Presidenti malazez, Milo Gjukanoviç në një deklaratë për mediat e huaja ka thënë se Mali i Zi po përballet aktualisht me problemet e nacionalistëve serbë të cilët kërkojnë të zbatojnë projektin e Serbisë së Madhe.
Në një intervistë të dhënë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në vend, Gjukanoviç tha se “koncepti i “Botës Serbe” është vetëm një kopje e “Botës Ruse” në Ballkan.
“Nacionalistët serbë supozojnë se Mali i Zi është pjesë e projektit të tyre historik”, tha i pari i shtetit malazez.
Më tej ai u shpreh se Rusia nuk ka mundur të ndalë në rrugën e Malit të Zi drejt NATO-s dhe nuk ka reshtur përpjekjet për destabilizimin e vendit duke shpresuar se me këtë përpjekje të mund të destabilizojnë Aleancën e Atlentikut dhe të nxisin luftë hibride në Ballkan.
“Meqenëse Moska dhe Beogradi nuk arritën në këto zgjedhje presidenciale të shtyjnë kandidatin që e mbështetin në raundin e dytë, ata e kanë zhvendosur fokusin te kandidati me një ideologji të ngjashme, një ideologji që fsheh synimet e tij pas një narrative të lehtë populiste. Mbështetja që ai merr nga qarqet e nacionalistëve të Serbisë së Madhe tregon prirjet e tij të vërteta politike”, shtoi Gjukanoviq.
Të dielën mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale malazeze ku Gjukanoviç do të përballet me Jakov Milatoviçin.