Gjoni: Abuzimi seksual, shfrytëzimi i femrës, pushteti, politika dhe media

Gjoni: Abuzimi seksual, shfrytëzimi i femrës, pushteti, politika dhe media

U kanë zënë sytë këto ditë emrin Jeffrey Epstein?

Ai që vdiq në burg të shtunën e kaluar në New York? Që u vetëvar me letra A4? Ai miliarderi që tentoi plot 4 herë të mbytej duart e veta e më në fund ia doli kur rojet flinin gjumë?

Miku i Donald Trump, Bill Clinton, Princit Andrew?

Nuk ua kanë zënë sytë! As shkarazi?!

Mua nuk më shqitet nga leximi! Më del gjithandej. Është emri më i përmendur në shtypin botëror që prej ditës së shtunë.

Vetëm në Shqipëri ka konkurencë hije-vënëse! Epstein nuk ka vend në shtypin tonë, se përveç Valdrinit (Dakos, Roshit a Tahirit të sotëm), sipas servirjeve të medias, kemi shumë etje e uri edhe për deklaratat e Vasilit, Markut, Ramës, Bashës, madje edhe për fotot “që djegin rrjetin” nga Malvina, Franceska, Rakela a Rishela.

Por vend për kryelajmin e konsipracive botërore të momentit nuk ka.

Madje as për dorëheqjen e ambasadorit amerikan nga Rusia, në të njëjtën kohë me një tjetër zyrtare të lartë që mbulon shërbimet në Moske. As për faktin se ka filluar të shitet frikshëm narrativa e kuruar e “mungesës së kandidaturave të duhura” që mund ta lenë Amerikën pa ambasador në Moskë deri në zgjedhjet presidenciale të vitit tjetër.

Pyetjet rrufe që më lindin mua janë: “Si pa ambasador në Rusi?! Ku po shkohet? Dhe kur nuk ka ambasador në Rusi, ç’mund të shqetësohet Shtëpia e Bardhë se i ngeli Shqipëria pa ambasador”?

I lexoj me sytë picërruar lajmet e çuditshme dhe kthehem tek rasti Epstein. Nëse House of Cards apo Suits në Netflix na duken të ekzagjeruara, ja tek i kemi më zë e me figurë zhvillimet e çuditshme në rastin e tij.

Gazetarja që zbuloi e para skandalin në Miami Herald u shpërfill. Shkrimi nuk iu botua. Kryeredaktori e çoi për faqosje, por dy orë para shtypjes shkrimi u zhduk dhe nuk e pa dritën e botimit. Asnjë gazetë tjetër nuk e mori seriozisht vajzën nga Miami me historinë e saj investiguese për një maniat të botës financiare, me avionë privatë, me ishuj e vila në pronësi në mbarë botën, e me udhëtime private me miq si Klinton apo Trump.

Në 2005, kur lajmet për abuzimet seksuale të Epstein dolën në pah, u mbyllën me shpejtësi. Kurse në 2007, u varrosën me brutalitet e fshehtësi të plotë. Një marrëveshje e dyshimtë, e pashpjegueshme dhe e pa bërë publike, bëri që Epstain t’i shpëtonte gjyqit federal pasi ra dakord të bënte 13 muaj burg e të regjistrohej në listën e abuzuesve seksualë në Florida. Por jo jashtë saj!

Kryeprokurori që e mundësoi këtë marrëveshje ishte një emër atëherë i panjohur, por që më pas shkaktoi tërmet që nuk duket se do mbarojë me “vetëvrasjen” e Epstein!

Ishte Alexander Acosta!

Po këtë e keni dëgjuar?

Në 2007 ishte kryeprokuror (District Attorney) në Florida e në 2016, mes një lumi kritikash, emërohet nga Trump në administratën e tij (Secretary of Labour).

Rrethi ngushtohet! Epstein-Acosta-Trump!

I pari u arrestua në korrik, pa mbushur 24 orë, i dyti dha dorëheqjen nga posti ministror. I treti është shumë i mbingarkuar me gjithë armatën rreth tij të vërtetojë se prej vitit 2005, nuk e lidh më asgjë me abuzuesin.

E njëjta luftë edhe në Angli. Familjen mbretërore e kanë zënë mizat. Të ashpra e kategorike të gjitha deklaratat që dalin nga Buckingham Palace. Mohojnë me nerva akuzat që i quajnë shpifje e këmbëngulin që Princi Andrew, djali i dytë i mbretëreshës Elizabetë, nuk e ka takuar kurrë vajzën që është bërë shkëndija e të gjithë kësaj stuhie.

