Në fokus të diskutimeve ishin Çështjet dhe sfidat më të prekshme sot për Europën. Ecuria e projektit Europian, nevoja e gjetjes së mekanizmave të rinj për të ardhmen veçanërisht pas Brexit, ishin kryefjala e takimit.
Ministrja Gjosha në fjalën e saj vlerësoi angazhimin e Presidencës Sllovake për të vendosur si një prej prioriteteve kryesore një politikë të besueshme zgjerimi duke e konsideruar një mekanizëm shumë të mirë për transformimin e Europës.
Në fjalën e saj ministrja theksoi se reforma në drejtësi e miratuar, që Shqipëria miratoi me konsensus pak ditë më parë është historike për vendin.
"Kjo tregon vendosmërinë tonë për të vendosur në vend shtetin e së drejtës por njëkohësisht edhe vullnetin tonë për vazhdimësinë e procesit të integrimit. Është shumë e rëndësishme që implementimi i reformës të kryhet nëpërmjet çeljes së bisedimeve mbi kapitujt 23 dhe 24. Shqipëria dhe qytetarët shqiptarë meritojnë të ecin përpara në procesin e integrimit", u shpreh Ministrja Gjosha.
Ministrja u shpreh se stabiliteti dhe integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është kontribut madhor për sigurinë e Europës.
“Jam e bindur se nëpërmjet procesit të integrimit Shqipëria dhe gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të jenë pjesë e paashme, kontribuese në atë çka është sot gjëja më e rëndësishme në gjithë Europën: Siguria e saj”, tha ministrja Gjosha.
Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com