurtuar procedurat e emërimit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Dhe ne tani kemi një lajm shumë të mirë, kur janë shpallur vendet vakante për Gjykatën Kushtetuese që do të thotë se shumë shpejt nuk do të kemi kuorumin vetëm me shtatë anëtarë, por do të plotësohet kuorumi i nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pra të gjitha këto janë kryer për të arritur disa rezultate, të cilat janë shumë të nevojshme në këtë moment ku ndodhet reforma në drejtësi./ VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hena: 05/06/2021 05:33

    Lufta kunder korrupsionit? Te kujt? Te qeverise pra.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër