Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ndodhet për një vizitë zyrtare në Francë, ndërsa ka zhvilluar një takim me homologen e saj Nicole Belloubet.

Ministrja Gjonaj njohu ministren Belloubet me rezultatet e zbatimit të reformës në drejtësi, procesit të vettingut dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Ministrisë së Drejtësisë, Belloubet përgëzoi Gjonajn për arritjet e deritanishme dhe e inkurajoi për vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi.

Gjithashtu, Belloubet rikonfirmoi mbështetjen e qeverisë franceze. Temë e diskutimit ishte dhe politika e re penale për të miturit.

Dy palët kanë shprehur vullnetin për firmosje në Tiranë të një Memorandumi për Forcimin e Bashkëpunimit në fushën e Drejtësisë për të Miturit dhe mbështetje në ngritjen e Qendrës së Ekselencës, sipas modelit francez. Në takim nuk është folur për cështjen e negociatave. Vendimi pritet që të shtyhet për në shtator, pasi tani janë zgjedhjet për PE-në.