TIRANE - Pasuritë e mia janë dhuratë nga bashkëshortja ime e cila fiton 6 - 7 mijë euro në muaj. Deklarata është bërë nga gjyqtari Gjin Gjoni. Duke folur për tv "A1Report!", Gjoni ka hedhur akuza ndaj ILDKPKI-së dhe kreut të institucionit, Shkëlqim Gani për akuzat e bëra publike ndaj tij dhe për kallëzimin penal të bërë për fshehje pasurie.
 
Duke folur në një lidhje telefonike për "A1Report!", anëtari i KLD-së dhe gjyqtari i Apelit të Tiranës, Gjoni tha do të bëjë padi ndaj ILDKP-së, ndërsa akuzoi institucionin e deklarimit të pasurisë se, po përdoret politikisht.
 
“A1Report!”: Z.Gjoni, çfarë ka çuar në akuzat për të cilat ju do të ndiqeni penalisht, akuza si falsifikim kontratash, deklarime të rreme, mungesë burimesh për pasurinë dhe bëhet fjalë për shifra marramendëse.

Gjin Gjoni: Në lidhje me kallëzimin penal të realizuar nga ana e ILDKP-së, është një farsë, farsë që unë nuk di të them të drejtën mbi ç’bazë z.Gani arrin të fabrikojë farsa të tilla, për disa arsye. Arsyeja e parë është që deklarimi i zonjës Caushi, që aktualisht është bashkëshortja ime, është komplet i ndryshëm nga deklarimi që z.Gani ka dhënë deri në momentin aktual. Duhet të jeni të ditur se martesën me znj.Elona Caushi unë e kam realizuar në dhjetor të vitit 2011.

Por janë 18 pika, z.Gjoni, ku ju akuzoheni…

A mund të flas, ju lutem, se unë jam rrugës e po kthehem nga një vizitë zyrtare në Kosovë. Në momentin që e mora vesh, unë po kthehem menjëhërë. E dyta, ka bërë një bashkim mekanik të dy deklaratave të pasurisë të znj.Caushi, e cila është një biznesmene e respektuar, që ka pasur një aktivitet që nga viti 1997 dhe 14 vjet para se të martohej me mua; e dyta, është që deklarimi i pasurisë që z.Gani pretendon, është plotësuar në disa raste me vetë zotin Gani, i cili  më ka ndihmuar në plotësimin e deklarimin e pasurisë dhe unë nuk e kuptoj sesi zoti Gani mund të ketë dhënë të dhëna të rrejshme që nuk qëndrojnë; aspekti i tretë është që të gjitha ato pasuri janë të verifikueshme.

Z.Gjoni, që edhe shqiptarët që na ndjekin të na kuptojnë: Ju zotëroni disa apartamente, një shtëpi luksoze në një nga zonat shumë të lakmueshme…

Më falni zonja gazetare, unë nuk disponoj shtëpi luksoze; zonja Caushi disponon një shtëpi, të cilën e ka blerë para se të martohej me mua; është lidhur një kontratë për një vilë, është e vërtetë, por në lidhje me këtë kontratë nuk është ekzekutuar në mënyrë absolute asnjë gjë dhe ajo është e deklaruar. Në deklarimin e 2013-ës është thënë se janë paguar rreth 80 mijë euro në lidhje me këtë banesë dhe nuk e di se nga z.Gani i gjen këto deklarime që arrin t’i publikojë si një farsë. Për mua është një farsë politike, e cila ka një qëllim të caktuar. Qëllimi është mëse i vërtetë, kërkohet me patjetër që nëpërmjet goditjes së Gjin Gjonit të goditet KLD-ja dhe duke u goditur KLD-ja të goditet President i Republikës.

Si është e mundur që në një hark kohor të një viti ju keni bërë aq shumë hyrje e dalje jashtë Shqipërisë?

Është mëse e vërtetueshme, unë do të sjell të gjitha pasaportat që disponoj dhe aty vërtetohet sesa hyrje e dalje kam realizuar. Kam përshtypjen se z.Gani po përdoret politikisht; ka marrë një emërim politik dhe kërkon të marrë një emërim tjetër politik për shkak të ndryshimit të ligjit. E dihet që z.Gani ku i ka lidhjet, me cilët anëtarë të Komisionit të Ligjeve i ka lidhjet dhe nga e ka gjithë këtë. Të them edhe diçka tjetër që është mëse e vërtetë: Si ka mundësi që z.Gani ka qënë prokuror me disa çështje, ka punuar bashku me mua dhe nuk e di që për deklarimet e vitit 2007, 2008, 2009, 2010 janë kontrolluar nga paraardhësit e tij, z.Llalla që është Prokuror i Përgjithshëm dhe znj.Lasku?! Si ka mundësi që z.Gani nuk e di që edhe sikur të jenë të vërteta, deri në vitin 2012, të gjitha çështjet janë të parashkruara për shkak se kanë kaluar afatet ligjore dhe e dyta, ka dalë një ligj për amnistinë?!
Këtu është një farsë politike dhe z.Gani, unë po deklaroj se do bëj një kallëzim penal për shpërdorim detyre. Ku e gjen guximin? Kallëzim penal edhe deklarimin e të dhënave që janë të mbrojtura nga Komisioni i të Dhënave dhe ligji për të dhënat personale. Unë nuk e kuptoj sesi z.Gani mund dhe duhet të ndërhyjë në jetën private duke abuzuar për të shkatërruar jetën e të tjerëve.

Ju po flisni për akuza politike, por sa kushton ora që keni në dorë? Sa vite duhet të punojë një gjyqtar që të ketë një të tillë?

Ora që kam në dorë është dhuratë. Nusja ime ka disa biznese private dhe merr 6 -7 mijë euro në muaj rrogë. Janë të verifikueshme, janë të deklarueshme. Ka deklaruar rreth 50-60 mijë euro rrogë vjetore dhe deklaron një fitim nga vetëm një kompani prej 200 mijë eurosh. Janë të verifikueshme. Deklaratat janë edhe pranë Tatimeve, paguhen sigurime shoqërore, paguhen dividente, paguhen të gjitha dhe këto deklarime i ka realizuar para se të martohej me mua.

Z.Gjoni, ju keni një apartament që kap shifra marramendëse, rreth 700 mijë euro

Cilin apartament? Më thoni ku është?

Janë plot 18 pika kundër jush. Bëhet fjalë për një shifër prej 2 milionë eurosh.

Vetëm një deklarim ka lidhje me mua, ai i 2012-ës, sepse të tjerët kanë lidhje me bashkëshorten time. E kuptoni? Aq më tepër që bashkëshortja ime ka filluar të deklarojë në vitin 2011 dhe z.Gani e di shumë, sepse janë deklaratat.
 
Ju keni dhe fshehje, në vitin 2010, të aktivitetit të shoqërisë “Terra Oksana”, pika 11.

 Nuk kam, është i deklaruar aktiviteti. Është bërë një deklarim, është realizuar. Nuk ka asnjë lloj fshehjeje të deklarimit; është një shtesë që inspektorja, e cila ka qënë e ngarkuar – madje z.Gani më ka çuar tek inspektorja e ngarkuar me verifikimin e saj dhe është verifikuar. Unë nuk e kuptoj se pse z.Gani nga një njeri që ka ndihmuar në plotësimin e këtyre deklaratave tani na kthehet në akuzues. Megjithatë, unë jam i hapur të hetohem.

Ju deklaruat se bashkëshortja juaj ka të ardhura deri në 7 mijë euro në muaj.

Jo, 8 mijë euro bashkë me të ardhurat e mia.

Por si mund të arrihet totali -një shifër marramendëse, duke patur edhe gjithë këto shpenzime…

Mos harro znj.gazetare se ju mund të shihni edhe vendimet gjyqësore që kanë kaluar mbi 1 milionë e ca euro…Që kanë kaluar në favor të shoqërisë dhe që kanë kaluar pastaj në emër personal ose të pjesëtarëve të tjerë të familjes. E kuptoni këtë? Ndaj kam përshtypjen se z.Gani i ka hyrë një lufte të paprinciptë e të paprecedentë.

Megjithatë nuk na thatë sesa është vlera e orës që ju dispononi, z.Gjoni…

Vlera e orës është një vlerë normale, që e kam dhuratë nga bashkëshortja ime.

Dhe…? Në shifra?

Dhe është një vlerë normale. Mund të vini ta shihni, është një orë që kushton normalisht sa orët e gjithë qytetarëve të tjerë të Republikës së Shqipërisë.

Z.Gjoni, ka pasur deklarata edhe përsa i përket z.Alaudin Malaj. Keni komente?

Është e vërtetë që ka pasur deklaratë nga z.Alaudin Malaj dhe deklaratat e tij janë në kuadër të një akuze për të cilën unë kam bërë një kallëzim penal. Z.Malaj e ka bërë këtë në momentin që ka marrë një dekret nga Presidenti i Republikës dhe donte të merrte votat e PS-së dhe mazhorancës për të vazhduar në Parlament. Kjo është e qartë. Ajo që është më e rëndësishmja: Si shpjegohet që të gjithë personat që kanë bërë disa kallëzime penale në rastin e deklarimit të pasurive nga ILDKP-ja, rezulton që janë pyetur dhe janë verifikuar të paktën 5-6 herë, ndërsa unë e marr vesh sot nga televizionet? Në rastin e disa gjyqtarëve, kolegëve të mi, që i kam pyetur dhe më thanë që na kanë thirrur 5-6 herë kurse në rastin tim as nuk jam thirrur për të bërë as rakordimin më të vogël. Kjo duket që është një stisje, një farsë.

Redaksia online
(ac/arsh/shqiptarja.com)