Një vendbanim i ri arkeologjik është zbuluar në Lushnje. Sipas postimit në rrjete sociale të ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, gjurmët e vendbanimit që i përket periudhës romake deri në antikitetin e vonë, janë gjetur në vendin e quajtur Kodra e Pusit.

“Arkeologët e IKTK-së, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnje, po kryejnë gërmime arkeologjike shpëtimi në vendin e quajtur Kodra e Pusit, pranë fshatit Murizë-Peqin. Gërmimet kanë zbuluar gjurmët e një vendbanimi të rëndësishëm me kohështrirje nga periudha romake deri në antikitetin e vonë. Hulumtimet do të vijojnë për të pasuruar njohuritë mbi historinë dhe zhvillimin e kësaj zone”, shkruan Gonxhja.