'Gjuha shqipe të figurojë medoemos', partitë shqiptare kërkojnë ndryshim në Kushtetutën e Maqedonisë

'Gjuha shqipe të figurojë medoemos', partitë shqiptare kërkojnë ndryshim në Kushtetutën e Maqedonisë

Foto ilustruese

Opozita shqiptare në Maqedoni kërkon që përkufizimi në Kushtetutë, “gjuha të cilën e flet bashkësia etnike prej 20 për qind”, të modifikohet dhe të saktësohet se ka të bëjë me gjuhën shqipe. Ata shprehen se është e padrejtë t’iu mohohet kjo e drejtë shqiptarëve,  të cilët nuk po kërkojnë asgjë më shumë se sa të saktësohet se shqiptarët janë autoktonë dhe se gjuha shqipe është zyrtare. Ndonëse kjo gjë është e përcaktuar në amendamentin 7 të Kushtetutës, gjuha shqipe flitet së paku nga 20 për qind e popullsisë, e pikërisht për këtë arsye, opozita shqiptare kërkon përkufizim të saktësuar.

Mendoj se është momenti i duhur për t’u mbyllur çështja e zyrtarizmit të plotë të gjuhës shqipe, për shkak se kjo do të paraqiste një sinjal se marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase janë përmirësuar realisht. Kjo do të jepte një sinjal inkurajues që të dyja komunitetet me shumicë në Maqedoni, përkatësisht maqedonasit dhe shqiptarët, të vazhdojnë me ngulm bashkërisht të punojnë për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, shprehet Arsim Sinani nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike për radion "Evropa e lirë".

Por, kryeministri Zoran Zaev e ka hedhur poshtë kërkesën e partive opozitare shqiptare, nën arsyetimin se amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës duhet të përfshijnë vetëm çështjet që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Prespës.

Shpëtim Pollozhani nga ish-shoqata e të burgosurve politik, i cili njëherësh përfaqëson dhe Forumin e Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni, arsyeton se partitë politike shqiptare në opozitë po mbajnë një qëndrim të vakët.

Këtë gjë e ka lexuar edhe Zaevi, prandaj dhe po luan ‘majtap’ me partitë opozitare. Partitë politike në opozitë nuk janë konsekuente në qëndrimet e tyre, nuk lënë aspak përshtypjen se janë të vendosura të ndërmarrin ndonjë hap më radikal, sikurse mund të jetë refuzimi i mbështetjes së amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës. Pra, faji kryesor është te moskonsekuenca e partive politike shqiptare, mungesa e vizionit, mungesa e partive politike serioze. Përkatësisht ne kemi parti politike që bëjnë pazare ditore si ujku, ‘nëse del diçka hanë, nëse jo ngordhin’, përkatësisht shuhen.

Shpëtim Pollozhani nga ish-shoqata e të burgosurve politik

Propozimet e Qeverisë do të ndryshojnë vetëm katër amendamentet e Kushtetutës si dhe do të zyrtarizojnë emërimin e shtetit maqedonas me emrin “Maqedonia e Veriut”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

'Klanet, korrupsioni dhe arroganca e organizatorëve!', Barrikada FC tërhiqet nga çdo garë e FSHF dhe Sunday League Albania

'Klanet, korrupsioni dhe arroganca e organizatorëve!', Barrikada FC tërhiqet nga çdo garë e FSHF dhe Sunday League Albania