Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me një grup deputetësh të Parlamentit Gjerman të kryesuar nga Florian Hahn, pjesë e Komisionit për Çështje Evropiane. Në seancën dëgjimore morën pjesë edhe Mimi Kodheli, Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, Rudina Hajdari, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Llamallari, si dhe Adnan Xholi, Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, si edhe Drejtuesi i Projektit Tëinning kundër Korrupsionit, Detlef Kreutzer.
Z. Hahn, në fjalën e tij të mirëseardhjes vlerësoi praninë e delegacionit shqiptar në kushtet kur edhe Bundestag shumë shpejt do të marrë një vendim për qendrimin që do të mbajë Gjermania mbi rekomandimin e Komisionit të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Ministrja e Drejtësisë i njohu pjesëmarrësit me proceset e rëndësishme shtetformuese që ka ndërmarrë Shqipëria, veçanërisht Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në fjalën e saj, ministrja bëri me dije që rekomandimi i Komisionit të BE për hapjen e negociatave me BE është një vlerësim për të gjitha arritjet e Shqipërisë deri më tani, veçanërisht duke marrë në konsideratë që Shqipëria ka ndërmarrë reformat më të thella në sistemin gjyqësor dhe në luftën kundër krimit të organizuar në krahasim me çdo shtet tjetër në Ballkanin Perëndimor.
Ministrja Gjonaj u ndal në arritjet e deritanishme të reformave në Shqipëri, duke u fokusuar në ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe rëndësinë e krijimit të një sistemi gjyqësor transparent, të pavarur, të paanshëm dhe efiçent në funksion të zhvillimit të shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Ajo vlerësoi asistencën teknike dhe financiare të ofruar nga Gjermania si pjesë e misionit EURALIUS që nga fillimi i kësaj reforme, si dhe në zbatimin e saj. Më pas, ajo i njohu deputetët me rezultatet e para të prekshme të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe me mbështetjen e Qeverisë shqiptare për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, veçanërisht ngritja e dy Këshillave, si organet përgjegjëse të ngarkuara nga Kushtetuta me mirëqeverisjen e sistemit gjyqësor dhe atij të prokurorisë.
Ministrja Gjonaj bëri me dije masat që Qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër kultivimit të kanabisit, duke vënë në dukje që për herë të parë Shqipëria ka dalë nga harta e vendeve kultivuese të kanabisit.
Gjithashtu, në funksion të luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, Ministrja Gjonaj i bëri me dije që Shqipëria ka miratuar në parim marrëveshjen me Eurojust, e cila i lejon autoriteteve Shqiptare që në bashkëpunim me autoritetet e tjera të vendeve të BE të kryejnë hetime të përbashkëta.
Zëvëndësministri i Brendshëm z. Lamallari i njohu të pranishmit me rezultatet konkrete të luftës kundër krimit të organizuar veçanërisht duke venë në dukje operacionet e përbashkëta hetimore të kryera me Gjermaninë në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”. Ai vuri në dukje që Task Forca Speciale deri tani ka kryer 11 operacione të suksesshme kundër krimit të organizuar, duke përmendur dhe rezultatet dhe çështjet e përbashkëta me Gjermaninë. Këtu ai përmendi dhe arrestimin e kryer në Gjermani lidhur me operacionin “Last Snoë” i cili rezultoi në sekuestrimin e sasisë më të madhe të kokainës të kryer në Ballkanin Perëndimor.
Z. Lamallari u ndal gjithashtu në bashkëpunimin e shkëlqyer me Gjermaninë në kuadër të veprimtarisë së Task Forcës “Anti-Skifter”.
Në pjesën e dytë të takimit, delegacioni shqiptar iu përgjigj pyetjeve të deputetëve. Këta të fundit, ndër të tjera, shprehen interesin e tyre për të ditur më shumë mbi ecurinë e procesit të vetingut dhe plotësimin e vakancave që do të krijohen si pasojë e këtij procesi, mbi reformat për zhvillimin e shtetit të së drejtës si dhe reformën zgjedhore.
Ministrja e Drejtësisë i bëri me dije të deputetëve që pavarësisht fillimit të ngadaltë, procesi i Vettingut po ecën me një ritëm të kënaqshëm dhe është parashikuar që shumë shpejt do të përfundojë rivlerësimi i listës prioritare dhe më pas menjëherë mund të ngrihen organet e reja të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, ajo bëri me dije që reforma në drejtësi dhe reformat e tjera që po ndërmerr Shqipëria për çështjen e pronave, përmirësimin e shërbimeve publike dhe derregullimin garantojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve, Ministrja Gjonaj i njohu ato me nismën për ndryshimet ligjore që garantojnë një numër të përshtatshëm kandidatësh për t’u pranuar në sistem nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës nëpërmjet të cilëve garantohet përmbushja e çdo vakance të krijuar si pasojë e procesit të vetingut.
Ministrja Gjonaj e përmbylli fjalën e saj duke u shprehur që reformat që po ndërmarrim, më shumë se sa një detyrë shtëpie në kuadër të integrimit në BE, janë perspektiva evropiane që ne duam t’i ofrojmë qytetarëve Shqiptarë. Ajo deklaroi që ne duam që qytetarët shqiptar ta gjejnë Evropën në Shqipëri.