Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës gjatë vitit 2025 është përballur me një ngarkesë të lartë pune, duke regjistruar një numër të konsiderueshëm seancash gjyqësore dhe një përdorim më të madh të sistemit të regjistrimit audio në proceset gjyqësore.
Kjo u bë e ditur nga ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj gjykate, Suzana Cena, gjatë analizës vjetore të institucionit, ku u paraqitën të dhënat kryesore mbi ecurinë e punës dhe performancën e trupës gjyqësore.
“Gjatë vitit 2025 janë gjykuar gjithsej 319 çështje, me një trupë prej rreth 12 gjyqtarësh që aktualisht ka gjykata. Norma e realizimit është në masën rreth 70 për qind”, tha Suzana Cena.
Sipas Cenës, gjatë këtij viti është vënë re një trend në rritje i efikasitetit të punës së trupës gjyqësore, i shoqëruar me një ulje të numrit të çështjeve të reja të regjistruara.
“Është shënuar një rritje e punës së trupës gjyqësore dhe një ulje e çështjeve të reja. Krahasuar me vitin e kaluar, aktualisht kemi 84 çështje më pak në pritje për gjykim në raport me vitin 2024”, shtoi ajo.
Këto të dhëna, sipas drejtuesve të gjykatës, tregojnë një përmirësim të menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe një prirje drejt uljes së stokut të dosjeve të mbartura, pavarësisht ngarkesës së lartë të punës gjatë vitit 2025.
Komente











