TIRANË - Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha ka qenë e ftuar sot në studion e "A1 Report", për të diskutuar mbi prioritetet e integrimit, çfarë po lëviz në institucionin që ajo drejton, që në dhjetor Shqipëria të marrë statusin, mbi vizitat e saj në Bruksel dhe Itali etj. Mbi mundësinë e marrjes së Statusit, Gjosha është shprehur se "nuk mund të thuhet sot me siguri të plotë; kjo do të vijë si rrjedhojë e një pune shumë të madhe që qeveria duhet të bëjë këto 3 muaj". Gjosha ndër të tjera nuk ka hedhur poshtë punën e pararendësve të saj, "që i kanë plotësuar pjesën më të madhe të kushteve" dhe "statusi do të vijë edhe si rrjedhojë e një pune të shumë viteve më parë".

Si rezultoi vizita juaj e fundit në Itali?  
Isha për një projekt të madh rajonal mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi. Shqipëria po bëhet pjesë e vendeve të rajonit. Takimet e mia vijuan me nëpunës tepër të lartë për fushat e bashkëpunimit. U diskutua mbi fushat e bashkëpunimit në infrastrukturë, energji, për marrëdhënie të ngushtë mes kulturave edhe në turizëm. Për sa i përket mbështetjes së Italisë ata gjithmonë janë mbështetje shumë e madhe, por Shqipëria patjetër të përmbushë kushtet e mbetura.
 
Cilat janë kushtet e mbetura?
Vizita në Bruksel erdhi pas marrjes së posteve. Na ndihmoi të bëheshim pjesë e menjëhershme e procesit. Procesi është komples, involvon bashkëpunim të thellë me të gjitha ministritë e linjës, me opozitën, shoqërinë civile edhe vetë publikun shqiptar. Kërkesta janë të njëjta siç ka qenë dhe në këto 3 muaj. Shqipëria të fokusohet në 3 drejtime; lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe reformat në gjyqësor. Ne kemi punuar që në ditët e para për këtë. Këto 3 muaj do jenë me volum pune tepër të madh. Dhjetori do shënojë një datë shumë të rëndësishme. Deri në dhjetor duhet të plotësojmë reformat, brenda kuadratit të 12 prioriteteve, edhe pse shumë prej tyre Shqipëria i ka plotësuar.
 
Keni pasur takim edhe me ambasadorin e BE, Ettore Sequi. Çfarë veprimi konkret do shoqërojë hapat e integrimit?
Shumë veprime konkrete. Ramë dakord me ambasadorin Sequi, të cilin e falenderoj shumë për mbështetjen, që jo të integrojmë vetëm shtetin, por njerëzit, shqiptarët. Kemi diskutuar për fushat e bashkëpunimit. U diskutua shumë që nejrëzit ta dinë ç’është integrimi, çdo të thotë të jenë pjesë e këtij procesi, edhe në jetën e përditshme.

Presidenti i KE, Barroso deklaroi se në dhjetor janë shanset që Shqipëria ta marrë Statusin? Si mendoni? Do ta marrë Statusin?
Nuk mund të thuhet sot me siguri të plotë. Kjo do të vijë si rrjedhojë e një pune shumë të madhe që qeveria duhet të bëjë këto 3 muaj, e një pune që ka filluar shumë vite më parë. Duhet të tregojmë vullnetin tonë, implementimn e 3 kërkesave që në dhjetor Shqipëria ta marrë.

Në Bruksel u duk një pritje të ngrohtë për delegacioni shqiptar. Ju jep shtysë kjo?
Na jep një forcë dhe mundësi më shumë. Nisja e punës me vajtjen në Bruksel, takimin me shumë njerëz të rëndësishëm i jep shpresën e duhur Shqipërisë dhe e vë vendin tonë para një përgjegjësie shumë të madhe.
 
Në jetën e përditshme?
Hap dyert për negociatat për anëtarësimin e plotë. Këndvështrimi i Brukselit vjen me mbështetje më të lartë edhe ekonomike.
 
Detyra më e rëndësishme e Ministrisë së Integrimit veç koordinimit kush është?
Koordinimi është puna kryesore, pasi se duhet të koordinojë çdo ditë me institucionet e vendit dhe Brukselit. MI shtyn përpara të gjitha kërkesat nga Brukseli. MI luan një rol shumë të rëndësishëm mbi imazhin e Shqipërisë.

Po në takimin me Komisionerin për të drejtat e njeriut në Këshillin e Europës, Nils Muižnieks për çfarë diskutuat?
Biseduam në vija të përgjithshme, në nivel koordinimi dhe bashkëpunimi në procesin e integrimit. Nga ata ëvjen gjithë mbështetja në këtë proces për prioritetet e vendit.
 
Çfarë rezultati pati takimi juaj me ambasadorin grek?
Një takim për marrëdhënie të jashtëzakonshme, ku ambasadori ofroi gjithë ndihmën, ekspertizën e tij për implementimin e reformave, ristrukturimin e duhur. Marrëdhënia mes dy vendeve ka qenë e mirë, por do punojmë për forcimin e marrëdhënieve. Edhe me ato shtete që janë skeptike me Shqipërinë.
 
Vështirësitë e kësaj detyre të re? Duhet të jetë shumë intensive...
Puna është shumë intensive. Si çdo punë e re, jo me problematika të thella, por vështirësi e të kuptuarit dhe hyrjes në thellësi të të gjithë çështjeve, që kanë të bëjnë me integrimin. S’mund të humbim kohë. Çdo mjedis do kohën e vet për t’u ambientuar. Sikur edhe me ambientin e MI e jo më detajet.
 
Ju kemi parë në krah të majtë të kryeministrit Rama. Si shpjegohet?
Kjo do thotë se MI po merr prioritetin e duhur, atë që duhet të kishte. Kjo tregon se duhet të qëndrojë mbi ministritë e linjës si prioritet tepër madhor i kësaj qeverie. Janë dhe 5 zonja në kabinet, dhe kjo na bën të ndihemi mirë, është një hap i madh i Shqipërisë në çështjet e barazisë gjinore. Unë jam kryetare e forumit të gruas në LSI dhe për mua ka qenë prioritet prania e gruas. Jam e bindur se puna e tyre do jetë tepër efikase.
 
Çfarë do t’u këshilloje atyre grave dhe vajzave që druajnë të merren me politikë?

Politika është konceptuar si mjedis mashkullor. Do kohë, do shumë përgjegjshmëri, por jam e bindur që të gjtiha ato gra dhe vajza, rinia duhet të jetë pjesë e politikës. Do shumë punë dhe mund, por rinia dhe gjinia femërore mund ta japin.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)