Gjykata më e lartë evropiane për të drejtat e njeriutvendosi që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës mund t'i kthejnë mbrapsht migrantët, përveç rasteve kur ata identifikohen si persona që rrezikojnë të përballen me keqtrajtim ose trajtim çnjerëzor.
Megjithatë gjykata theksoi se të 46 shtetet anëtare të organizatës, ku përfshihen të gjitha vendet e BE-së dhe disa vende jashtë saj, duhet të garantojnë dhe të mbrojnë të drejtat e njeriut edhe në rrethana rreziku.
Vendimi i gjykatës lidhet me një çështje komplekse që ka të bëjë me hyrjen e shtetasve nga Afganistani, Iraku dhe Kuba në Poloni, Letoni dhe Lituani gjatë viteve 2021-2022.
Në atë kohë në kufirin midis Bjellorusisë dhe vendeve lindore të BE-së pati një përplasje politike. Bjellorusia u akuzua se kishte krijuar qëllimisht një krizë migracioni për të ushtruar presion mbi Bashkimin Evropian.
Sipas akuzave Bjellorusia organizoi ardhjen e personave nga vende të treta në territorin e saj dhe më pas i drejtoi drejt kufijve të BE-së.
Gjykata: Vendet mund t'i kthejnë mbrapsht migrantët, por kanë detyrime ndaj tyre
Gjykata më e rëndësishme evropiane për të drejtat e njeriut vendosi se shtetet kanë të drejtë të kontrollojnë hyrjen e shtetasve të huaj edhe kur migracioni përdoret si mjet presioni politik.
Gjykata e quajti veprimin e Bjellorusisë në vitin 2021 si rast "instrumentalizimi të migracionit".
Megjithatë gjykata theksoi se shtetet duhet të sigurojnë mbrojtjen e migrantëve nga trajtimet çnjerëzore ose poshtëruese.
Në rastet e flukseve të mëdha migratore, autoritetet kombëtare duhet të identifikojnë personat që janë veçanërisht të rrezikuar nga keqtrajtimi apo trajtimet çnjerëzore.
Migrantët që iu drejtuan gjykatës pretenduan se ishin penguar me dhunë të hynin në BE, pa u shqyrtuar kërkesat e tyre për azil, dhe se të drejtat e tyre themelore ishin shkelur.
"Në kushtet e instrumentalizimit të migracionit, kthimi i një shtetasi të huaj në shtetin që e instrumentalizon migracionin nuk përbën në vetvete shkelje të Nenit 3 (ndalimi i torturës dhe i trajtimit çnjerëzor ose poshtërues)", thuhet në njoftimin për shtyp të gjykatës.
Gjykata urdhëroi Poloninë, Letoninë dhe Lituaninë të paguajnë kompensim për mënyrën se si i trajtuan migrantët në kufijtë e jashtëm të BE-së me Bjellorusinë./DW









Komente
Komento