Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, janë përfshirë sot në një debat në Kuvend lidhur me projektligjin për Sponsorizimet dhe Donacionet.

Gjatë diskutimit, Gonxhja sqaroi se sponsorizimet për të cilat bëhet fjalë lidhen me pjesën që prek takimin mbi fitimin dhe të ardhurat që i mungojnë buxhetit të shtetit. Ai theksoi se ministria do të jetë e pranishme për të garantuar një minimum kontrolli mbi CV-në, promotorin, eksperiencën dhe besueshmërinë.

“Sponsorizimet për të cilat flasim kanë të bëjnë me atë pjesë që prek takimin mbi fitimin, të ardhur që i mungon buxhetit të shtetit dhe ministria do të jetë aty për të garantuar një minimum kontrolli për CV-në, promotorin, eksperiencën, besueshmërinë... Për pjesën tjetër që përmendet emri im, unë sot jam, nesër nuk jam. Nuk është ligji i Gonxhes”, tha Gonxhja.

Nga ana e tij, Berisha akuzoi ministrin, duke e cilësuar projektligjin si një akt të kleptokracisë dhe krimit.

“Ky ligj që i njeh hajdutit të tretë të vendit pas Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, përbën një akt të shëmtuar të kleptokracisë së krimit. Jam këtu për një seri të dhënash për autorin e autostradës dhe Formula 1 në Elbasan. Ky hajdut me çizme që ka harxhuar mbi 60 milionë euro për një rrugë të shembur. Këtij i besohet 30 milionë i sponsorizimeve. Ky është blerësi me 6500 euro i pishave të bashkisë”, deklaroi Berisha.

Në përgjigje, Gonxhja iu drejtua Berishës me tone ironike, duke kujtuar edhe përplasjet e tyre të mëparshme.

“Me mua të ka ngelur sharra në gozhdë që në vitin 1990 dhe e ke pak personale. Më vjen keq që këta janë akoma nën thundrën tënde”, iu drejtua Gonxhja-Berishës.

Debati vijoi me akuza të tjera nga të dyja palët. Gonxhja pretendoi se raportet audituese që kanë kontrolluar atë në cilësinë e deputetit dhe drejtorit, nuk kanë lënë asgjë pa verifikuar.

“Raportet audituese që kanë kontrolluar deputetin Blendi Gonxhe, drejtorin... nuk kanë lënë asgjë mbrapa. Ti meriton të shkosh në prokurori për ato që the... por do të të durojmë derisa të kesh jetë”, tha Gonxhja.


Lajmi kryesor:

Pr.ligji për Sponsorizimet/ Balla: Prioritet do të jetë sporti, 33 milionë euro për këtë nismë! Tabaku: Duhej bërë me kohë, por duket keqdashësi që është lënë jashtë shoqëria civile