TIRANE- Opozita vë kusht zbatimin e vendimeve të tre shkallëve të gjyqësorit për Këshillin e Qarkut të Fierit, për miratimin e pr/ligjit për Gjykatën e Lartë. Diskutimi i këtij projektligji sot në Komisionin e Ligjeve u shoqërua me debate mes deputetëve PD e PS. Më pas kryetari i Komisionit shtyu për nesër votimin e pr/ligjit të domosdoshëm për funksionimin e Gjykatës Administrative dhe kusht nga Brukseli

DEBATI XHAFAJ- RUSMALI- FINO

Debatet u zhvilluan mes nënkryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, deputetit socialist Bashkim Fino dhe kryetarit të këtij komisioni Ilir Rusmali.
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj tha se nuk do të votojë draftin nëse nuk bëhen ndryshimet thelbësore.
“Projektligji për Gjykatën e Lartë është detyrim i funksionimit të shtetit. Nuk mund ta miratojmë thjesht dhe vetëm se na e kërkon BE-ja”- deklaroi Xhafaj.
“Të enjten e humbën një seanca nga mungesa juaj. Ligji për Gjykatën e Lartë po pengon procesin për funksionimin e Gjykatës Administartive jo vetëm se na e kërkon BE”- deklaroi Rusmali.

“Nuk jemi këtu për të zgjidhur hallet e Gramozit”- shtoi më tej Rusmali, duke iu referuar vendimeve të gjykatave për këshillin e qarkut të Fierit. Në replikë Fino u përgjigj: Nuk i zgjidh t'i hallet e opozitës. Hallet tona zgjidhen nëse do Berisha.” Në kundërpërgjigje Rusmali u përgjigj: Nëse nuk doni të votoni hajde ta heqim nga kalendari”

Më pas opozita u largua dhe mazhoranca nisi diskutimin e projektligjit “Për nëpunësin civil” dhe projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore”.

SUBASHI: FILLIMISHT TE ZBATOHEN VENDIMET PER KESHILLIN E QARKUT FIER

Deputeti socialist, Armando Subashi, anëtar i komisionit të Ligjeve në një prononcim për tv A1 Report shpjegon dhe arsyet e largimit të opozitës nga Komisioni.
“PD e PS duhet të dëshmojmë një vullnet politik që jemi të gatshëm të zbatojmë Vendimet e Gjykatës së Lartë. Duke nisur nga rasti më konkret që mbahet qëllimisht dhe kundrejt një vendimi politik i Sali Berishës. Çfarë vlere do të kishte nëse pushteti ekzekutiv dhe legjislativ do të injoronte këto vendime? Nuk mu të vazhdohet me dy standarde. ”- deklaroi Subashi duke iu referuar mos zbatimit të vendimeve të tre shkallëve të gjyqësorit për Këshillin e Qarkut të Fierit, i cili ndonëse është fituar nga përfaqësuesi socialist vazhdon të mbahet nga PD.

DISKUTIMI NE KOMISIONIN E INTEGRIMIT

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë” do të diskutohet në orën 11:00 edhe në Komisionin e Integrimit.

(sg/shqiptarja.com)