Hyrje: një ftesë për debat mbi kufijtë e mandatit

Ky shkrim synon të hapë një debat juridik mbi kuptimin dhe zbatimin e rregullave kushtetuese për mandatet, veçanërisht kur zgjedhja ose emërimi i pasardhësve vonohet. Qëllimi nuk është të vihet në diskutim legjitimiteti i funksionarëve apo veprimtaria e institucioneve të veçanta.

Në këtë kuadër, shtrohen disa pyetje thelbësore. Kur fillon dhe kur përfundon një mandat kushtetues? A përfundon bashkë me mandatin edhe e drejta për të ushtruar funksionin? A mund të vazhdojë një funksionar në detyrë pas mbarimit të mandatit, edhe kur Kushtetuta nuk e parashikon shprehimisht? Kur pasardhësi zgjidhet me vonesë, a fillon për të një mandat i plotë, apo duhet të respektohet cikli kushtetues i përtëritjes së institucionit? Dhe, mbi të gjitha, a mund të ndikojë vonesa në zgjedhjen ose emërimin e pasardhësit në kohëzgjatjen e mandatit kushtetues dhe në rregullat për vazhdimin e ushtrimit të funksionit?

Këto pyetje prekin kufijtë kohorë të ushtrimit të pushtetit, legjitimitetin e funksionarëve dhe vazhdimësinë institucionale. Në disa institucione, mandati lidhet edhe me përtëritjen periodike të përbërjes. Vonesa në zgjedhjen e pasardhësit mund të zgjasë ushtrimin e funksionit pas përfundimit të mandatit, të ndikojë në ciklin e përtëritjes ose të lërë vende vakante.

Kushtetuta nuk parashikon të njëjtën zgjidhje për çdo institucion. Në disa raste lejon vazhdimin në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, në të tjera parashikon zëvendësimin, ndërsa për funksione të caktuara hesht. Analiza synon të tregojë se respektimi i mandatit kërkon edhe zgjedhjen ose emërimin në kohë të pasardhësit.

1.            Mandati dhe ushtrimi i funksionit: dallimi juridik në përfundim të tyre.

Kushtetuta nuk ndjek një model të vetëm për fillimin dhe përfundimin e mandateve. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë pas zgjedhjeve dhe përfundon pas katër vjetësh, ndërkohë që Kuvendi vazhdon në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri. Mandati i deputetit fillon me shpalljen si i zgjedhur, ndërsa ushtrimi i detyrës lidhet me betimin. Mandati i Presidentit të Republikës fillon me betimin, por jo përpara përfundimit të mandatit të paraardhësit. Në rast vakance, Kushtetuta parashikon ushtrimin e përkohshëm të funksionit nga Kryetari i Kuvendit. Kryeministri dhe ministrat nuk kanë mandate individuale me afat të fiksuar dhe vazhdojnë në detyrë sipas rregullave kushtetuese.

Këto zgjidhje tregojnë se përfundimi i mandatit nuk sjell domosdoshmërisht përfundimin e menjëhershëm të ushtrimit të funksionit. Kur Kushtetuta lejon vazhdimin në detyrë, ai mbështetet në një bazë të veçantë kushtetuese dhe nuk nënkupton zgjatjen e mandatit.

Ky dallim merr rëndësi kur vonohet zgjedhja ose emërimi i pasardhësit. Sipas rregullimit kushtetues përkatës, funksionari mund të vijojë ligjërisht detyrën, të zëvendësohet përkohësisht ose të krijohet një vakancë.

2. Gjykata Kushtetuese: përtëritja periodike si detyrim kushtetues

Vonesat në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese kanë ngritur një çështje me rëndësi të veçantë: a mund të ndikojë emërimi i vonuar i pasardhësit në kohëzgjatjen e mandatit individual dhe në ciklin kushtetues të përtëritjes së Gjykatës? Problemi lind nga nevoja për të harmonizuar mandatin nëntëvjeçar të gjyqtarit me përtëritjen e një të tretës së përbërjes çdo tre vjet, mekanizëm që synon të garantojë vazhdimësinë institucionale dhe ndryshimin periodik të përbërjes.

