TIRANË - Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha zhvilloi ditën e sotme një takim me ambasadorin e Republikës Italiane në vendin tonë,  Massimo Gaiani.

Ministrja e falënderoi ambasadorin italian për kontributin e vazhdueshëm, që Italia ka dhënë për zhvillimin e Shqipërisë dhe për avancimin e rrugës së saj drejt BE-së. Ministrja vlerësoi rolin dhe kontributin e Italisë, e cila sipas saj ka qenë një partnere shumë e mirë dhe një avokate e shkëlqyer të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane.

Gjosha theksoi forcimin e bashkëpunimit me të gjitha hallkat e Bashkimit Evropian dhe e njohu ambasadorin me programin e qeverisë për integrimin lidhur me përmbushjen e prioriteteve dhe rekomandimeve të BE-së me qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, ambasadori Massimo Gaiani e garantoi atë për përkrahjen, mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Italisë. Ambasadori Gaiani i shprehu ministres gjithashtu mbështetjen dhe suportin e Italisë për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

klajda gjosha
(Në foto: Nga takimi i ministres Klajda Gjosha me ambasadorin italian, Massimo Gaiani).

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)