Ajo sot është 31 vjeç, por sipas padisë që ka ngritur në SHBA, ka një problem “të vogël” për djalin e mbretëreshës: Princi Andrew ka një foto të vitit 2001 kur akuzuesja Virginia Giuffre është vetëm 17 vjeç, me duart e tij rreth belit të zbuluar të vajzës. Shpjegim për këtë foto nuk ka! Buckingham Palace nuk flet!

Giffre është njëra ndër 36 vajzat që kanë akuzuar Epstein-in se i ka rekrutuar dhe shfrytëzuar seksualisht, për vete dhe për rrethin e tij të ngushtë të politikanëve, financierëve, bankierëve, juristëve e njerëzve të njohur!

Që prej vdekjes së tij të papritur e misterioze në qelinë e mbikëqyrur në Manhatan të shtunën e kaluar (10 Gusht 2019), mediat përtej Oqeanit dhe ato në Britaninë e Madhe ziejnë nga faktet që shpërthejnë çdo minutë: fluturime të shumta të Klintonin me avionin privat të Epstein, vizita e festa me Princin, klube ekskluzive me Trumpin, deklarata që kundërshtojnë njëra-tjetrën, teksa figurat politike pretendojnë që në çdo vizitë kanë qenë të shoqëruar nga shërbimet sekrete; kurse sipas informacioneve të medias amerikane, shërbimet sekrete mohojnë të kenë qenë të pranishme në disa nga këto udhëtime të fshehta e të mbuluara me mister.

CNN vlon, njëlloj si New York Times, Washington Post apo edhe Miami Herald që është ringjallur. Në Angli The Guardian i është vënë pas Princit, njëlloj si The Times apo BBC, që nuk e kanë lënë mënjanë ndjekjen e rastit. Krejt papritur, Princi pothuajse i harruar shfaqet sot në çdo faqe interneti a tabloid duke udhëtuar me nënën e tij, mbretëreshën dora vetë (shenjë mbështetjeje kjo sipas mediave britanike, që shpjegojnë se Andrew “nuk ka lidhje me këtë histori”)

E gjitha kjo për një vajzë sot 31 vjeçare, që guxoi e pati durimin të sjellë në vëmendje shfrytëzimin seksual ndaj saj kur ishte nën 18 vjeç.

Vdekje, vrasje, dorëheqje, shkarkime lumë, ndjekje penale ndaj ish-prokurorëve, kryeprokurorit, kryeredaktorëve, miqve me pozitë e me pushtet që lejuan skandalin të ndodhë e të mbulohet që prej vitit 2005.

E gjitha kjo histori dhe hyrje e gjatë, ky mbulim i frikshëm mediatik jashtë e ky tërmet që ka sjellë me vete në nivele aq të larta, këto shkarkime e burgosje e ndjekje për shkak të shkeljeve të patolerueshme që kalojnë nga seksi, më gozhdojnë teksa lexoj median shqiptare:

“Pse ky rast nuk konsiderohet “lajm” në vendin tonë? Pse nuk shkakton habi, frikë, interes, debat? Pse nuk ka raportime të shtjelluara, qëndrime, ide”?

Kam frikë se përgjigja e kalon klishenë gazetareske “Nuk është lajm me rëndësi ndërkombëtare! Nuk ka interes për audiencën shqiptare!”

Nuk kishte as për Harvey Weinstein në median tonë. As ndonjë entuziazëm të madh për lëvizjen #metoo që u shkaktua prej tij.

Nuk ka të bëjë me emrin. As me Amerikën. As me faktin nëse lajmi prek apo nuk prek drejtpërdrejt lexuesin shqiptar.

Fakti është që media shqiptare nuk e konsideron problematike asgjë që ka lidhje me seksin. Përkundrazi! Sot që kryegazetat e botës merren me Epstein, mediat tona botojnë “pamjet bombastike me bikini” të pseudo-vipave e madje, edhe të fëmijëve të tyre. Shumë prej vajzave të këtyre VIP-ave na janë sjellë kolmësisht me dhunë nga media në celularët tanë para së ato të venë 18 e 17.

Bota e lufton, mediat tona me të jetojnë. Emisionet e humorit janë të tëra seksiste, të rëndomta, të pështira. Femrat e ekranit janë të dorëzuara pa asnjë kusht tek mishi. Politika është e mbushur me abuzime skandaloze perversiteti, e megjithatë, për median asgjë nga këto “nuk përbën lajm”, e jo më shqetësim kombëtar!

