Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka zhvilluar një takim ditën e sotme me studentë të Fakultetit të Shkencave Politike- Juridike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Ministrja Gjonaj ka theksuar se Qeveria ka ndërmarrë të gjithë iniciativën e saj, ligjvënëse, ligjëbërëse, por edhe njëkohësisht edhe mbështetjen financiare në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi. 

Deri dje gjyqtarët e prokurorët ishin kthyer në një koorporatë, e cila e ishte e pamundur për t’u depërtuar. Ndërsa sot shikojmë gjyqtarë e prokurorë, të cilët nuk e ndjejnë veten që kalojnë procesin dhe dorëhiqen, si dhe gjyqtarë e prokurorë të cilët nuk e kalojnë dot procesin e Vettingut, e kjo është pikërisht ajo për të cilën qytetarët shqiptarë kanë dhënë besimin për Reformën në Drejtësi.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj

Takimi i organizuar në formën e një bashkëbisedimi të hapur kishte në qendër të diskutimit reformën në drejtësi, ecurinë e saj, mbështetjen që qeveria ka dhënë për këtë reformë si dhe ndikimin e rezultateve të reformës në marrjen e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. 

 Për një kohë jashtëzakonisht të shkurtër janë miratuar një sërë aktesh nënligjore dhe si dhe është siguruar mbështetja financiare e infrastrukturore, për t’iu dhënë mundësinë e ngritjes dhe funksionimit institucioneve të reja, të cilat janë të lidhura me procesin e vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj

Nga ana tjetër ministrja e drejtësisë ka evidentuar se një ndër sfidat kryesore të reformës është ngritja sa më shpejt e institucioneve të reja, të cilat ndikojnë në të gjithë procesin e emërimit, rekrutimit, futjes apo përfshirjes së studentëve të rinj në shkollën e Magjistraturës dhe të gjitha këto janë lidhura zinxhir. Gjonaj është shprehur përpara studentëve se:

Rekomandimi pa kushte i dhënë nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave për Shqipërinë i atribuohet pikërisht rezultateve pozitive që kemi pasur me Reformën në Drejtësi dhe tashmë jo vetëm thjesht me dizenjimin e saj, por për rezultatet konkrete që janë dhënë e kanë qenë të dukshme lidhur me procesin e Vettingut.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj