TIRANË - Ministria e Integrimit, Klajda Gjosha zhvilloi sot një takim me homologen nga Kosova, Vlora Çitaku.

"Shqipëria ka marrëdhënie vëllazërore të shkëlqyera me Kosovën dhe dy shtetet tona kanë marrë angazhimin për të punuar fort në plotësimin e të gjitha reformave, në mënyrë që të ecim paralelisht në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian. I përkasim të njëjtit komb dhe kjo na nxit më shumë se gjithçka tjetër, për të thelluar me tej bashkëpunimin në të gjitha fushat", bëri ekspozenë Gjosha.

Ajo theksoi se me ministren ndamë miqësisht një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen ngushtë me prioritetet, reformat dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes strukturave të dy vendeve. Duke informuar edhe që "mbledhja e përbashkët e dy qeverive e cila do të organizohet së shpejti në Prizren, është dëshmi e qartë për hyrjen në një epokë të re të bashkëpunimit maksimal për interesat e përbashkëta strategjike".

Një tjetër diskutim ka qenë ai në lidhje me vazhdimësinë e Programit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë, i cili duhet të ketë një impakt më të fuqishëm në statusin social-ekonomik të  dy vendeve tona. Në këtë mënyrë do të nxitet më tej menaxhimi i përbashkët i burimeve natyrore e kulturore të Shqipërisë dhe Kosovës. 

Përafrimi i legjislacionit të dy vendeve  me atë të Bashkimit Evropian, koordinimi në përkthimin e Acquis në versionin shqip, shfrytëzimi sa më i mirë i instrumentave financiare të BE-së janë  çështje mjaft të rëndësishme për të cilat gjithashtu u diskutua në takim, njofton zyra e shtypit të MI.

"Shpreha vullnetin maksimal të qeverisë shqiptare për të mbështetur edhe Kosovën në këtë proces të rëndësishëm, në mënyrë që dy shtetet tona të ecin përkrah në rrugën  drejt BE", theksoi Gjosha.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)