Jo vetëm kaq, por në vend fitohen edhe gjyqe mbërtheçkash e rigjenerohen figurat politike që mund të kenë pësuar ndonjë frenim të rrallë karriere për shkaqe të tilla.

Kemi një Pango e një Shukri në gjithë këtë lumë dykëmbëshish politikë që sikur të kishin mbi shpinë CNN apo

The Guardian, nuk do kishin gjetur vend as mbi tokë, as nën të për t’u fshehur.

Po përse aferat seksuale nuk përbëjnë skandal në Shqipëri?

Po, jemi marrosur pas drogës e pas dekriminalizimit. Me të drejtë! Por ai që ka një ves, i ka edhe gjithë të tjerët!

Ministra, deputetë, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë e politikanë nga të gjitha kahet përfliten, fotografohen e madje as nuk fshihen kur kanë afera të pista e të përsëritura seksuale, e megjithatë, për median “nuk përbën lajm”. As për opozitën! I qëndrojnë larg debateve të pa hapura për imoralitetin personal, veç atij politik!

Nuk investigohet! Nuk nxitet ky diskutim publik! Abuzimi seksual duke shfrytëzuar pushtetin nuk shihet si problematik në Shqipëri.

Akoma më keq, është kthyer në normalitet. “He mo se të gjithë e dinë që ka dashnore. Të gjithë kanë” – thonë gazetarët me njëri-tjetrin kur dëgjojnë, shohin e vëzhgojnë edhe vetë raste implikimesh që normalisht, duhet të çonin në investigim dhe dorëheqje.

Po pse nuk u dashka të përbëjë problem e madje të fortë abuzimi seksual? Se marrëdhënie e detyruar prej pushtetit e tillë është. Edhe në ngjan si konsensuale, është në fakt vetëm e nxitur nga shumë faktorë që nuk kanë lidhje me ndjenjat!

Ku e kemi varrosur atë të flamosur moral? Si kemi arritur në pikën ku imoraliteti nuk na bën më përshtypje? Si e kemi pranuar si pjesë të identitetit tonë?

Në 2005-ën në SHBA shkrimi për abuzimet seksuale të Epstein nuk u publikua jo sepse pronari apo kryeredaktori kishin halle të njëjta seksuale me të, por sepse Epstein i pagoi dhe e bleu heshtjen e tyre.

Po në Shqipëri, çfarë justifikimi ka media që nuk është e interesuar të investigojë marrëdhëniet e çuditshme të politikanëve me stafin, femrat e reja që punësojnë, shoqërueset pa lidhje që marrin me vete në udhëtimet jashtë?

Akoma më keq, me çfarë morali e bombardon lexuesin në faqet e para me emra, pamje e vajza që asetin e vetëm kanë mishin? E ai zë gjysmën e ekranit apo faqeve të tyre. Gjysmën e ekranit të celularit, të trurit, të ditës, të jetës së lexuesit! E fol për Acquis pastaj! Apo për pozicionim ndryshe të grave në shoqëri, biznes, vendimmarrje!

Sërish këmbëngul: Media është bashkëfajtore!

Mungesa e raportimit është po aq e rrezikshme sa portretizimi i gabuar i vajzave, grave dhe marrëdhënieve që lindin në kushte të pa favorshme për to!

Përzgjedhja e çuditshme e lajmeve, këndvështrimeve, gjuhës mizogjene, sipërfaqësore e urrejtje-ndjellëse që përcillet në median shqiptare është po aq e rrezikshme dhe shkaktare e keqtrajtimit të femrës në vend. Ose e mundësisë për ta shkëputur atë nga të trajtuarit vetëm si objekt seksual e të parëndësishëm për të hetuar apo trajtuar keqpërdorimet e saj si njeri thjesht për shkak të seksit!

Ndaj, merruni me Epstein! Merruni edhe me aferat e politikanëve tanë! Janë po aq skandaloze dhe dëm sjellëse sa lidhja e tyre me drogën dhe me krimin. Ato na kanë varfëruar, kurse trajtimi i femrës si objekt na ka ç’akorduar e na ka rikthyer në primitive më instikte bazike.

Nuk e keni menduar ndonjëherë se sjellja me instikte kafshërore seksuale e politikanëve, njerëzve të medias e të biznesit e ka lënë këtë vend po aq prapa sa edhe droga e krimi?

Mirë! Mos e blini si argument! Ama është po aq i vërtetë sa thembra e vrarë e Epstein, që po nxjerr në pah të palarat e ndyra të një sistemi të tërë!

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë