Gjykata e Lartë bëhet më 9 anëtarë, Meta dekreton emërimin e gjyqtarit Asim Vokshi! Kim: Të ecim hap pas hapi që Reforma në Drejtësi të sjellë më shumë rezultate

Gjykata e Lartë bëhet më 9 anëtarë, Meta dekreton emërimin e gjyqtarit Asim Vokshi! Kim: Të ecim hap pas hapi që Reforma në Drejtësi të sjellë më shumë rezultate

Asim Vokshi dhe Poli i Lirisë

TIRANË-Gjykata e Lartë bëhet më 9 anëtarë. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e gjyqtarit më të ri të Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi.

Në njoftimin e institucionit të Presidencës bëhet me dije se presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, shpreh rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kuvendit të Shqipërisë, mbi vonesat e pajustifikuara të krijuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore, të cilat dukshëm të krijojnë bindjen se trajtimi ligjor dhe administrativ i procesit të promovimit në karrierë në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit, të cilët ishin dhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, është zvarritur në mënyrë të qëllimtë,  duke i mbajtur ata nën presion të vazhduar politik, deri sa anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të përfundonin dhe të shpreheshin me vendim mbi procedurat ankimore që do t`u paraqiteshin si rezultat i ankimeve mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021.

"Nëse KLGJ do të kishte vepruar me ritme më të shpejta në procesin e vlerësimit me pikë në këtë proces të ngritjes në detyrë të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, do të ishte shmangur çdo dyshim se procesi i promovimit në karrierë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, është shtyrë në kohë, apo përmes ndryshimeve ligjore është deformuar, me qëllim për t’i mbajtur ata nën trysni të vazhduar deri sa të përfundonin procedurat ankimore mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021. Mbi vonesat e pajustifikuara të KLGJ-së për plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e plotë gjyqësore, si dhe lidhur me përpjekjet e mazhorancës për të shtrembëruar implementimin e reformës në sistemin e drejtësisë përmes ndërhyrjeve në legjislacion për të ndikuar në pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor dhe në veçanti të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, Presidenti i Republikës, ka mbajtur qëndrim parimor, konsistent dhe në mënyrë të vazhduar përmes 9 (nëntë) akteve shkresore të bëra publike drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, por dhe përmes Dekretit nr. 11 797, datë 22.10.2020, për kthimin për rishqyrtim të ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor të 5 tetorit realizuar me ligjin nr. 118/2020, si dhe përmes Dekretit nr. 13 023, datë 14.04.2021, “Për kthimin në Kuvend të ligjit nr. 45/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar”", thuhet në njoftim.

"Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe gjithë institucionet e tjera shtetërore të përfshira në këtë proces, duhet të angazhohen seriozisht dhe jashtë çdo ndikimi, për bërjen sa më shpejt dhe plotësisht funksionale të Gjykatës së Lartë.  Funksionimi me trupat e nevojshme gjyqësore të Gjykatave të Apelit, është me rëndësi jetike për vendin. Kjo pjesë e sistemit të drejtësisë është pranuar nga KLGJ dhe aktorët e tjerë se po shkon drejt kolapsit të plotë.  Kjo situatë lidhet direkt me procesin e integrimit europian, stabilitetin e Shqipërisë, si dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, pjesë thelbësore të të cilave janë aksesi i plotë në sistemin e drejtësisë dhe dhënia e drejtësisë brenda një afati të arsyeshëm.  Ndaj dhe vëmendja e KLGJ-së dhe institucioneve të tjera përgjegjëse duhet të jetë e shtuar në këtë drejtim. V.O Për të kuptuar më në themel arsyet e këtij qëndrimi me rezervë të Presidentit të Republikës, bashkëlidhur njihuni me kronologjinë e përmbledhur të rastit", ka përfunduar njoftimi i Presidentit. 

Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 9 (nëntë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.  4 ditë më parë presidenti Meta firmosi dekretin për emërimin e zotit Artur Kalaja, si anëtari  i tetë në Gjykatën së Lartë. Pas këtij emërimi ambasadorja amerikane Yuri Kim e cilësoi si një hap të rëndësishëm të zbatimit të Reformës në Drejtësi. Diplomatja amerikane kujton se me emërimin e anëtarit të 10-të atëhere Gjykata e Lartë do të ketë kuorumin e nevojshëm për të caktuar 3 gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.

Kujtojmë se Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami në një intervistë për Report Tv ka deklaruar para një muaji se brenda korrikut Gjykata e Lartë mund të behet me 10 anëtarë. Gjykata e Lartë u bë me 7 anëtarë në mars të këtij viti, nga 19 që duhet të ketë në total dhe pritet të plotësohet në mars të vitit 2024. Për shkak të mosfunksionimit për disa vite, Gjykata e Lartë ka pësuar një ngërç me dosjet e shumta që presin për t’u shqyrtuar. Pasi gjyakata e lartë është bërë me 9  anëtarë ka reaguar edhe ambasadorja Yuri Kim e cila thotë se duhet të ecim hap pas hapi në mënyrë që reforma në Drejtësi të japë më shumë rezultate.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:24
Gjykata e Lartë me 9 anëtarë, Kim: Të ecim hap pas hapi që Reforma në Drejtësi të sjellë më shumë rezultate

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar pas caktimit të gjyqtarit të 9 të Gjykatës së Lartë. Përmes një postimi në Facebook, Kim thekson se duhet të ecim më tej hap pas hapi në mënyrë që Reforma në Drejtësi të mund të sjellë më shumë rezultate.

"Gjyqtari i 9 -të është emëruar sot në Gjykatën e Lartë. Faleminderit edhe një herë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Presidencës. Le të ecim përpara hap pas hapi, në mënyrë që reforma në drejtësi të mund të sjellë më shumë rezultate dhe që Shqipëria të qëndrojnë në rrugën drejt BE-së,” shprehet më tej Yuri Kim.

 

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor