TIRANE- Disa muaj pasi Gjykata e Lartë vendosi të shpallë moskopetencën dhe të ndërpresë gjykimin e mijërave dosjeve, duke i kaluar ato në gjykatën Administrative, një vendim i fundit i kësaj gjykate, kalon në gjykatën Administrative dhe disa çështje që kanë si objekt problemet me pronat.

Të vetmet dosje që nuk i kalojnë gjykatës Administrative, janë ato që kanë lidhje me Agjencisë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo pasi sipas vendimit të Gjykatës së Lartë këto dosje janë komplekse dhe duhet të gjykohen nga gjykatat e shkallës së parë ku padisi ka vendbanimin.

Vendimi unifikues është marrë gjatë gjykimit të dosjes së shtetasve Haziz Kuka dhe Aqif Kuka,të cilët kanë paditur në gjykatë AKKP Dibër, për rikthimin e 9 hektarëve me emërtim “Rrethe Baz”. “Kur në objektin e gjykimit kundërshtohet vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave apo Agjencisë Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, kjo çështje do të konsiderohet si mosmarrëveshje civile dhe do të shqyrtohet nga gjykata që ka kompetencë gjykimin e mosmarrëveshjeve civile”-thuhet në vendimin e gjykatës.

Më tej në vendim thuhet se kur në objektin e gjykimit ka disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative dhe këto kërkime konstatohet nga gjykata se janë një bashkim i ndërvarur mes tyre, atëherë referuar nenit 55 të K.Pr.Civile dhe nenit 24 të Ligjit 49/2012 dhe zbatimit të parimit “lex specialis derogat generali”, gjykata kompetente është si më poshtë: kur në objektin e gjykimit pala paditëse, ndër të tjera, ka për objekt kundërshtimin e një akti administrativ dhe nga pasojat e aktit prodhohen pasoja civile, në çdo rast kompetente është gjykata administrative.

Kur një ndër objektet e gjykimit është një kërkim me natyrë civile, por që është i lidhur ngushtë me aktin administrativ dhe pasojat e këtij akti kanë ardhur nga vullneti shtetëror, atëherë përsëri gjykatë kompetente është gjykata administative. Kur objektet e tjera të padisë jo të natyrës së mosmarrëveshjes administrative janë të ndërvarur nga pasojat e aktit administrativ edhe në këtë rast kjo të çon tek kompetenca e gjykatës administrative.

Kur nga objekti dhe shkaku ligjor i padisë mosmarrëveshja objekt gjykimi rezulton të jetë e natyrës civile dhe si rezultat i zgjidhjes së pasojave të çështjes me natyrë civile mund të urdhërohet kryera e disa veprimeve administrative, si p.sh. urdhërimi i Z.V.R.P.P.-së për kryer fshirjen apo regjistrimin e një prone të caktuar ,atëherë shqyrtimi i këtyre çështjeve do të jetë në kompetencë të gjykatës që shqyrton mosmarrëveshjet civile.

faksimile

Shkrimi u publikua sot (18.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)