TIRANË- Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi janë 4 anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë të cilët u dekretuan ditën e sotme nga presidenti Ilir Meta. Me emërimin e katër anëtarëve të rinj, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 7 anëtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, e nisur nga kjo kreu i shtetit ka artikuluar kritika në drejtim të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Kjo sepse sipas Metës, nëse KLGJ ecën me këto ritme, kjo gjykatë do të plotësohet në mars të vitit 2024.
"Ka kaluar plot 1 (një vit) nga momenti i propozimit nga KLGJ, të emërimit të 3 anëtarëve të parë në Gjykatën e Lartë. Nëse KLGJ do të ndjekë këtë ritëm, atëherë Gjykata e Lartë, do të plotësohet me të gjithë trupën gjyqësore, në mars të vitit 2024! Kjo gjendje është e papranueshme për Presidentin e Republikës dhe duhet t’i shqetësojë të gjithë", shkruan Meta.
Gjykata e Lartë për shkak të pafunksionimit disa vite, ka pësuar një ngërç me dosjet, ku presin plot 35 mijë çështje gjyqësore për t’u shqyrtuar, e nisur nga kjo Meta i ka bërë thirrje KLGJ-së për të përshpejtuar procesin e plotësimit të Gjykatës së Lartë, "pasi lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, por nga ana tjetër përbën një çështje jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë".
"KLGJ duhet të angazhohet me seriozitet, për të vijuar me ritme më të shpejta procedurat për emërimet e tjera në Gjykatën e Lartë, duke vepruar me pavarësi, integritet, dhe transparencë, për plotësimin sa më shpejt të Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore dhe për t’i ofruar njëkohësisht kësaj Gjykate të gjithë mbështetjen e nevojshme.
Gjykata e Lartë përballet me një sfidë shumë të madhe, për të përmbushur detyrimin për të shqyrtuar një numër të lartë çështjesh të mbartura. (rreth 35 mijë çështje gjyqësore që presin shqyrtimin). Presidenti i Republikës, vlerëson të risjellë edhe njëherë në vëmendje të anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë institucioneve të tjera të përfshira në këtë proces, se bërja sa më shpejt dhe plotësisht funksionale e Gjykatës së Lartë, është me rëndësi jetike për vendin, dhe lidhet direkt me integrimin Europian dhe stabilitetin e Shqipërisë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Plotësimi me të gjithë trupën e nevojshme gjyësore të Gjykatës së Lartë duhet të jetë prioriteti kryesor i Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me mirëfunksionimin e sistemit gjyqësor, respektimin e të drejtave e lirive themelore të njeriut, dhe ruajtjen e stabilitetit ekonomiko-financiar të shtetit Shqiptar, por nga ana tjetër përbën një çështje jetike për të ardhmen europiane të Shqipërisë", thuhet në njoftim.
Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi janë gjyqtarë të GJKKO-së, e cila tashmë do të mbetet vetëm me 6 anëtarë, të gjitha gra.
7 anëtarët e Gjykatës së Lartë
Sokol Sadushi
Ervin Pupe
Ilir Panda
Sokol Binaj
Albana Boksi
Sandër Simoni
Klodian Kurushi
Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka reaguar pas dekretimit të 4 anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
"Urime për 4 gjyqtarët e rinj të Gjykatës së Lartë duke u bërë gjithsej 7. Gjykata e Lartë tani mund të mbajë seanca për çështje penale, civile dhe administrative. Falë Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili duhet të vijojë emërimet. Faleminderit dhe presidentit Ilir Meta për betimin pa humbur kohë. Reforma në Drejtësi po ecën përpara", shkruan Kim.
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka reaguar pas përzgjedhjes së katër gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Gjonaj e cilëson këtë si një tjetër rezultat të suksesshëm të Reformës në Drejtësi.
‘Një tjetër rezultat i suksesshëm i zbatimit të Reformës në Drejtësi, përzgjedhja e katër gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë nga Këshilli I Lartë Gjyqësor. Plotësimi i Gjykatës së Lartë është një prioritet për të gjithë ne dhe që do të duhet të vijohet në muajt në vijim me vakancat e tjera. Tashmë dhe me frymëmarrjen që do të japin ndryshimet e reja ligjore për Gjykatën e Lartë, do të jetë e mundur shqyrtimi i dosjeve në kohë më të shpejtë.
Suksese katër anëtarëve të rinj të kësaj Gjykate në detyrën e tyre, e cila mbart shumë përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë. Rezultatet e reformës në Drejtësi vijojnë! Falenderime për mbështetjen partnerëve tanë të përkushtuar tek rezulatet e Reformës në Drejtësi U.S. Embassy-Tirana, European Union in Albania dhe të gjithë aktorët e tjerë të angazhuar.’- shkruan Gjonaj.
Ambasadori i Bashkimi Europian, Luigi Soreca ka reaguar pas dekretimit nga presidenti Ilir Meta të 4 anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë.
"Mirëpresim dekretimet e presidentit Ilir Meta për 4 emrat e rinj të Gjykatës së Lartë, pas propozimit të KLGJ. Tani është e rëndësishme që të procedohet me shpejtësi me emërimet e mëtejshme në Gjykatë. BE do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për KLGJ-në për të arritur këtë objektiv", shkruan Soreca.
Po me ate juristen me dokumenta fallco per deklarimin e pasurise Sonila Bejtja qe ska bere asnje gjyq ne jeten e saj, dhe nuk ka kaluar ne veting si do i behet se eshte dhe militante e leshitlikes. Kjo eshte gjykatesja me e pakuptimte ne kushtetuese.
Përgjigju