Gjuha Shqipe, analizë sintakse
që në klasë III, kritikon Memushaj

Gjuha Shqipe, analizë sintakse<br />që në klasë III, kritikon Memushaj
TIRANE - Instituti i Zhvillimit të Arsimit ka publikuar draft projektet se si do të ndërtohen lëndët e arsimit 9-vjeçar, pas formulës së re që do të aplikohet në këtë sistem. Një ndër njohësit më të mirë të gjuhësisë, Rami Memushaj, shprehet për “Shqiptarja.com” se sërish tekstet janë plot me mangësira dhe larg asaj që duhet t’u japin nxënësve.

Specialistët e Arsimit kanë menduar që Gjuha Shqipe të fillojë nga klasa e parë deri në të nëntën dhe Letërsia nga klasa e shtatë deri në të nëntën, sigurisht të ndërthurura me njëra-tjetrën. Sipas Memushjat, i cili analizon vetëm programin e Gjuhës Shqipe, ai është i mbingarkuar duke filluar që nga klasa e tretë.

Sipas tij, problemi është te mungesa e një koncepti metodik apo një koncept metodik kuturu që është ndjekur sidomos këta 20 vjetët e fundit. “Do të duhej që lënda të organizohej me dy cikle apo rrathë koncentrikë (ky në metodikë quhet parim i rrathëve koncentrikë), njëri kl.I-VI dhe tjetri klasa VII-IX.

Brenda secilit cikël duhet ndjekur parimi i linearitetit, dmth. që të mos përsëriten njohuritë nga viti në vit. Kjo e lehtëson dhe punën e mësuesit, sepse cili është ai mësues që mban mend ç'ka thënë vitin e kaluar dhe ç'të re duhet të shtojë në vitin pasardhës.

Kështu, analiza sintaksore nis që në kl. e tretë (ku do të mjaftohej vetëm me gjetjen e dy grupeve kryesore), po aty kërkohet ta zgjedhojnë foljen edhe në të pakryerën dhe të kryerën e thjeshtë etj. Shkurt, gjërat jepen para kohe dhe pa ia përshtatur moshës.

Hyhet thellë në sintaksë, pa marrë njohuritë e duhura nga morfologjia; marrin njohuri për ndërtimin e fjalës në kl.të gjashtë, kur emrin e kanë bërë në klasë të pestë etj.

Dikur, në sistemin 8-vjeçar, që nga klasa e tretë fillonin njohuritë elementare të morfologjisë për të vijuar me klasën e katërt. Në klasën e pestë dhe të gjashtë bëhej fonetika e morfologjia, në të shtatën dhe të tetën sintaksa (sintaksa e periudhës në klasën e tetë, aty bëheshin dhe lidhëzat).

Pra, mungon, për fat të keq, një koncept metodik, ka plagjiatura tekstesh e programesh të huaja. Kjo sëmundje kështu do të vijojë, pasi ne nuk kemi studime në fushën e metodikës dhe ata që bëjnë strategji, nuk janë specialistë të metodikës apo me përvojë në mësimdhënie”, - na shpjegon profesor Memushaj.

Pritet që vitin e ardhshëm shkollor, sistemi shkollor i nëntëvjeçares të ndryshojë sërish. Fillorja nuk do të jetë më 5 vite, por do të bëhet gjashtë dhe 3 vitet e tjera, pra nga klasa e shtatë deri në të nëntën, do të quhen arsim i mesëm i ulët dhe tre vite do të jetë gjimnazi, siç është edhe aktualisht.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 17.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni

Vuani nga rënia e flokëve? Ushqimet që duhet të konsumoni