TIRANE- Krijimi i një administrate publike eficente është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare. Këtë e ka shprehur ministrja Klajda Gjosha gjatë një takimi që ka zhvilluar sot me Drejtorin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA), Suad Music. Ministrja Gjosha e ka cilësuar rolin e kësaj shkolle mjaft të rëndësishëm për ngritjen e kapaciteteve në Administratën Publike dhe qeverisjen e mirë.
 
“Krijimi i një administrate publike eficiente është një prej 5 prioriteteve që i është lënë qeverisë shqiptare nga Komisioni Evropian. Tashmë me marrjen e statusit të vendit kandidat, Shqipërisë do t’i duhet të punojë shumë për të pasur një Administratë Publike të kualifikuar dhe që funksionin mbi bazën e standardeve evropiane. Ndaj, ne e shohim me shumë vlerë, asistencën që kjo shkollë i ofron vendit tonë”, tha Gjosha.
 
Pasi bëri një prezantim të mënyrës si funksionon shkolla dhe gjithë gamën e aktiviteteve që ofron, drejtori i Shkollës Rajonale të Administratës Publike theksoi se një prej qëllimeve kryesore të saj, është pikërisht mbështetja e vendeve që duan të anëtarësohen në BE për krijimin e një administrate publike sa më të kualifikuar.
 
“Për të qenë pjesë e trajnimeve që ofron shkolla, seleksionimi bëhet nga vetë institucionet e çdo shteti sipas nevojave që ata kanë në administratën publike. Prandaj ne jemi të hapur që të vendosim fokusin e punës, sipas prioriteteve që ju keni”, tha Music.
 
Ministrja Gjosha, theksoi se në bashkëpunim me ministritë e linjës janë vendosur fushat prioritare ku është i domosdoshëm trajnimi i punonjësve.

Redaksia Online
(e.sh/shqiptarja.com)