TIRANË, 19 Shtator /ATSH/- Ministria e Bujqësisë, në kuadër të monitorimit të situatës epidemike të "gjuhës blu" në kafshet e imta (dele, dhi), ka vënë në dispozicion të fermerëve udhëzuesin mbi këtë sëmundje.
Sipas dikasterit të Bujqësisë, në këtë udhëzues fermerët gjejnë informacion se çfarë është kjo sëmundje, cilat janë shenjat klinike të sëmundjes së "gjuhës blu", cilat janë metodat diagnostikuese të saj, si dhe masat që duhen marrë për parandalimin e sëmundjes.
Ky informacion ka qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e fermerëve lidhur me sëmundjen e "gjuhës blu" të rishfaqur në Shqipëri.
"Theksojmë faktin se "gjuha blu" është sëmundje vetëm për kafshët dhe nuk prek njeriun. Ajo nuk përhapet në njerëz as me qumësht dhe as me mish", thuhet ne njoftimin e ministrisë së Bujqësisë.
Një sëmundje e ardhur nga Afrika, e cila ka pushtuar të gjithë Ballkanin, gjendet tashmë edhe në Shqipëri. Sëmundja e quajtur "gjuha blu" prek kafshët. Sipas inspektimeve kjo sëmundje nuk transmetohet nga kafshët tek njeriu, por sjell dëme të mëdha në blegtori./e.xh//m.m/







