Gjykatës dhe prokurorë në
Kosovë edhe pas EULEX-it

Gjykatës dhe prokurorë në<br />Kosovë edhe pas EULEX-it
PRISHTINË- Kosova mund të ketë nevojë për gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtar edhe pas 14 qershorit, kur misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX, pritet të pësojë një transformim të ndjeshëm. 

Institucionet e Kosovës, patën përgatitur një strategji për marrjen e të gjitha përgjegjësive ekzekutive nga misioni i EULEX-it pas 14 qershorit, por Bashkimi Evropian më pas kishte iniciuar bisedime me qeverinë në Prishtinë për format e tranzicionit të EULEX-it.

Kjo ka bërë të nënkuptohet që në Kosovë, edhe pas 14 qershorit, do të ketë prani të prokurorëve dhe gjykatësve evropian. 

Betim Musliu, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi mendon se Kosova ka nevojë për mbështetjen ndërkombëtare në fushat e drejtësisë për rastet e cilësuara si të “nxehta”.

Aty përfshihen veprat e rënda të krimit të organizuar, korrupsionit politik si edhe krimet e luftës.

Për këto vepra, ai mendon se organet vendase të ndjekjes penale ende nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me to.

“Mendoj se ende duhet të vazhdojë një EULEX në Kosovë dhe pavarësisht formës se si do të jetë dhe si do të quhet, ky mision duhet të ristrukturohet por duhet të jetë gjithsesi prezent sepse është kapitulli i krimeve të luftës i cili nuk mund të përmbyllet nga vendorët dhe po ashtu ka probleme serioze në luftimin e krimit të organizuar dhe nivelin e korrupsionit politik”, ka thënë Musliu për REL.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se mandati i tanishëm i EULEX-it përfundon në mesin e qershorit.

Kurse misioni i ri evropian, ende nuk është emërtuar, por se sipas tij, institucionet e Kosovës tashmë janë të gatshme të ballafaqohen edhe me një situatë të tillë.

“Ne kemi pasur parasysh përfundimin e mandatit të EULEX-it që do të bëhet më 14 qershor të këtij viti dhe për ne nuk është çështje e panjohur që është dashur të diskutohet një evaluim i përbashkët i institucioneve vendase dhe ndërkombëtare për të ardhur te një mision i ri të cilin ende nuk e kemi emërtuar, por besoj që është pjesë e negocimit. Kemi qenë të kujdesshëm që të paraqesim me shkrim pozicionin e qeverisë sonë”, është shprehur Kuçi. 
Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci ka thënë se ky është momenti më i duhur që gjyqtarët vendorë të përballen dhe sfidohen me rastet më të ndjeshme.

Ai nuk e sheh të domosdoshme që Bashkimi Evropian të ketë në Kosovë një mision si EULEX-i, por nuk e përjashton si mundësi që të ketë gjyqtarë ndërkombëtarë në sistemin gjyqësor të Kosovës edhe pas EULEX-it.

“Është me rëndësi, që ndoshta gjyqtarët ndërkombëtarë të jenë në sistemin tonë, por të jenë në kompetencat dhe përgjegjësitë që janë të rregulluara edhe për gjyqtarët vendorë edhe të punojnë bashkërisht në çështjet që i kanë para vetes. Ne, si Gjyqësor vendor, shpresoj dhe besoj shumë shpejt që do të jemi në gjendje të përballemi me raste edhe më të rënda”, ka thënë Peci.

Paaftësia e organeve të ndjekjes penale të Kosovës që të ballafaqohet me rastet e dyshuara si krime të rënda ka shtyrë Bashkimin Evropian që të iniciojë kohët e fundit edhe formimin e një paneli gjykatësish e prokurorësh ndërkombëtar, të cilët do të mblidheshin në një Tribunal për Kosovën i cili do të merrte përsipër hetimet e krimeve të luftës gjatë periudhës 1998 – 1999 si dhe hetimet për krimet e dyshuara politike, kërcënimet dhe vrasjet e dyshuara të dëshmitarëve gjatë periudhës së viteve 2000 – 2001.

Redaksia online
(e.sh/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë