Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka pritur në një takim ditën e sotme, shefin e misionit të FMN-së për Shqipërinë, Jan Kees Martijn dhe delegacionin e ekspertëve.
Gjonaj thotë se në këtë takim është folur për rëndësinë që ka forcimi i shtetit të së drejtës në zhvillimin ekonomik, e po ashtu ministrja i ka prezantuar shefit të FMN-së për Shqipërinë ecurinë e Reformës në Drejtësi.
“Rëndësia që ka forcimi i shtetit të së drejtës në zhvillimin ekonomik, ishte një ndër çështjet kryesore që trajtuam në Ministrinë e Drejtësisë bashkërisht me shefin e misionit të FMN-së për Shqipërinë Jan Kees Martijn dhe delegacionin e eksperteve.
Patëm mundësi që në këtë takim ta njihnim së afërmi delegacionin me reformën që kemi ndërmarrë në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, kornizën ligjore të Shërbimit Përmbarimor si dhe gjykimin e çështjeve tregtare.”-shkruan Gjonaj në profilin e saj në Facebook.