ROMË - Hartimi i programit tripalësh të bashkëpunimit territorial, Itali-Shqipëri-Mal i Zi dhe projektet për përfitimin e granteve nga Bashkimi Europian kanë qenë kryefjala e një sërie takimesh, që ministrja e Integrimit, Kljada Gjosha ka zhvilluar në Itali.

Fillimisht ministrja Gjosha u takua me ministrin italian të kohezionit territorial, Carlo Trgilia, ku u disktutua bashkëpunimi territorial mes dy vendeve, ndërsa nga ana e saj ministrja shqiptare e integrimit rikonfirmoi vullnetin e qeverisë Rama për përfshirjen e vendit në të gjitha programet e bashkëpunimit territorial, që finacohen nga Bashkimi Europian.

Ndërkohë në takimin e zhvilluar me zv/ministren italiane të Punëve të Jashtme, Marta Dassu, ministrja e integrimit, Klajda Gjosha bëri një rezyme të shkurtër të reformave të planifikuara nga qeveria shqiptare në kuadër të proceve integruese të vendit në Bashkimin Europian.

Gjithashtu gjatë bisedës u diskutua rëndësia e madhe që ka për dy vendet projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP për nxitjen e investimeve të ndërsjellta.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)