Gjykata e Lartë më 2024, Sadushi: Kemi ulur me 50% stokun e dosjeve, këtë vit u dhanë 7639 vendime! Mbi 74% e rekurseve dështuan, 449 çështje për gjyqtar

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, mbajti sot (30 Dhjetor) një konferencë për mediat, me rastin e mbylljes së vitit 2024.

Ai foli për veprimtarinë e institucionit gjatë 12 muajve dhe prioritetet për vitin 2025, ku në vëmendje ka qenë  ulja e stokut të çështjeve. Ai tha se ‘Gjykata e Lartë mban rekordin, sepse ka reduktuar në 50% numrin e çështjeve të prapambetura, që prisnin shqyrtimin 4 vjet më parë’.

Sadushi vuri theksin edhe te praktika gjyqësore, siguria, rritja e legjitimitetit institucional, pavarësia, paanshmërinë, efektiviteti, llogaridhënia dhe transparenca. 

“Këto objektiva kanë si qëllim fundor dhënien e drejtësisë së paanshme, profesionale, në kohë sa më të shpejtë, si elementë përbërës të aksesit në drejtësi”, tha ai. 

Gjykata e Lartë ka dhënë 32393 vendime në katër vjet, që për Sadushin konsiderohet si ‘tejkalimi i backlogut’, i cili aktualisht është ulur në 18,665 çështje. 

“Kjo ulje e ndjeshme e numrit të çështjeve të prapambetura kërkon një volum pune të konsiderueshëm, por edhe një strategji koherente e frytdhënëse, që falë bashkëpunimit me projektin që mbështetet nga Departamenti i Shtetit, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit pranë Ambasadës së SHBA, ka rezultuar i suksesshëm”, u shpreh ai. 

Për vitin 2024 janë dhënë 7639 vendime gjyqësore, nga të cilët 2875 vendime i përkasin Kolegjit Civil, 2591 vendime të Kolegjit Administrativ dhe 2173 vendime të Kolegjit Penal. 

“Për këtë vit janë regjistruar 2448 çështje të reja dhe në këtë shifër duhej të ishte sipas standardit ndërkombëtar edhe numri i vendimeve gjyqësore, ndërkohë që janë dhënë 7639 vendime, ose 3 herë më shumë se norma e rendimentit për gjyqtar. Gjykata e Lartë ka mbi 3 vjet që tejkalon standardin ndërkombëtar, duke arritur për 2024 një normë të likuidimit të çështjeve prej 312% dhe me një ngarkesë për çdo gjyqtar me një shifër rekord, afro 449 vendime në vit”, tha Sadushi. 

Ai sqaroi se në procedurë zbatohet kriteri kronologjik i çështjeve, një standard i vendosur nga kjo gjykatë, por pa penguar gjykimin e çështjeve me përparësi, si rekurset e veçanta, çështjet e pezulluara, çështjet familjare, të pronës, masat e sigurimit personal, vendimet për ekstradime, apo çështjet që i përkasin shtresave më vulnerabël, si pensionistët, apo të larguarit padrejtësisht nga puna. 

Sadushi tha se nuk e kaluan testin 74% e rekurseve në Kolegjin Civil, 79% në Kolegjin Administrativ dhe 87% në Kolegjin Penal.  

“Transparenca mbetet orientim kryesor për Gjykatën e Lartë. Sistemi i drejtësisë bëhet më i aksesueshëm dhe i hapur për qytetarët, jo vetëm përmes vendimeve, por edhe përmes mënyrës se si funksionon dhe i qaset publikut. Gjykata e Lartë cilësohet si institucioni më i hapur dhe më transparent brenda sistemit. Përmes publikimit në kohë reale në faqen zyrtare të vendimeve dhe botimeve të posaçme, si dhe shpërndarjes periodikisht të buletinit informativ elektronik me vendimet më të spikatura, Gjykata e Lartë po synon të bëjë më të mirën e mundshme”, tha Sadushi. 

Por ai vuri theksin edhe te mjetet e reja që kërkohen për më shumë efikasitet, si Baza e të Dhënave të Vendimeve të Gjykatës së Lartë, një platformë elektronike, e emërtuar #JUDIX, që mundëson kërkimin dhe aksesin në vendime, e që do plotësohet me një numër të konsiderueshëm vendimesh të 10 viteve të fundit, do të jetë e aksesueshme edhe për publikun e gjerë. 

Sadushi dha edhe lajmin se Gjykata e Lartë do të organizojë në Tiranë, në muajin qershor 2025, Konferencën Vjetore të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore. 

“Mesazhi im është i qartë: Drejtësia është themeli i shoqërisë dhe ne jemi të vendosur ta bëjmë atë një model, që jep besim, siguri dhe krenari për qytetarët tanë”, përfundoi Sadushi, duke falenderuar edhe mediat, të cilat në raportimet e tyre i cilësoi si partnerë.

A.Q/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • hasaj: 31/12/2024 13:12

    kemi 6 vite rekursi dhe nuk shohim asnje pergjigje.

    Përgjigju
  • Mikel: 30/12/2024 17:16

    Karrieristi me i madh ne sistemin e drejtesise.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?



×

Lajmi i fundit

Aksident në aksin nacional Korçë-Pogradec, policia drejt vendngjarjes

Aksident në aksin nacional Korçë-Pogradec, policia drejt vendngjarjes