Pas skandaleve të fundit dhe akuzave për manipulim të zgjedhjeve, Gjykata Penale e Tiranës ka pezulluar sot Armand Dukën nga ushtrimi i detyrës së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Por, ndryshe nga pesë vendimet e mëparshme të gjykatave, të cilat kanë qenë të karakterit civil, vendimi i sotëm është penal dhe Armand Duka rrezikon të ndiqet penalisht. Kërkesën për masën e Pezullimit e ka bërë prokuroria e Tiranës. Duka akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Nga hetimet e deritanishme të prokurorit Artan Gjermëni ka rezultuar se në disa nga dosjet e ekipeve ka një numër më të vogël lojtarësh të federuar krahasuar me atë të deklaruar në sistemin “Comet” sistem i cili është sistemi që merret për bazë në lidhje me gjenerimin e të dhënave zyrtare për numrin aktiv të lojtarëve të federuar.

Numri i lojtarëve të federuar është përcaktues sipas satutit të FSHF dhe SHRFT për përfaqësimin në asamblenë e përgjithshme nga delegatët e cdo shoqate apo klubi pjestarë. Konkretisht në bazë të nenit 28, pika 4 të statutit të SHRFT citohet se “......secili delegat ka të paktën 1 votë në asamblenë e përgjithshme. Për efekt përfaqësimi, çdo antari do ti atribuohet edhe nga një delegat për çdo 100 lojtarë të licensuar që marrin pjesë në garat rajonale të të gjitha nivelev. Vetëm delegatët e pranishëm kanë të drejtë vote. Votimi me prokurë ose me letër përfaqësimi nuk lejohet.....”. Duke qënë se numri i lojtarëve të federuar sipas sistemit “Comet” nuk korespondon me atë faktik në dosjet e klubeve lind dyshimi i arsyeshëm se mund të jenë shtuar/regjistruar fiktivisht lojtarë të cilët nuk kanë kartelat përkatëse në dosjet e ekipeve.

Gjykata bën me dije se janë pezulluar nga detyra edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, Ilir Shulku dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, Ardian Haçin. Arsyeja lidhet me përgatitjet që Duka, Shulku dhe Haçi, po bëjnë për organizimin e Asamblesë së 2 Marsit në kundërshtim të ligjit dhe pesë vendimeve të dhëna nga Gjykata javën e kaluar.

“Vendimi:

1. Pranimin e kërkesës.

-Caktimin si masë sigurimi ndalues ndaj personit nën hetim Ardian Haçi,atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.

2. Pranimin e kërkesës

-Caktimin si masë sigurimi ndalues ndaj personit nën hetim Ilir Shulku, atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale.

3. Pranimin e kërkesës.

-Caktimin si masë sigurimi ndalues ndaj personit nën hetim Armando Duka, atë të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale”, thuhet në vebndimine  gjykatës.

Përmbaruesit kanë zbarkuar pak ditë më parë në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, për të ndaluar asamblenë e 2 marsit, e cila me vendim të Gjykatës është e pezulluar. Asambleja e FSHF u pezullua nga Gjykata për shkak të hetimeve të nisura për manipulime me zgjedhjet, duke vendosur shtyrjen e tyre deri në hetimin e plotë të çështjes.

Përmbaruesi Basha sh.p.k ka ekzekutuar vendimin e gjykatës kundër presidentit të federatës duke ndaluar asamblenë e paligjshme që mendon të zhvillojë FSHF. Gjykata pranoi kërkesën për sigurimin e padisë duke urdhëruar përmbarimin për ekzekutimin e vendimit. Gjykata urdhëroi pezullimin e efekteve juridike të vendimit nr.1, datë 10.01.2022 të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme të zakonshme zgjedhore të FSHF-së, të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

Kundërshtimi I zbatimit të saj, sipas gjykatës përbën vepër penale, duke paralajmëruar drejtuesit e lartë të FSHF-së me ndjekje penale.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)