Forcat izraelite kanë vrarë një adoleshent palestinez gjatë përleshjeve në Bregun Perëndimor të pushtuar. Lajmin e bënë me dije mediat palestineze që shkruajnë se të shtënat të premten erdhën gjatë konfrontimeve midis forcave izraelite dhe palestinezëve në një fshat pranë qytetit të Betlehemit.
Dëshmitarët palestinezë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se një grup të rinjsh palestinezë pranë Betlehemit po gjuanin gurë mbi trupat izraelite, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe të shtëna me armë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë e identifikoi viktimën si 16-vjeçarin Mustafa Sabah. Mësohet se ai është qëlluar në gjoks.
Më herët, ushtria izraelite tha se kishte arrestuar një luftëtar të dyshuar dhe kishte konfiskuar armë në një bastisje në qytetin e Jeninit që çoi në përleshje me luftëtarët palestinezë.
Forcat izraelite thanë se qëlluan mbi të dyshuarit që hodhën mjete shpërthyese ndaj tyre.
Dhjetra të vrarë
Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur këtë vit, me sulme të shpeshta ushtarake izraelite, si dhe sulme palestineze. Më shumë se 90 palestinezë dhe të paktën 19 izraelitë dhe të huaj janë vrarë që nga janari.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, së bashku me Jerusalemin Lindor, në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Që atëherë ajo ka ndërtuar aty vendbanime të mëdha që konsiderohen të paligjshme nga komuniteti ndërkombëtar.
Më herët të premten, ushtria bastisi kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor dhe arrestoi disa palestinezë të dyshuar për përfshirje në sulmet kundër izraelitëve.