Në vendimet nr. 84/2024, nr. 60/2025 dhe nr. 65/2025, Gjykata Kushtetuese ka trajtuar këtë problematikë, duke i dhënë përparësi ruajtjes së ciklit kushtetues të përtëritjes. Ky qëndrim meriton të mbështetet, pasi përtëritja periodike nuk kërkon vetëm zëvendësimin e gjyqtarëve, por edhe respektimin e kohës së përcaktuar për të.

Rëndësia e këtij standardi bëhet edhe më e dukshme në rastin e vakancës së krijuar pas dorëheqjes së një gjyqtareje në shtator 2024. Paqartësia fillestare e Kuvendit për kohëzgjatjen e mandatit që duhej plotësuar, në raport me ciklin kushtetues të përtëritjes, nxori në pah vështirësitë e zbatimit të këtij mekanizmi. Ndërkohë, mosplotësimi i vendit vakant për më shumë se dy vjet ka sjellë funksionimin e Gjykatës me përbërje të paplotë, duke krijuar rrezikun e ndarjes së barabartë të votave dhe të pamundësisë së formimit të shumicës së nevojshme për vendimmarrje.

Ky standard interpretues ka rëndësi edhe për institucionet e tjera me përtëritje periodike, veçanërisht për KLGJ-në dhe KLP-në, duke mbajtur parasysh veçoritë e rregullimit të tyre kushtetues.

3. KLGJ dhe KLP: mandati individual përballë ciklit kushtetues të përtëritjes

Problematika e përtëritjes periodike shfaqet edhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Dispozitat kalimtare të nenit 179 të Kushtetutës parashikuan mandate fillestare trevjeçare për një pjesë të anëtarëve të secilit këshill, krahas mandateve pesëvjeçare, duke krijuar dy cikle të dallueshme të përtëritjes së përbërjes, me përfundim përkatësisht në dhjetor 2021 dhe dhjetor 2023.

Në praktikë, zgjedhja e disa anëtarëve pasardhës, veçanërisht e atyre jomagjistratë nga Kuvendi, u realizua me vonesë. Për vendet e liruara në dhjetor 2021, pasardhësit u zgjodhën gjatë vitit 2022, ndërsa për disa mandate të përfunduara në dhjetor 2023, zgjedhja u krye në korrik 2024. Këto vonesa ngritën një çështje me rëndësi kushtetuese: a fillon për anëtarin e zgjedhur me vonesë një mandat i plotë pesëvjeçar, apo kohëzgjatja e tij duhet të harmonizohet me ciklin e përtëritjes së pjesshme të këshillave?

Sipas një interpretimi, çdo anëtar pasardhës gëzon mandatin e plotë pesëvjeçar, të llogaritur nga data e fillimit. Sipas një interpretimi tjetër, kohëzgjatja e mandatit duhet të harmonizohet me skemën kushtetuese të përtëritjes, në mënyrë që vonesat në zgjedhje të mos cenojnë periodicitetin e përtëritjes së përbërjes së institucionit.

Më bindës paraqitet interpretimi që ruan ciklin kushtetues të përtëritjes. Edhe pse jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese është zhvilluar për përbërjen e saj, arsyetimi mbi respektimin e kohës së përtëritjes ofron orientim për interpretimin e nenit 179 të Kushtetutës, duke mbajtur parasysh veçoritë e KLGJ-së dhe KLP-së.

Nga ana tjetër, parashikimi kushtetues që anëtari vazhdon në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit garanton vazhdimësinë institucionale, por nuk përcakton vetvetiu kohëzgjatjen e mandatit të këtij të fundit. Prandaj, kjo garanci e vazhdimësisë nuk duhet të interpretohet në mënyrë që vonesat në zgjedhjen e pasardhësve të ndikojnë në skemën kushtetuese të përtëritjes së institucionit.

4. Gjykata e Lartë: vonesat në emërim, vazhdimësia në detyrë dhe vakancat

Vonesat në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë kanë krijuar situata në të cilat ushtrimi i detyrës ka vijuar për një kohë të gjatë pas përfundimit të mandatit nëntëvjeçar. Ndryshe nga institucionet me përtëritje periodike të përbërjes, Kushtetuta e lejon shprehimisht këtë vazhdimësi deri në emërimin e pasardhësit. Kjo garanci siguron funksionimin e pandërprerë të Gjykatës, pa nënkuptuar zgjatjen e mandatit kushtetues.

Për të shmangur zgjatjen e kësaj gjendjeje, parashikohet nisja e procedurave të zëvendësimit përpara përfundimit të mandatit. Megjithatë, në praktikë ka pasur gjyqtarë që kanë vijuar detyrën për më shumë se tre vjet pas përfundimit të tij. Legjitimiteti i ushtrimit të funksionit në këto raste nuk vihet në dyshim. Ajo që kërkon vëmendje është vonesa në përmbushjen e detyrimit për emërimin e pasardhësit.

Vonesat në emërim kanë edhe një pasojë tjetër, veçanërisht në rastet kur krijohen vende vakante për shkak të përfundimit të parakohshëm të mandatit. Ndryshe nga vazhdimi në detyrë, vakanca e paplotësuar zvogëlon përbërjen efektive dhe kapacitetin gjykues të institucionit. Megjithëse juridikisht të dallueshme, të dyja situatat kërkojnë përfundimin në kohë të procedurave të emërimit. Problemi nuk qëndron te vazhdimi në detyrë, të cilin Kushtetuta e lejon, por te vonesat që e zgjasin këtë gjendje ose lënë vakanca të paplotësuara, duke ndikuar në kapacitetin gjykues të Gjykatës.

5. Prokurori i Përgjithshëm: a mund të vazhdojë ushtrimi i detyrës pas përfundimit të mandatit?

Vonesa në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm ngre një dilemë kushtetuese: a mund të përligjë nevoja për vazhdimësinë institucionale qëndrimin e titullarit në detyrë pas përfundimit të mandatit shtatëvjeçar, kur Kushtetuta, ndryshe nga rasti i Gjykatës së Lartë, nuk e parashikon shprehimisht këtë mundësi?

Sipas një interpretimi, nevoja për funksionimin e pandërprerë të institucionit mund të përligjë qëndrimin e përkohshëm të titullarit deri në zgjedhjen e pasardhësit. Më bindës, megjithatë, paraqitet interpretimi që dallon vazhdimësinë e institucionit nga vazhdimi personal në detyrë i titullarit. Mungesa e një autorizimi të shprehur merr rëndësi të veçantë në interpretimin sistematik të Kushtetutës, e cila për funksione të tjera e ka parashikuar një mundësi të tillë. Neni 148/a parashikon një mekanizëm për shmangien e bllokimit të zgjedhjes, duke përcaktuar se, nëse Kuvendi nuk vendos brenda tridhjetë ditëve nga paraqitja e propozimeve të KLP-së, kandidati i renditur i pari shpallet i emëruar. Në të njëjtën logjikë, ligji nr. 97/2016 kërkon shpalljen e procedurës së përzgjedhjes të paktën katër muaj përpara përfundimit të mandatit. Këto rregullime tregojnë synimin për të siguruar zgjedhjen në kohë të pasardhësit, pa e lënë vazhdimësinë institucionale të varet nga qëndrimi në detyrë i titullarit.

Natyra monokratike e funksionit të Prokurorit të Përgjithshëm e bën të rëndësishëm mekanizmin e zëvendësimit. Neni 39 i ligjit nr. 97/2016 parashikon zëvendësimin kur vendi është përkohësisht i lirë, duke kufizuar detyrat e zëvendësit në ato të nevojshme për funksionimin dhe përfaqësimin e prokurorisë. Në një interpretim që synon respektimin e kufirit kushtetues të mandatit dhe vazhdimësinë e institucionit, kjo dispozitë mund të zbatohet edhe kur mandati i titullarit përfundon pa u zgjedhur pasardhësi. Zëvendësimi, megjithatë, nuk nënkupton kalimin automatik të të gjitha kompetencave kushtetuese të titullarit te zëvendësi. Shtrirja e tyre përcaktohet nga kufijtë që vendosin Kushtetuta dhe ligji.

Kjo zgjidhje, megjithëse më bindëse se vazhdimi personal në detyrë i titullarit pas përfundimit të mandatit, mbetet e përkohshme dhe nuk mund të zëvendësojë zgjedhjen në kohë të Prokurorit të Përgjithshëm. Vonesat në këtë proces krijojnë pasiguri juridike dhe rrezikojnë funksionimin normal të institucionit.

6. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme: mandati nëntëvjeçar përballë vazhdimësisë së hetimeve

Për prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, problemi nuk lidhet me vonesën në emërimin e pasardhësve, por me përfundimin e mandateve për një numër të konsiderueshëm prokurorësh brenda një periudhe të shkurtër. Kjo shtron një pyetje me rëndësi kushtetuese: a mund të përligjë nevoja për vijimin e hetimeve qëndrimin në funksion të prokurorit të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tij?

Neni 148/dh i Kushtetutës parashikon emërimin e prokurorëve të posaçëm për nëntë vjet, pa të drejtë riemërimi. Përfundimi i këtij mandati nuk sjell, në vetvete, humbjen e statusit të magjistratit, por ruajtja e këtij statusi nuk është e barasvlershme me të drejtën për të vijuar ushtrimin e funksionit në Prokurorinë e Posaçme. Në dallim nga rregullimi për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht që prokurori i posaçëm të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e pasardhësit. Për këtë arsye, nevoja për vazhdimësinë e hetimeve, sado e rëndësishme, nuk mund të shërbejë vetvetiu si bazë për zgjatjen e mandatit.

Në vitin 2028 pritet të përfundojnë mandatet e të paktën 11 prokurorëve të posaçëm. Kalimi i hetimeve komplekse te prokurorë të tjerë mund të vështirësojë vijimësinë e procedimeve dhe njohjen e provave. Pyetja që lind është se a duhet që kjo nevojë praktike të ndikojë në kohëzgjatjen e mandatit kushtetues, apo zgjidhja duhet kërkuar në një mekanizëm tjetër juridik?

Një zgjidhje që meriton shqyrtim është mundësia e transferimit të përkohshëm në Prokurorinë e Posaçme të prokurorëve që kanë përfunduar mandatin nëntëvjeçar. Neni 46, pika 3, i ligjit nr. 96/2016 lejon transferimin e përkohshëm në Prokurorinë e Posaçme të prokurorëve nga prokuroritë e shkallës së parë, për të punuar në çështje voluminoze dhe komplekse. A mund të përfshihen në këtë mekanizëm edhe ish-prokurorët e posaçëm, të cilët, pas përfundimit të mandatit, vijojnë karrierën si magjistratë? Një mundësi e tillë do të kërkonte jo vetëm plotësimin e kushteve ligjore të transferimit, por edhe përcaktimin e qartë të kompetencave që ish-prokurori i posaçëm mund të ushtronte pas përfundimit të mandatit. Formulimi aktual i dispozitës nuk jep një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë situatë. Edhe nëse plotësohen kushtet ligjore të transferimit, mbetet çështja nëse dhe deri ku mund të vijojnë ata punën në hetimet e mëparshme, pa ushtruar përsëri kompetencat e prokurorit të posaçëm, mandati kushtetues i të cilit ka përfunduar.

Çështja është nëse vijimësia e hetimeve mund të garantohet pa cenuar mandatin nëntëvjeçar. Prandaj, përpara përfundimit të mandateve duhen shqyrtuar mekanizmat ekzistues dhe, nëse nevojitet, një rregullim ligjor më i qartë për kalimin e çështjeve.

Përfundim: një debat që mbetet i hapur

Mandati kushtetues është garanci për kufizimin e pushtetit, legjitimitetin e ushtrimit të tij dhe përtëritjen e institucioneve. Dallimet ndërmjet rregullimeve kushtetuese kërkojnë zgjidhje që respektojnë njëkohësisht kufijtë e mandatit dhe vazhdimësinë institucionale. Debati duhet të vijojë edhe për mundësinë e ndërhyrjeve ligjore që, në përputhje me Kushtetutën, të parandalojnë pasojat e vonesave në zgjedhjen ose emërimin e pasardhësve. Mbetet, megjithatë, një pyetje thelbësore: A mundet që vonesa e institucioneve në përmbushjen e detyrimeve të tyre të ndryshojë kufijtë kohorë të mandateve të përcaktuar nga Kushtetuta?